Ditën e djeshme, jo rastësisht, gazeta DITA risolli një interviste time të para dy viteve. Më bën nder që është ende aktuale, por risjellja e saj ka edhe një fakt tjetër, që për disa ishte i papritur dhe për të tjerë ishte i natyrshëm. Ka lidhje me njohjen e statusit të veteranit, që do të thotë luftëtarit të UÇK-së, të disa figurave politike e shtetërore të shtetit shqiptar në periudhën e luftës në Kosovë. Si për të mos mjaftuar kjo, një intervistë e zotit Fatos Klosi, ish shefi i shërbimit sekret në Shqipëri pikërisht në ato vite, dhe, si ishte pritur, qëndrimi i tij për ngjarje e figura të veçanta, ngjallën reagime.
Nuk do të futem në reagimin e kryeministrit aksidental të qeverisë së Kosovës, zotit Isa Mustafa. Si e kam thënë edhe në shkrimet të tjera, kur kam analizuar rrugën politike të tij, nuk është pritur gjë tjetër nga njeriu i cili e filloi karrierën politike përmes një qeverie hije të regjimit të Millosheviçit, në të cilën ishte ministër. Po ashtu, nuk mund të pritet asgjë tjetër nga një figurë gjysmë qeveritare, si ishte në mërgim qeveria Bukoshi, përmes të cilit janë zhdukur miliona marka, si ka dëshmuar njeriu i dytë në këtë qeveri, Xhafer Shatri, dhe për më tepër nga ato struktura që, ndërsa djemtë e Kosovës vriteshin, nganjëherë edhe nga mospërgatitja ushtarake, njësia e tyre FARK, duke marrë rroga të majme, shumë më tepër nga sa mendohej, bënte jetë kazerme larg luftimeve dhe larg Kosovës njëkohësisht.
Tani këto janë ngjarje, të cilat, do apo nuk do kryeministri aksidental i Kosovës, janë ngulitur në historinë e re të saj dhe, trimëria pas luftës, është një shfaqje e kotë e kapadaillëkut politik, me të cilin nuk ia vlen të merremi.
Unë desha të sjell për lexuesit një fakt tjetër, të cilin e përmendi shkarazi zoti Klosi në intervistën e tij: Mbështetjen logjistike nga ana e shtetit shqiptar për luftën në Kosovë, e cila shpesh herë ka munguar, e në këtë mes, edhe qëndrimin e zotit Klosi në mbështetje të kësaj ideje: Forcimit logjistik të luftës në Kosovë.
Zoti Klosi dëshmoi nga njëra anë e qëndrimit: Të shtetit shqiptar. Duhet saktësuar edhe pjesa tjetër, që tabloja të bëhet e plotë. Duke kërkuar ndjesë për përmendjen e rolit tim si kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në këtë periudhë, dhe kjo Lëvizje ishte themeluese dhe organizatore e UÇK-së, anëtarë të së cilës ishin e gjithë kupola drejtuese, politike e ushtarake, më lejohet të sjell një ngjarje, në një kohë të pazakontë.
Në fundin e korrikut të vitit 1998 më kërkoi në telefon zoti Klosi. Nuk kishim folur asnjëherë më parë dhe, vetëm kur më thirri “profesor” e kuptova se nga e kishte adresën time. Njëri nga drejtuesit e sektorit të logjistikës më thërriste kështu, megjithëse nuk isha asnjë lloj profesori. Biseda ishte e shkurtër. Ai ma tha se ishte urgjente të takoheshim në Tiranë. Në pyetjen time se kur mendonte ai të takoheshim, erdhi edhe përgjigjja e tij: Pas pesë minutash. Pra, ishte më se urgjente, por ajo që më trazoi më shumë ishe pasuesja se, nëse nuk do të ndodhte një takim sa më i shpejtë, ata do të ishin të detyruar të ishin më të tërhequr. Problemet që ende kishim mes strukturave tona, si duket, kishin përcjellë mesazhe të ndryshme në shtetin shqiptar, lidhjet me të cilin ishin mëse të domosdoshme.
