Per Steinbruk: “Berluskoni dhe Grilo, dy klounë”

anazapta

Gjermani

 

Presidenti i Italisë, Xhorxho Napolitano, i cili ndodhet këto ditë në Gjermani ka anuluar takimin me kandidatin e Spd-së për postin e kancelarit në Gjermani, Per Steinbruk, pas komentit të tij mbi votimet në Itali të cilat kishin çuar ‘dy klounë’ në parlament. Batuta ka ngjallur shpërqendrim brenda dhe jashtë vendit

Per Steinbruk, kandidati i socialdemokratëve për zgjedhjet e ardhshme gjermane, ka një repertor të gjerë gafash. Mbrëmjen e së martës, ai komentoi rezultatin e zgjedhjeve italiane duke thënë se “ishte i tronditur nga fitorja e dy klounëve” duke iu referuar Silvio Berluskonit dhe Bepe Grilos. Por, këtë herë fjalët e tij kanë pasur një jehonë në nivel ndërkombëtar: Presidenti i Republikës italiane, Xhorxho Napolitano, që këto ditë ndodhet në në vizitë në Gjermani, ka anuluar takimin me Steinbrukun, i cili ishte programuar për mbrëmjen e së mërkurës.

Kryetari i shtetit italian u shpreh se deklaratat e liderit të Spd-së ishin të pavend. “Presidenti i Republikës përfaqëson kombin e tij dhe mendoj që nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga përfaqësimi i dinjitetit kombëtar. Ne respektojmë thellësisht Gjermaninë dhe sukseset e saj, ajo diti të ngrihej nga rrënojat dhe të ndërtojë një Evropë të re bashkë me Italinë. Ne e respektojmë, por kërkojmë të njëjtën gjë për Italinë”, u shpreh Napolitano gjatë takimit me komunitetin italian në Bavari. Steinbruk, nëpërmjet zëdhënësit të tij u shpreh se kishte pasur një telefonatë sqaruese dhe se e kuptonte zgjedhjen e presidentit Napolitano për të anuluar darkën e parashikuar.

Por edhe në të kaluarën Steinbruk ka përfunduar nën shënjestrën e shtypit gjerman dhe atij ndërkombëtar për ‘gafat’ e tij publike. I tillë është rasti kur deklaroi se paga prej 220 mijë eurosh në vit për postin e kancelarit ‘nuk ishte e përshtatshme’, apo kur tha se ‘nuk pinte kurrë një verë që kushtonte më pak se 5 euro’. Batuta këto, të konsideruara si treguese të një personaliteti, që sipas kritikëve, ka shumë pak të bëjë me vlerat tradicionale të demokracisë sociale në Gjermani. “E ka pranuar që komentet e tij kanë qenë disi të tepruara”, tha në janar Fran Uolter Steinmeier, kryetari i grupit socialdemokrat, duke kërkuar që ta justifikonte.

Vetë Steinbruk kur iu drejtua pyetja për ‘gafat’ që mund të kishin një ndikim negativ në zgjedhjet e ardhshme, kishte premtuar se do të hiqte dorë nga komente kundërthënëse.
Por, atë që nuk ia fal pjesa më e madhe është njëfarë fiksimi i tij për pasurinë, që bie në kundërshtim me rolin e tij si lider socialdemokrat, por edhe me thjeshtësinë e mishëruar këto vite te kancelarja Anxhela Merkel.

Steinbruk u nis që në fillim me këmbën e gabuar në garën e tij për vendin e kancelarit, kur bëri publike pasurinë e tij të majme, e fituar nga karriera si lektor. Kishte grumbulluar rreth 1 milion e 25 mijë euro fitime që nga viti 2009, duke marrë pjesë në konferenca dhe konventa të kompanive dhe bankave të tilla si “Deutsche Bank” dhe “JP Morgan”. “Nuk ka rreshtur kurrë së foluri për paratë e tij dhe për faktin që ka një marrëdhënie gati erotike me paranë”, shpjegon për “Bloomberg”, Daniel Fridrik Sturm, autori i një biografie mbi liderin e Spd-së. Por, në sytë e zgjedhësve gjermanë, Steinbruk mbetet ende një “objekt për t’u deshifruar”.

 

Përgatiti: Dorina Gjuzi

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *