Kronikë horror
Në tetor 2013 përfunduan në fundin e Mesdheut 360 shpirtra që vinin nga Eritrea dhe Somalia. Në shtator 2014 kjo skenë u përsërit për 300 emigrantë që trafikoheshin nëpërmjet Maltës. Në shkurt 2015 tragjedia përfshiu 300 emigrantë të tjerë. Në 12 prill 2015 u mbytën 400 fatkeqë. Në 19 prill 2015 përfunduan në fundin e detit 650 njerëz. Të gjitha këto ndodhën drejt dhe rreth ishullit Lampedusa. Bota bën sehir. Europa duket e qorollepsur në zgjidhjet për t’i dhënë fund krimit. Ndërsa Italia, skena ku luhen tragjeditë, vazhdon të përkundet në ndjenja që nuk shoqërohen nga asnjë ndryshim politikash. Nuk e di çfarë duhet të ndodhë që Europa të ndryshojë qëndrim ndaj emigrantëve.
Hilet e Europës
Në fakt, po bëhen dekada që Europa ka ndryshuar qëndrim ndaj emigrantëve. Por për të keq. Përfundimi i të ashtuquajturës fazë post-fordiste të ekonomisë botërore, u shoqëruar me ndryshim radikal në politikat ndaj migracionit. Gjatë fazës fordiste ekonomitë e mëdha kishin nevojë për fuqi punëtore të lirë dhe të huaj. Këtë rezervuar të forcës së lirë të punës e gjetën te emigrantët. Faza postfordiste, për shkak të zhvillimit teknologjik, në vend të punëtorëve, kërkon makina, kompjutera e robotë. Emigrantët nuk përbëjnë më rezervat e punës së lirë. Në vend të tyre, prej vendeve të varfra e në zhvillim Europa kërkon më shumë trurin. Duke u shkaktuar, me politikat e saj, tre pasoja serioze vendeve të varfëra: E para, thithjen e specialistëve të shkolluar e kualifikuar; e dyta, mbipopullimin e tregjeve lokale të punës me punëtorë të pakualifikuar; e treta, paralel me mbylljen e dyerve për të varfërit dhe të pakualifikuarit, qeveritë europiane grabisin indirekt mjaft pasuri të këtyre vendeve, të maskuara me politikat liberale për nënshtetësinë për investitorët nga vendet e varfëra. Bankat perëndimore u japin vendeve të varfra kredi me interesa të lartë, ndërkohë që u grabisin kapitalet dhe burimet e zhvillimit me politika hileqare shtetësie. Në ndonjë rast, ndërhyrja e vendeve pritëse të emigrantëve në vendet e varfra shkon deri në programe radikale e cinike. Para disa muajsh populli zviceran rrëzoi me referendum kërkesën e qeverisë për kufizimin e hyrjes së emigrantëve në këtë vend, nëpërmjet ndërhyrjeve anti-nataliste në vendet e origjinës së emigrantëve. Në vend që t’i hapin rrugë popullsisë së re nga vendet dërguese, vendet e plakura europiane kërkojnë të plakin artificialisht popullsitë e këtyre vendeve. Në vend që të shpëtojnë nga plakja e vet, kërkojnë të plakin popullsitë e reja.
Dhe shtetarët europianë rrinë e vështrojnë
Tragjeditë detare të emigrantëve nuk janë një rrufe në qiellin e pastër të Europës. Bubullimat janë ndier prej kohësh. Gjatë viteve të fundit, Europa ka përshatur një qëndrim mjaft të ashpër ndaj emigrantëve. Programet kryesore për menaxhimin e migracionit janë programet e menaxhimit të kufijve, domethënë të kontrollit të emigrantëve. Ka një asimetri të dukshme në politikat tuaja, zotërinj shtetarë europianë: Mallrat qarkullojnë lirisht, ndërsa njerëzit jo. Ju shpenzoni miliarda për biometrizimin dhe kontrollin e kufijve. A nuk do të ishte mirë që këto miliarda të shkonin për mbështetjen e zhvillimit të shteteve të varfëra në periferi të kontinentit? Është përgjegjësia juaj, jo e popujve, as e të varfërve, që Mesdheu, rajoni më i bukur dhe më i pasur potencialisht, në vend që të ishte një mozaik kulture e begatie, është bërë një skenë tragjedish njerëzore. Qeveritë europiane i kanë ndjellë vetë fatkeqësitë e klandestinëve qëkurse kanë filluar ta trajtojnë çështjen e emigrimit si një çështje të rendit dhe sigurisë publike, jo si një lëvizje njerëzish në kërkim të punës dhe jetës më të mirë. Për migracionin, mirë është të flasin më pak ministrat e Rendit. Në vend të tyre të flasin ministrat e Punës. Për klandestinët mirë është të mos flasim si për një rrezik. Më mirë është të flasim si për një mundësi. Për migrantët, mirë është të mos flasim si për një barrë. Më mirë të flasim si për një potencial zhvillimi.

Keto jane budallalleqe qe kane horizon shume te ngushte. Se pari nuk eshte Europa por nese ka ndonje pergjegjes te huaj per luftrat ne Lindjen e mesje nga vijne emigrantet jane shtete pak me te largeta qe kane filluar luftrat. Se dyta, Europa ka hallet e veta te punesimit e te ekonomise dhe nuk ka pse te mbaje pergjegjesi per thithjen e emigranteve qe duan ti ikin mjerimit ne vendet e veta. Se treti, kjo eshte pak si ajo puna qe njerezit i bejne enet pa lare ne shtepi te vet dhe pastaj i kerkojne Europes tu laje enet e piseta. dhe po ti laje Europa, keto i bejne prap pis keshtu qe nuk ka shume bereqet puna. Se fundi, keto ‘specialistet’ tane te NGO-ve emigracionit u mbyten duke marre leke nga Europa per te bere keshi projektesh qe vec keta dine te bene dhe specialisti ne fjale eshte pikerisht produkt i fondeve qe vijne nga Europa por qe nuk nxjerrin azgje ne drite.
Cfare ke ngaterruar Europen me Barjaben mor i mjere!
Zoteria kerkon qe Evropa te çoje anijet dhe te marri gjithe arabet ne Evrope.