Mendova se do të ishte më e drejtë dhe më vendosëse nëse do të ishim atje jo një njeri i vetëm, pavarësisht se ishte drejtues i organizatës, por e gjithë kryesia, për të pasur vendime të përbashkëta, por edhe për probleme të tjera, të cilat duheshin mënjanuar ose zgjidhur. Thuajse gjysma e kryesisë ishte edhe anëtare e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ose pjesë e Drejtorisë Politike të saj.
Takimi me profesor Klosin ishte i shkurtër, i qartë dhe thënë sinqerisht, ishte disi befasues. Ai, pa asnjë drojë mund të them, e ndjente luftën thellësisht si pjesë të vetes dhe e kishte marrë përsipër, ndoshta edhe më shumë nga sa ishte detyra e tij apo ia lejonin kontaktet ndërkombëtare, mbështetjen e saj. Të mos harrojmë: Ishte mesi i vitit 1998 dhe shteti shqiptar, i sapo dalë nga kriza e madhe e vitit 1998, ende nuk kishte filluar të fashonte plagët e tij. Ne ishim të vetëdijshëm për këtë, por, po ashtu, ishim të vetëdijshëm se nuk kishte asnjë rrugë tjetër, veç shtetit shqiptar. Gjërat duheshin bërë pa shkaktuar probleme në dy anët. Takimi me profesor Klosin na dha shpresën se, kur ai, si shef i shërbimit sekret e kishte hequr diskrecionin e tij, të tjerët, njerëzit e politikës, do të ishin shumë më tepër se kaq. Problemi i tij shqetësues ishte se herë pas here, tek ai paraqiteshin njerëz në emër të UÇK-së, si përfaqësues të saj të logjistikës, të cilët kishin vërtet autorizim të caktuar, për zona të veçanta nga Organizata, por nuk ishin ata përfaqësuesit vendosës, rol të cilin e kryente jashtëzakonisht mirë Xhavit Haliti, “Zeka”, prej disa vitesh, i cili ishte edhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm dhe drejtues i sektorit të veçantë. Kjo paraqitje, herë pas here edhe me akuza për të tjerët, kishte krijuar hutinë që duhej ndrequr.
Takimi i parë zyrtar, nëse mund të quhet kështu, megjithëse ramë në një mendje se asaj kohe nuk duhet bërë publik, ishte me presidentin Meidani. Nuk mund të fsheh interesimin e tij, por që këtu filloi ajo që desha të sjell në këtë shkrim.
Në bisedën e përbashkët, si ishte e pritshme, kishte diferenca sidomos për një mbështetje logjistike nga shteti shqiptar. Disa kohë më parë, në Bon, në një takim të veçantë me zëvendësministrin e Mbrojtjes së shtetit shqiptar dhe ambasadorin Bashkim Zeneli, një mbështetës i pashoq i luftës në Kosovë, u propozuam që Organizata jonë, me mundësitë që kishte, të bënte të gjithë furnizimin e ushtrisë shqiptare me një logjistikë ndihmëse, në se mund të quhet kështu: Me ushqime, uniforma, karburante, mjete lëvizëse, ndërsa shteti shqiptar të merre përsipër mbështetjen luftarake logjistike. E dinim se ishte një propozim që hapte telashe dhe e kuptuam kur nuk morëm përgjigje.
Në presidencë, duke folur hapur, ne i kërkuam zotit Meidani të luante rolin e tij si Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Shqiptare për të ndihmuar në logjistikën e UÇK-së. Përgjigjja e tij ishte befasuese: Unë i kam dhënë urdhër Luan Hajdaragës, ministrit të Mbrojtjes, por ai kërkon urdhër me shkrim dhe këtë nuk e bëj dot.
Pyeta përse nuk e bën dot. Befasia vazhdoi më tej se, “nëse ai do e bënte këtë, ky urdhër do të ishte të nesërmen në Nju Jork Tajms”.
