Luftë e rreme apo paqe e brishtë

anazapta

Disa ditë më parë, gazeta DITA, në një shkrim të saj për ngjarjet që kishin filluar të shkëndijonin në Maqedoni, pra me rishfaqjen e një strukture që rishtas quhej UÇK, Ushtria Çlirimtare Kombëtare, solli në vemendje se gjërat jo vetëm që nuk ishin të qeta, por edhe se janë disa qarqe politike, të cilat njëkohësisht interesoheshin për eskalim të mëtejshëm politik e ushtarak. Sidomos në një vend ku ngrirja politike është e akulluar dhe ku, megjithë përpjekjet e Brukselit, në skenë dhe në passkenë, gjërat nuk po fillojnë të shkrihen. Pikërisht në këtë kohë, sipas informacioneve të mirëinformuara, gazeta paralajmëroi se tani për tani në strukturat e UÇK-së së tretë janë rreth 80 vetë, por nuk mund të jetë e rastësishme nëse numri i tyre do të shtohej. Tani, sipas mediave maqedonase, të pakonstetuara nga askush, janë shfaqur rreth 4o njerëz të armatosur, në uniformën e UÇK-së dhe amblemën e saj, të cilët, pasi kanë rrethuar një stacion policor të fshatit kufitar Goshincë, kanë çarmatosur rojet dhe i kanë dëbuar ato. Ende nuk dihet se në duart e kujt është kjo pikë kufitare dhe as zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme maqedonase dhe as burimet shqiptare, nuk u ndaluan në këtë fakt.

Por janë disa fakte të tjera dhe disa ngjashmëri që të tërheqin vemendjen.

E para: Likova.

Edhe në vitin 2001 njësia e parë e UÇK-së, aso kohe nën drejtimin e Ali Ahmetit, e nisi luftën e saj pikërisht nga Likova. Atje u vendos e gjithë struktura drejtuese e saj dhe për disa kohë ishte qendra e veprimit ushtarak. Jo rastësisht është gjetur një pikë e tillë, nyje lidhëse mes Kosovës dhe Maqedonisë, zonë në të cilën prej shumë kohësh ka qenë e mirërpritur UÇK-ja dhe prej së cilës kishin dalur mjaftz njerëz që iu bashkuan fillimisht luftës në Kosovë, e më pas edhe në Maqedoni.

Më shumë se sa një gjetje e rastit, fillesa e aktivitetit ushtarak, edhe një herë, pikërisht në Likovë, duket se është një gjë e menduar, si jë përsëritje e gjërave, por kësaj here, sipas asaj që deklarojnë mediat, edhe kundër Gruevskit, edhe kundër Ali Ahmetit”.

Politikës maqedonase i intereson një përngjasim i tillë politik dhe ushtarak, pasi e bën më të besueshme praninë e një force ushtarake, e cila udhëhiqet nga një mendim politik, dhe, që, jo rastësisht ka lidhje me fillesën luftës një dekadë e gjysmë më parë.

Shqiptarëve, nëse janë vërtet të vetdijshëm plër atë që po ndodh, u duket se një fillesë nga i njëjti vend është po ashtu ridimensionim i luftës në një kohë të re.

Sidoqoftë, Likova doli edhe një herë nga harresa dhe u bë e pranishme. Sa kohë do të jetë e tilë? është tepër herët për ta ditur.

E dyta: Kosova.

Menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në postën kufitare të Gozhincës, autoritetet maqedonase, duke u ndalur tek gjuha që ishte përdorur aty nga sulmuesit, një shqipe e fortë dhe një përkthim i përzier me serbishten, “dolën” në përfundimin se sulmi është bërë nga shqiptarë të Kosovës.

Edhe kjo nuk është një gjetje e re. Edhe para 15 viteve shteti maqedon tha të njëjtën gjë: Janë nga Kosova.Në të vërtetë ishin fillimisht shqiptarë të shtetit maqedon, të cilët më pas u mbështetën edhe nga shqiptarë të Kosovës, por edhe nga shqiptarë të shtetit amë, mes të cilëve edhe dy nga figurat më emblematike,Tahir Sinani dhe Skerdilaid Llagami.

Askush nuk e di me saktësi se nga ishin dhe nga erdhën sulmuesit e një poste kufitare, të cilët përfunduan një ngjarje pa viktima dhe vetëm me të shtëna në ajër, gjithnjë sipas deklaratës zyrtare të shtetit maqedon. Mund të ketë edhe shqiptarë të Kosovës, ashtu si e gjitha mund të jetë vetëm një ngrehinë e turbllt për të gjetur një shteg dalje nga e gjithë kriza që ka përfshirë këtë vend.

Në këtë rast faji nuk është në Kosovëp. Faji është në politikën e shtetit maqedon, të cilët, duam apo nuk duam, edhe Marrëveshjen e Ohrit, që ishte një minimum fillestar i bashkëjetesës dhe të të drejtave të popullsisë shqiptare, dalngadalë e kaluan në rradhën e tretë të prioriteteve të tyre.

E treta: shqiptarët si njësi administrative apo si forcë politike?

Edhe në vitin 2001, kur filloi lufta në Maqedoni, bashkëqeverisëse ishte një parti shqiptare, e drejtuar nga Arben Xhaferi, që njihej si lideri i shqiptarëve të atjeshëm. Në të vërtetë nuk kishte figurë tjetër që mund t’i përngjasonte, por, edhe pse pjesë e qeverisë, më shumë ishte ndërtuar një skalion përfituesish financiarë dhe përmes tyre ishte ndërtuar një oligarki e fuqishme.

Edhe tani, në vitin 2015, përsëri një parti shqiptare është në bashkëqeverisje, BDI, e drejtuar nga ish lideri i luftës, Ali Ahmeti. Që në votimet e para, kur ajo u bë parti politike, ka fituar në të gjitha zgjedhjet dhe për herë të parë, disa qendra të mëdha, si Kërçova apo Struga, po drejtohen nga shqiptarët.

Në fillimin e UÇK-së së dytë, aspiratat ishin të shumta, synimet e përcaktuara qartë, vizioni ishte i përbashkët për të githë shqiptarët. Nëse UÇK-ja kishte një përkrahje të pazakontë dhe në pak muaj u bë një përmbysje e madhe, kjo erdhi si rrjedhojë e idesë që bartëte me vete, por edhe si frymëzim nga ajo që kishte ndodhur disa muaj më parë në Kosovë.

15 vite më parë shqiptarët në Maqedoni ishin një njësi administrative. Tani e kanë shansin të jenë forcë politike. Megjithatë ndarjen e pazakontë për një popullsi kaq të paktë, ku askush nuk e di saktësisht numrin e partive politike, shtegu që po lënë të lirë me ndarjen fatale, krijon mitin e lindjes së një strukture të re luftarake. Edhe në mos e krijoshin shqiptarët, atë do e bëjnë ata që kanë interes për t[ë bërë edhe një përplasje brenda llojit dhe për të larë të kaluarën jo të largët.

E katërta: nga vetë populli apo e importuar.

Pak vetë do të besonin në vitin 2001 se do të kishte një luftë të re ballkanike, e cila mendohej se do të ishte e fundit në këtë rajon. Sapo kishte përfunduar lufta në Kosovë, ishte bërë armëpushimi jetëshkurtër në Kosovën Lindore dhe nëse hera e parë kishte qenë e suksesshme, hera e dytë kishte qenë e dhimbshme.

Për herën e tretë pak vetë e dinin se kishte një fillesë të herëshme. Dikur, në krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aty kishte qenë Zona e Dytë Operative, por pas këmbënguljes së autoriteteve të larta perëndimore, gjërat ishin lënë për një kohë të mëvonshme. Në vitin 2001 koha kishte qenë e duhura, më e gjetura dhe ndoshta e fundit si mundësi reale.

Nuk kishte qenë gjë e importuar, por e lindur nga shumë vite punë dhe sakrifica. Disa nga fillestarët, si Beqir Limani, ishin vrarë në përpjekje. Të tjerë kishin shkuar të luftonin në Kosovë, si komandant Kumanova, Ismet Jashari.Të tjerë kishin pritur.

Pyetja e parë që bëhet sot është në vertësinë e asaj që thuhet: është e vetë hallit apo e importuar. Për të shkuar më tej, është autotoktone apo e sajuar.

Mediat maqedonase, që kur filluan trasetë e fjalëve se nga muaji maj do të kishte zhvillkime të furishme, akuzuan ish gjeneralin Angellov, që drejton një parti opozitare, “Dinjiteti”. Pastaj akuzuan edhe Zoran Zajev, liderin e opozitës, si një parathënie se gjërat dihen se do të ndodhin, e po ashtu dihen edhe ata që po i vënë në lëvizje.

Ish gjenerali Angellov, që me 4 prill, akuzoi qeverinë se kishte dhënë 2 milionë euro pr të krijuar një UÇK të rreme, gjë që natyrisht u hodh poshtë nga qeveria. Palët vazhdojnë të akuzojnë njëra tjetrën, ndërsa partitë shqiptare , sidomos ata që janë në dijeni të gjërave, kanë bërë deklaratat e para politike.

Së fundi: a do të ketë një zhvillim të ri dhe më pas, një përfundim tjetër nga sa pritet?

Përsonalisht i kam takuar një lëvizje klandestine , e cila kishte formuar UÇK-në e më pas edhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare. Kisha qenë pjesë e saj prej shumë kohe dhe , duke qenë më pas pjesë drejtuese e saj, isha në dijeni për gjërat që po përgatiteshin. Ose isha vetë në këtë përgatitje.

Ajo që po ngjan të ndodh këto ditë në Maqedoni nuk është e kohës së duhur, ky është një mendim vetjak, por nëse është gjithçka e nisur sinqerisht, me një ndjenjë revolte për proçeset që mbetin, atëherë politika shqiptare në Maqedoni duhet të mos bjë anatemime.

Praktikisht unë i besoj versionit të BDI-së, pasi askush më tepër se sa njerëzit e saj, jo vetëm Ali Ahmeti, janë të lidhura me lëvizjen klandestrine.

Por dua të shikoj përtej saj. Si e kam theksuar edhe në një shkrim të para pak ditëve, aktualisht forcat që u intereson eskalimi i gjendjes në Maqedoni janë jashtë vlerave të shqiptarëve.

Më shumë se gjithçka tjetër kam drojën se mos e gjithë kjo është një mashë për të kapur gacat e zjarrit të politikës maqedonase me duart e shqiptarëve.

Jo rrallë herë ka ndodhur që është abuzuar me idealizmin e njerëzve, megjithëse më duket se nuk jemi para një rasti të tillë.

Në Maqedoni gjërat po vërviten në një vorbull të ri. Do të pushojë apo do të ketë zhvillime të reja?

Çfarlë do të kemi atje: luftë të rreme apo paqe të brishtë?

Këtë , tani për tani, askush nuk e di.

Share This Article
1 Comment
  • Karikatura-gjetje e bukur dhe shume domethenese e “paqes maqedonase multietnike”.
    Bravo “Dita” !

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *