Krerët e shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare, të mbledhur dje në Bruksel, duket se i prenë drutë shkurt në lidhje me imigracionin.
Përveç trefishimit të burimeve financiare, që u miratuan për operacionet shpëtimit, çka e çon nivelin e tyre në buxhetin, që tashmë kishte Mare Nostrum, udhëheqësit e BE-së u treguan të stepur dhe të frenuar ndaj iniciativave të propozuara.
Vërejtjet, që u adresuan si nga organizatat e të drejtave të njeriut, por edhe grupimi i Aleancës së demokratëve dhe Liberalëve, të PE-së, nuk gjetën reflektimin e duhur.
Në thelb ajo që ndryshon, është shumë pak. Rishikimi i nevojshëm i sistemit të azilit, u shmang, krijimi i një sistemi të përbashkët mbi imigrimin ligjor në BE, as që u përfill, shndërrimi i Frontex në një agjenci evropiane për ta shndërruar në një agjenci me mandat detyrues për të gjithë vendet anëtare, nuk u mor gjithashtu parasysh. Në tërësi pikat që kaluan në miratim, kanë një karakter të përgjithshëm, dhe siç pritej nuk do të shërbejnë për të zgjidhur në themel problemin.
Më poshtë janë 17 pikat e miratuara në mbledhjen e djeshme:
Përforcim i prezencës në det:
Përforcim i shpejtë i operacioneve Triton dhe Poseidon, të kryera nga BE, duke trefishuar burimet financiare.
Luftë trafikantëve
Luftë trafikantëve në përputhje me ligjin ndërkombëtar, kapjen e tyre dhe sjelljen para drejtësisë, sekuestrimin e aseteve, operacione që do të zhvillohen në bashkëpunim me vendet e treta; përpjekje sistematike për të identifikuar, kapur dhe shkatërruar anijet e trafikantëve përpara, se ato të përdoren; Përfaqësuesja e Lartë duhet të fillojë përgatitjet për një operacion të CSDP në këtë drejtim; përdorim i EUROPOL-it për të detektuar dhe kërkuar heqjen e përmbajtjeve në internet të përdorur nga trafikantët për thithjen e imigrantëve dhe refugjatëve.
Parandalim i flukseve të imigrantëve
Rritje e mbështetjes ndaj Tunizisë, Egjiptit, Sudanit, Malit dhe Nigerisë ndër të tjera, për të monitoruar dhe kontrolluar kufijtë dhe rrugët tokësore, duke u bazuar mbi misionet aktuale të CSDP në rajon, si edhe në kuadrin e bashkëpunimit rajonal (procesi i Rabatit dhe Khartoum); përforcim i dialogut në proces me Unionin Afrikan; Përforcim i bashkëpunimit politik me partnerët afrikanë në të gjithë nivelet me synim adresimin e shkaqeve të migrimit të paligjshëm dhe luftë ndaj trafikut të qenieve njerëzore. BE do të trajtojë këto çështje me Unionin Afrikan dhe vendet e përfshira, duke iu propozuar atyre mbajtjen e një Samiti në Maltë, në muajt në vijim;
Intensifikimi i bashkëpunimit me Turqinë në lidhje me situatën në Siri dhe në Irak; Zhvendosja në vendet kyçe të oficerëve të ndërlidhjes së imigracionit evropian, të ngarkuar për mbledhjen e informacioneve mbi flukset e migrimit, dhe sigurimi i koordinimit me oficerët e ndërlidhjes kombëtare dhe bashkëpunim direkt me autoritetet e vendeve të përfshira; Të punohet me partnerët rajonalë me synim përforcimin e kapaciteteve në fushën e administrimit të kufijve detarë dhe të operacioneve të kërkimit dhe të shpëtimit; Nisja e programeve rajonale të zhvillimit dhe të mbrojtjes për Afrikën e Veriut dhe Gadishullin Lindor të Afrikës;
Ftohet Komisioni dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për të mobilizuar të gjithë instrumentet, duke përfshirë edhe kuadrin e bashkëpunimit dhe të zhvillimit dhe nëpërmjet vënies në jetë të marrëveshjeve kombëtare të ripranimit me vendet e treta, për të favorizuar ripranimin e migrantëve ekonomikë në situatë të parregullt në vendet e origjinës dhe të tranzitit, në bashkëpunim të ngushtë me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin;
Duke respektuar të drejtën e kërkimit të azilit, vënia në jetë e një programi të ri kthimi, i koordinuar nga FRONTEX, me synim sigurimin e kthimit të shpejtë të imigrantëve klandestinë, që gjenden në shtetet anëtare të linjës së parë kufitare;
Përforcim i solidaritetit dhe përgjegjësisë së brendshme
Vënia efikase në jetë e regjimit të përbashkët të azilit evropian, nga të gjithë shtetet anëtare pjesëmarrëse, duke garantuar në këtë mënyrë norma evropiane të përbashkëta, në përputhje me legjislacionin ekzistues; Rritja e ndihmës së urgjencës ndaj shteteve anëtare të linjës së parë dhe ekzaminimi i mundësive për të organizuar një shpërndarje në urgjencë midis gjithë shteteve anëtare mbi baza vullnetare; Zhvendosja në vendet anëtare të linjës së parë, të ekipeve të EASO, të ngarkuar për sigurimin e trajtimit të përbashkët të kërkesave të azilit, duke përfshirë edhe regjistrimin dhe marrjen e shenjave të gishtërinjve; Vënia në jetë e një projekti të parë pilot vullnetar, në fushën e riinstalimit në të gjithë BE-në, duke propozuar vende ndaj personave, që kanë nevojë për mbrojtje.
