Mbi 18 universitete italiane kanë marrë pjesë dje në panairin “Të studiosh në Itali”, duke prezantuar për të rinjtë shqiptarë mundësitë që ofron ky shtet. Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani, theksoi se studimi në këto universitete dhe përvetësimi i gjuhës italiane, të japin shansin për integrim të sigurtë në tregun e punës.
“Besoj se të studiosh në Itali, të mësosh gjuhën tonë në mënyrë perfekte, si një italian, të jep mundësi për të gjetur punë dhe jo vetëm në vendin tonë. Numri i bizneseve italiane në Shqipëri është shumë i lartë dhe mungesa e gjuhës ka qenë diskriminimi i vetëm për këto vende pune. Prandaj dua t’ju bëj apel të rinjve që ta mësojnë rrjedhshëm gjuhën italiane,” tha ambasadori Gaiani.
Referuar shifrave të Ministrisë së Arsimit, mbi 4 mijë maturantë në vit, zgjedhin të studiojnë jashtë vendit, dhe pjesa më e madhe preferojnë universitetet italiane. Të rinjtë kanë shfaqur një interes të lartë për panairin, duke besuar se shkollimi jashtë do tu japë më shumë mundësi për punësim. Ky është edicioni i tretë i panairit “Të studiosh në Itali” që zhvillohet në vendin tonë dhe organizohet nga Instituti Italian i Kulturës.
