Apolonia, kalendar më të favorshëm se Teuta

redaktor

Kampionati shqiptar vuan ethet e një gare të çmendur. Nëse për titullin janë ende në lojë 4 skuadra, për mbijetesën duket që Apolonia dhe Teuta do të duelojnë për të qëndruar në mes më të mirëve për një tjetër sezon. Elbasani matematikisht është ende në lojë, por duket që në praktikë formacioni i Dostit është dorëzuar me kohë. Dhe duke parë kalendarin e dy skuadrave të tjera, në 5 javët e fundit parashikohet një luftë e fortë për mbijetesën.

Distanca midis Apolonisë dhe Teutës është 7 pikë, por në Fier besojnë te mbijetesa, kjo falë edhe kalendarit të cilin e konsiderojnë të favorshëm. “Djemtë e Detit” kanë kaluar ndeshjet që në letër konsiderohen të lehta, pasi duke hequr sfidën direkte në javën e parafundit, do të duhen të përballen me 4 pretendentët për titullin kampion. 3 nga 5 sfidat e mbetura Teuta i luan në shtëpi, ku njëra prej tyre është dhe sfida direkte me Apoloninë në javën e parafundit, teksa edhe fierakët do të kenë po tre ndeshje në shtëpi.

Të besuarit e Artan Mërgjyshit shpresojnë të marrin maksimumin në dy sfidat e shtëpisë me Vllazninë dhe Elbasanin, teksa në mes është transferta e Kukësit. Nëse arrijnë diçka të tillë tek Apolonia shpresojnë që në ndeshjen direkte me Teutën të shkojnë me distancën e shkurtuar dhe mundësinë e parakalimit të kundërshtarit pikërisht në “Niko Dovana”, kjo dhe për faktin se e konsiderojnë të pamundur marrjen e pikëve të durrsakëve në ndeshjet e tjera ndaj kundërshtarëve që synojnë titullin.

Teuta do të luajë me Partizanin, Kukësin dhe Apoloninë në shtëpi, ndërsa në transfertë do të duhet të bëjë llogaritë me Skënderbeun dhe Tiranën. Në 4 nga 5 javët e mbetura koeficienti i vështirësisë për Teutën është i madh, dhe pikërisht këtë kërkon të shfrytëzojë Apolonia.

Në shtëpi fierakët presin Vllazninë, Elbasanin dhe Laçin, teksa në transfertë do të vizitojnë Kukësin dhe pikërisht Teutën. Me kalendarin në dorë tek Apolonia besojnë për mbijetesën dhe për këtë arsye gabimin e gjyqtarit në duelin me Skënderbeun e konsiderojnë të rëndë, pasi në fund një pikë mund të bëjë diferencën për të mbijetuar.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *