Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme godet një grup falsifikatorësh, të shtrirë në qytetet e Tiranës dhe Vlorës.
Gjatë operacionit të SHÇBA-së, në Tiranë dhe në Vlorë u arrestua në flagrancë shtetasi Ilirjan Beqiraj, me banim në qytetin e Vlorës, pronar i firmës “Interterm”.
Arrestimi i Beqirajt u krye mbi bazën e një hetimi intensiv proaktiv me metoda dhe mjete speciale të hetimit, kryer nga shërbimet e policisë gjyqësore të SHÇBA-së për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumenteve”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248, 186/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në biznesin e shtetasit Ilirjan Beqiraj, në Vlorë, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale si mjete që përdoreshin për falsifikim dhe dokumenta të falsifikuara si:
vula
leje qarkullimi ndërkombëtare dhe shqiptare
dëshmi të ndryshme penaliteti
certifikata pronësie
akte noteriale për shtetas të ndryshëm
printer skaner me ngjyra të një cilësie të lartë
njësi kompjuterike
shuma prej 14.300 eurosh, që iu gjetën gjatë kontrollit personal.
Në lidhje me këtë procedim është vendosur të ndiqen në gjëndje të lirë shtetasit Leonard Zhupa dhe Arben Kadiu. Ata në bashkëpunim me shtetasin Ilirjan Beqiraj kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të dokumentave” të parashikuar nga neni 186/2 të Kodit Penal.
