Ndikumana: Nuk bëra asgjë, ata me shanë dhe më pështynë

Dita

Selemani Ndikumana është kryefjala e momentit në kampin e Tiranës që po vazhdon me intensitet përgatitjet për ndeshjen e radhës kundër Laçit. Sulmuesi nga Burundi u dënua me karton të kuq për 90 minutëshin e Kupës për shkak të një konflikti me Olsi Teqjan, ndërsa Komisioni i Disiplinës dha edhe një tjetër vendim në dëm të tij me dy ndeshje pezullim.

Ndikumana ndihet ende i habitur nga ajo çfarë ka ndodhur në fushën e Laçit duke hedhur hije dyshimi mbi arbitrin Pashaj: “Pyes veten pse erdhi ai vendim nga ana e gjyqtarit, sepse në fushë ndodhi thjesht një kontakt loje dhe asgjë më tepër. Nuk arrij ta kuptoj pse u ndëshkova me të kuq, sepse nuk bëra asgjë. Nuk e godita Teqjan, thjesht e shtyva, sepse ai po varej në qafën time. Arbitri ishte mes nesh dhe pa gjithçka shumë mirë”.

Pyetjes se nëse e pështyu kundërshtarin, 28-vjeçari përgënjeshtroi kategorikisht: “Nuk është aspak e vërtetë që kam pështyrë, madje një gjë të tillë e bëri numri 28, Veliu, ndaj meje. Ai erdhi dhe më pështyu. Nëse Disiplina ka parë në pamjet filmike gjestin e tij, atëherë duhet të thonë se çfarë kanë parë në gjestin tim?”.

Ndikumana sqaron se ka kërkuar që të evitojë përplasjet dhe kartonët në fushë dhe sjellja e tij në Laç nuk ka të bëjë aspak me një gjest antisportiv. “Që në momentin që mora kartonin e kuq ndaj Flamurtarit jam përpjekur të evitoj kontaktet në çdo ndeshje dhe jam munduar të luaj në mënyrë korrekte. Prandaj pyes sërish veten se çfarë bëra në atë moment, sepse unë nuk reagova ndaj provokimit të tij”, tha ai.

Në fund, sulmuesi bardheblu nënvizon se marrëdhënia e tij me trajnerin Magani është korrekte, pavarësisht zërave mediatikë të javëve të fundit: “Marrëdhënia ime me Maganin është normale, si ajo e një trajneri me lojtarët. Nuk ka asgjë tjetër që duhet ta sqaroj. Të gjithë më pyesin për këtë, por e theksoj që kam një marrëdhënie të mirë me trajnerin”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *