Banorët e Marinzës, ashtu edhe siç kishin paralajmëruar më herët nëpërmjet një peticioni, u tubuan mëngjesin e djeshëm në një protestë kundër kompanisë “Bankers”, për çështjen e dëmshpërblimeve dhe sigurisë në zonën naftënxjerrëse. Grupi me të paktën 150 persona bllokoi rrugën, duke vendosur makina dhe dalë vetë para tyre, ndërsa kërkuan përveç dëmshpërblimeve, shpërnguljen në një zonë të sigurt dhe banesa të reja, si dhe trajtimin njëlloj si pjesa tjetër e familjeve afër vatrës së shpërthimeve. Kompania nuk ka reaguar ende për kërkesat e tyre, 25 ditë pas shpërthimit të fontanës së gazit. Peticioni është firmosur nga 750 persona dhe përmban 9 pika.
Protesta
Në peticionin e firmosur, por edhe në deklaratat e bëra dje gjatë protestës së banorëve të lagjes “Naftëtari” në këtë fshat, u kërkua nga kompania konçesionare e karburanteve, kompensim për shtëpitë e dëmtuara, tokat bujqësore dhe reduktim të ndotjes, njëlloj sikurse për rreth 100 familjet e tjera të këtij fshati. Për disa minuta banorët, mes të cilëve gra dhe fëmijë, bllokuan rrugën dytësore Sheqishtë-Marinëz dhe pezulluan qarkullimin e mjeteve transportuese të naftës. Afro 100 familje në Marinëz pretendojnë se nuk janë përfshirë në inventarizimin e dëmeve, teksa vetë kompania më herët kishte premtuar dëmshpërblim për dëmet e fundit nga fontanat. Ata u shprehën se kompania nuk po i dëmshpërblen dhe se lëkundjet i konsideron tërmete dhe jo shpime të dhunshme të saj në nëntokë nëpërmjet shpërthimeve.
Kërkesat
Ata kërkojnë gjithashtu të trajtohen me ndihmë financiare njësoj si banorët e tjerë, shtëpitë e të cilëve ndodhen shumë pranë puseve të naftës ku “Bankers” ushtron aktivitetin. Këto familje marrin prej kompanisë kanadeze një ndihmë financiare emergjence 10 mijë lekë të vjetra për frymë në ditë. Të njëjtën ndihmë kërkojnë edhe banorët e lagjes “Naftëtari”, të cilët jetojnë disa kilometra larg zonës së shpërthimit. Shpërthimi i fontanës së gazit më 1 prill dëmtoi 200 shtëpi, por vetëm 110 prej tyre janë përfshirë në inventarizim. Për shkak se uji i Marinzës është i ndaluar për përdorim nga DSHP, “Bankers” po furnizon fshatin me autobotë. Kjo nuk mjafton për gjënë e gjallë dhe vaditjen e kulturave bujqësore, ndërkohë që ndotja e ajrit vazhdon të çojë njerëz në spital.
