Barazimi me Kukësin në “Qemal Stafa”, në javën e 31-të të Superiores, e nxori praktikisht jashtë garës për titull Partizanin e Shpëtim Duros, që vetëm një kombinim i çmendur, mund ta shpallë kampion të Shqipërisë. Ky fund sezoni është një “Deja Vu” në kampin e kuq nëse u referohemi ngjarjeve që ndodhën në fund të 2013-2014. Partizani i Sampaios, në javën e parafundit të kampionatit humbi pjesëmarrjen në Europë pas disfatës me Skënderbeun në “Qemal Stafa”, pasi u parakalua nga Laçi që preu biletën e fundit për në Europa League.
I njëjti skenar mund të përsëritet edhe në këtë sezon, pasi janë laçianët ata që ia kërcënojnë vendin e katërt Partizanit. Por edhe ky pozicion mund të mos ketë vlerë nëse kurbinasit arrijnë të triumfojnë në Kupën e Shqipërisë.
Në përfundimit të sfidës me Kukësin, Shpëtim Duro u shpreh qartë se Partizani është në garë për një vend në Europa League, pra nga sulmi për titullin, të kuqtë kanë kaluar në mbrojtje të zonës europiane, që për ironi të fatit i kërcënohet nga një kundërshtar, të cilën e toleroi në Kupën e Shqipërisë.
Distanca mes Partizanit dhe Laçit në Superiore është vetëm 3 pikë, por kalendari i sfidave të mbetura favorizon skuadrën e Armando Cungut, që përballjen më të vështirë ka atë të fundjavës me Tiranën në “Qemal Stafa”, ndërsa të kuqtë pas transfertës me Teutën në fundjavë i pret derbi i zjarrtë me bardheblutë.