Sidoqoftë ai ishte tejet i interesuar, me sinqeritetin më të thellë për të pasur një mbështetje ndaj luftës, megjithëse disa nga qëndrimet e tij politike, dorën në zemër , ishin jashtë kohës. Sidomos ato për zgjidhjen e çështjes shqiptare në trojet e tyre në Maqedoni.
Në darkë vonë ne ishim tek shefi i qeverisë, zoti Fatos Nano. Kur them ne, më duhet të dëshmoj se cilët ishim. Si drejtues i Organizatës isha edhe drejtues i grupit, por kjo nuk kishte të bënte me rolin tim në UÇK, ku të tjerët ishin shumë më të merituar. Katër nga të deleguarit tanë ishin anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ose të Drejtorisë Politike të saj: Xhavit Haliti, Ali Ahmeti, Jashar Salihu, Bardhyl Mahmuti. Agush Buja ishte nënkryetar i Fondit “Vendlindja thërret” dhe anëtar i Kryesisë, po ashtu edhe Sejdi Gega. Mungonte vetëm Ibrahim Kelmendi, i cili, pas takimit në presidencë, u nis për një udhëtim të largët, gjithnjë në dobi të luftës.
Nga shteti shqiptar ishin Fatos Nano, si shefi i qeverisë, që drejtoi edhe takimin, Kastriot Islami, si zëvendëskryeministër, Perikli Teta, që ishte ministër i Brendshëm, i cili qëndroi vetëm disa minuta; Vladimir Prela, i ndjerë, këshilltari politik i shefit të qeverisë dhe Fatos Klosi, që ishte në të gjitha takimet tona. Ishte edhe ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga.
Pas disa orëve bisedime, herë herë të qeta dhe jo pak herë jo të qeta, rishtas ne sollëm kërkesën për të mbështetur me logjistikën që ishte ende në depo dhe ndoshta do të shkërmoqej, në kohën më të vështirë për ne, luftën në Kosovë.
Ndërsa po diskutohej për këtë dhe nëse mund të realizohej apo jo, rrugët që ishin të mbyllura me probleme teknike e administrative, por gjithnjë drejt mohimit të ndihmës, erdhi befasisht propozimi i qartë, pa asnjë mëdyshje, i profesor Klosit.
“Bëjeni kalimin e mjeteve në strukturat tona, bëjini kalimin e rregullt, të dokumentuar, që të mos keni asnjë shqetësim në të ardhmen. Pastaj ne do të veprojmë për më tej dhe kjo do të zgjidhet edhe në konsultim me partnerë të tjerë”.
Pas këtij propozimi morëm frymë lirisht. Por përsëri, nuk u bë e mundur, deri disa kohë më pas kur erdhën të tjera kohëra dhe UÇK-ja nuk ishte si më parë, një mollë e ndaluar, por u bë një mollë e dëshiruar, kur të gjithë kërkonin të rrinin në hijen e saj.
Në fund, kur gjërat dukeshin se po mbylleshin, zoti Nano tha mendimin e tij për krijimin e një strukture të përbashkët mbështetëse, dhe nga shteti shqiptar ata do të caktonin zotin Klosi. Askush më mirë se sa ai nuk do të ishte i mirëpritur.
Zotin Klosi nuk e kam takuar më që nga ato ditë. Kemi biseduar ndonjëherë në telefon, por gjërat tani ishin shumë të rrjedhshme.
Më duhet të pohoj se shumë pak njerëz të politikës ishin në atë kohë për mbështetjen logjistike të UÇK-së, pa asnjë parakusht. Mes tyre do të bënin vendin e tyre zoti Brokaj dhe zoti Klosi, si më afër për shkak të detyrës, por edhe zëvendëskryeministri i asaj kohe, Ilir Meta, zonja Monika Kryemadhi, e cila, në fakt ishte për një mbështetje totale të luftës, por gjërat janë edhe jashtë strukturave të shtetit.
Personalitete të shquara të jetës intelektuale në Shqipëri kanë më tepër se sa hisen e tyre në luftën e Kosovës. Profesor Shaban Sinani, e gjithë familja e tij, pa asnjë mëdyshje, që shumë vite para fillimit të luftës do të ishte njëri nga figurat prominente të paraqitjes së luftës, mbështetjes së saj dhe, tashmë duhet thënë, shtëpia e tij e vogël në katin e katërt, do të ishte njëra nga bazat më të rëndësishme. Në të cilën, jo rrallë herë, jo vetëm zhvilloheshin takime të rëndësishme, por edhe strehoheshin mjete moderne të logjistikës luftarake. Banesa e tij ishte strehë për të gjithë ilegalët, që nga luftëtarët e orëve të para e deri tek pjesëtarët e afërt të familjes së Adem Jasharit. Dhe kjo është bërë duke sakrifikuar nga vetja, pa asnjë lloj shpërblimi si mund të mendohet padenjësisht sot. Liria e Kosovës ka borxh edhe tek mbështetja e pashoqe e Xhevahir Spahiut, Moikom Zeqos, Dritëro Agollit, Sabri Godos, të cilët, kur ishte e vështirë edhe ta përmendje, u dolën për zot vlerave të UÇK-së.
Sot mund të spekulohet shumë. Njëri ndër spekulimet më të jargavitura është se kjo mbështetje i kushtoi jashtëzakonisht shumë materialisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mund të siguroj këdo që kërkon të vërtetën se, asnjëherë, në asnjë rast, për askënd, nuk janë përdorur të hollat e dhëna nga shpirti i popullit. As pushtetarët socialistë dhe as ushtarakët që luftuan në Kosovë, në strukturat më të larta, si Dilaver Goxhaj, heronjtë Tahir Sinani, Skerdilaid Llagami, e shumë të tjerë, nuk patën asnjë përfitim material. Absolutisht.
Mendova se duhet të sqaroj thënien e profesor Klosit për qëndrimin e tij ndaj logjistikës së luftës, sepse shumë kujt mund t’i jetë dukur se është diçka që nuk mund të ketë ndodhur.
E vërteta e luftës është tashmë e ngurtësuar si një fakt historik. Gjithçka që ka lidhje me të kundërtën e saj nuk mund të zhbëhet nga një deklarim, edhe ashtu tepër bajat e pa shpirt, i shefit aksidental të qeverisë së Kosovës, ish ministrit të financave të një qeverie zhvatëse, ministrat e së cilës, kur djemtë vriteshin në kufi, luanin pingpong në vilat e Tiranës.

nuk i dime rrethanat por duhet te kemi kujdes te mos biem ne kurthet e serbit qe aq do te deklaroje se Shqiperia provokoi rremujat dhe deri luften… aq duan lobet prosllave ne BE. Mishi te piqet dhe helli te mos digjet – rendesi ka qe gjerat po rrokullisen ne favorin tone, te presim edhe ca per meritat ndaj dhe ketij kryeministrit mos ja fishkelleni shume nese nuk i ka te tijat ato qe thote.
O Bedri.
Bej pak pushim.
Dhe hiqe grushtin nga gjoksi se e bere grope.
Edhe ti je hequr sikur ke qene udheheqes i larte, por nuk ke qene.
Trima mbas pilafi.
Nese nuk kemi deshire per te njohur nje pjese te historise tone te afert, apo na mungon vullneti per te lexuar, bejme mire te heshtim. Ne kete rrefim nuk ka grusht as ne gjoksin e z. Islami, as ne hundet e tradhetareve. Por ka fakte qe kane per protagoniste dhe deshmitare disa burra. Askush prej tyre nuk i kundershton, aq me keq ti perbuze, sic bejme ne qe “komentojme” ketu duke u fshehur pas psudonimeve. Nuk jam patriot i madhe, por duke lexuar kete shkrim me vjen rende qe nuk kam bere asgje per ate lufte, cka me ndodh edhe kur njihem me fakte te tjera, te ngjashme me te ketij shkrimi.