Moratoriumi dhe gjahtarët ilegjitimë

redaktor

Në Parkun Kombëtar të Divjakës pak javë më parë u prezantuan rezultatet e deritanishme të moratoriumit të gjuetisë, ku të pranishëm ishin dhe ambasadori amerikan në vendin tonë, Donald Lu, kryeministri i vendit, Edi Rama dhe ministri i Mjedisit, Lefter Koka.

Në fjalën e tij me këtë rast, kryeministri Rama i vlerësoi si mbresëlënëse rezultatet e deritanishme nga moratoriumi, ndërsa tha se synimi i qeverisë është që ta shndërrojnë Divjakën në një zonë të rëndësishme të zhvillimit ekonomik përmes turizmit.

Mirëpo kjo deklaratë e kryeministrit nuk ka kaluar në heshtje nga shoqatat e gjuetisë. Por, çfarë ka ndodhur deri më tani me ata që marrin çiften dhe zagarët dhe shkelin zonat ku ka gjah? “Dita” kontaktoi me Themi Perrin, Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës së Gjuetarëve, i cili na jep një tablo më të qartë të asaj që po ndodh me gjuetinë, moratoriumin, por dhe me shoqatat që përfaqësojnë të pasionuarit pas gjahut.

Ai thotë se moratoriumi i ka dhënë efektet e veta dhe zgjatja thjesht do të sillte një dëm të madh për gjuetarët. Gjuetarët të cilët janë tregtar korrekt me respektimin e moratoriumit thonë se deri më tani ata që nuk e kanë respektuar janë gjahtarët e paregjistruar të cilët e zhvillojnë ilegalisht aktivitetin. Sipas tyre zgjatja e moratoriumit do të kënaqte vetëm ata gjahtarë që nuk pyesin për ligjet e vendit, ndërsa thonë se gjuetia vijon në disa grykëderdhje të rëndësishme.

Gjuetia dhe moratoriumi

Shqipëria renditet ndër vendet e pakta në Europë të cilat kanë ndaluar tërësisht gjuetinë. Ndonëse në vendet evropiane është e zhvilluar gjuetia, por nën mbikëqyrjen strikte të institucioneve shtetërore, në vendin tonë për shkak të moratoriumit të gjuetisë ai është ndaluar tërësisht.

Janë miliona euro të cilat momentalisht nuk qarkullojnë në vendin tonë vetëm për shkak të këtij moratoriumi. Për shkak të mosmbledhjes së Tarifës së Gjuetisë që është 2000 lek/vit për çdo gjuetar, d.m.th. buxhetit i janë hequr 260 milionë lekë /vit (të reja).

Pra, do të mblidheshin plot 260 milionë më shumë për sektorin e gjuetisë. Po kështu janë dëmtuar nga ana ekonomike edhe shoqatat e gjuetarëve, të cilat vetëm fondin e kuotave kanë si burim financiar. Faktor përcaktues ka qenë dhe është mungesa e plotë e investimeve në ruajtjen dhe rigjenerimin e sektorit të gjuetisë.

Një nga arsyet kryesore të ndalimit të gjuetisë duket se është mungesa e kapaciteteve të institucioneve shtetërore për të kontrolluar gjuetinë e paligjshme. Përderisa gjuetia e peshkut klasifikohet si vepër penale, edhe gjuetia e paligjshme do të duhej të klasifikohej si vepër penale, me qëllimin për t’i hapur rrugën Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë për të bërë ndjekjen penale, por njëkohësisht edhe ndikimin pozitiv që ka si vepër të paligjshme, kriminale dhe me shumë anë negative në Republikën e Shqipërisë.

Një tjetër problem i rëndësishëm është për të ndaluar gjuetinë e paligjshme me imitues, natën, jashtë sezonit të gjuetisë.

Kualifikimi i gjahtarëve

Problem shqetësues, duke marrë eksperiencë nga shumë shtete të botës, është fakti që një anëtar i Shoqatës së Gjuetisë, cili mund të jetë edhe gjuetar, duhet të kualifikohet, ashtu si ndodh me patentat.

Por në mjaft raste, praktika në vendin tonë ka sjellë që arma e gjuetisë është përdorur si armë krimi. Në shumë vende të Europës gjuetari, përpara se të pajiset me armën e gjuetisë, duhet të kualifikohet.

Në këto kurse qëllimi kryesor është njohja me armët, por edhe njohja e faunës në Republikën e Shqipërisë. Grupet e interesit shprehen se nëse do të bëhej inventarizimi dhe klasifikimi i armëve të gjuetisë, gjuetia e rregullt nuk do të duhej që të ndalohej nga institucionet shtetërore. Kudo në Europë, klasifikimi i armëve duhet të bëhet sipas përdorimit të armës: armë gjuetie, armë trofe dhe armë për përdorim të përditshëm.

Tarifat

Të pasionuarit pas gjuetisë shprehen të gatshëm për të rritur edhe tarifat, por që shteti të heqë moratoriumin për gjuetinë. Ata kërkojnë që Shoqata e Gjuetarëve duhet të jetë pjesë e vendimmarrjeve për problemet e gjuetisë.

Deri më sot, tek të gjitha institucionet që japin lejet e gjuetisë, shoqata e gjuetarëve është e përjashtuar. Pra, meqenëse është palë interesi dhe pala me e afërt e gjuetisë, në çdo aktivitet dhe në çdo veprimtari që kanë lidhje me gjuetinë, shoqatat e gjuetarëve duhet të jenë vendimmarrëse për aq pjesë sa i takon, siç ka qenë historikisht dhe siç e ka e gjithë bota.

Për të lehtësuar punën e saj si pasojë e paaftësisë së institucioneve për të kontrolluar territorin, duket se shteti ka zgjedhur moratoriumin për mbylljen e gjuetisë në vend të disiplinimit të tij, siç bëhet në shumë vende evropiane.

Gjahtarët kërkojnë që federata sportive të mos zhvillojë aktivitetin e gjuetisë

Pavarësisht se nga njëra anë, qeveria kur mori vendimin për moratoriumin deklaroi se synon kontrollin më të mirë të gjuetisë, në ligjin e miratuar për mbrojtjen e faunës, ajo lejon krijimin e më shumë se një shoqate, duke vështirësuar së tepërmi dhe rregullimin në këtë sektor.

Një problem mbetet edhe organizimi i gjahtarëve. Shteti lejon që si shoqata e gjahtarëve sportistë, ashtu edhe shoqatën e gjahtarëve tradicionalë, të kenë mundësi që të gjuajnë gjahun. Në asnjë vend të botës, ata që janë anëtarë të shoqatave sportive nuk janë njësoj me ata të shoqatave të gjahtarëve. Kjo pasi anëtarët kanë mungesë njohurish në lidhje me llojet e gjahut që ata duhet të gjuajnë dhe për sezonin.

Më shumë shoqatat sportive kanë anëtarë të cilët gjuajnë me pjatelë. Edhe pse pranon faktin se “Shoqatat e gjuetarëve” janë njësitë bazë të organizimit të gjuetarëve për ushtrimin e këtij aktiviteti, lejon formimin e më shumë se një federate gjuetarësh në rang republike dhe më shumë se një shoqatë për një njësi administrative, gjë që është provuar se rrit anarkinë, mungesën e kontrollit dhe shtimin deri në abuzim të subjektivizmit e burokracisë.

Një tjetër mungesë vizioni në gjueti duket se është dhe ruajtja e strukturës tashmë të vjetëruar të rrjetit të drejtorive të shërbimit pyjor mbi bazë rrethi, i cili nga njëra anë nuk përputhet me ndarjen administrative aktuale të vendit, kurse nga ana tjetër, për shkak të ndryshimeve esenciale që ka pësuar sistemi i pronësisë mbi pyjet dhe tokën bujqësore, nuk mund të përfaqësojnë pronarin “shtet” në qeverisjen dhe mbarështimin e “ekonomisë së gjahut”.

Ende, Federatën dhe Shoqatat e Gjuetarëve, të cilat kanë më shumë se 12 mijë anëtarë shteti e konsideron thjesht si OJQ të zakonshme, të cilat kanë për detyrë të vetme të bashkojnë gjuetarët dhe të mbeten në kontradiktë të përhershme me DSHP-të anemike që nuk kanë as mjete dhe as mundësi të qeverisin këtë pasuri të madhe.

Grupet e interesit argumentojnë se ristrukturimi i Federatës dhe shoqatave të gjuetarëve sipas modeleve të simotrave të tyre në vendet perëndimore, duhet të shndërrohen në organizma të rëndësishme të mbrojtjes nga paligjshmëria, mbarështimit dhe administrimit të ekonomisë së gjahut dhe aktivitetit të gjuetisë nën kontrollin e shtetit, nëpërmjet një sistemi rregullash llogaridhënëse të sanksionuara me ligj.

Ministria e Sportit kur është pyetur në lidhje me faktin nëse ka një vend tjetër që ministria e Sportit të ketë edhe gjuetinë. Burimet zyrtare dhanë një përgjigje të përgjithshme duke thënë se edhe gjahtarët kanë të drejtë për të pasur federatë, pavarësisht faktit se nuk marrin pjesë në ndonjë aktivitet. Ajo që nuk thuhet është fakti se a duhet anëtarët e federatës që të zhvillojnë gjuetinë…

Share This Article
4 Comments
  • Une kam gjuajtur ne Shqiperi dhe gjuaj dhe ketu ne Shtetet e Bashkuara.
    Problemi i gjuetise ne Shqiperi eshte shume me kompleks se sa cflitet ne shkrimin tuaj (mos ma merr per polemike se edhe shkrimin tuaj nuk e kam lexuar me shume kujdes)

    E para sepse gjithkca gjuhet nuk eshte pasuri vetem e gjuetareve te cilet cirren e ankohen por eshte pasuri e te gjitheve (dhe “te gjithet” sigurisht qe jane me shume se gjuetaret)

    E dyta shumica e te ashtuquajturve gjuetare jane krejtesisht injorante ose ne raporte totalisht disrespekti me ligjin

    E treta nuk ka nje dokument baze ne forme broshure i shoqeruar me foto te llojeve te gjahut, i cili te beje te qarte menyrat ligjore te gjuetise, sezonet, kur hapen e mbyllen, limitin se sa duhet te vrasesh ne dite ose gjate nje sezoni (te ndryshem per zona te ndryshme) si dhe te pershkruaje matematikisht qarte penalitetet ligjore ne rast kundravajtjesh

    E katerta e ardhura nga taksa e gjuetise ( dhe ne kete pike mbase jam gabim por po gjykoj sipas rregullave te ketueshme) nuk shkon si e ardhur ne buxhetin e shtetit por perdoret nga shoqata e gjuetareve per pagesat dhe aktivitetet e saj si dhe per te shtuar faunen e eger Sigurisht qe duhet te taksohet nga shteti si cdo aktivitet tjeter. Prej ketej del dhe rroga e Z. Perri me te tjere.

    Si gjuetar, si dashamires i vendit tim kam qene dhe jam shume i kenaqur me moratoriumin
    Gjuetia ishte kthyer ne nje menyre cfarosje te pashpirt. Vetem ne televizionet shqiptare mund te shikoje njerez qe nxirrnin ne pazar grumbuj patash te egra te vrara, grumbuj shkurtezash etj..Vetem ne Shqiperi gjeje njerez qe helmonin liqene, lumenj, perrej bile dhe detin duke shkaterruar keshtu gjithe zinxhirin ekologjik per te kapur ca peshk te helmuar te cilin jau shisnin njerezve te uritur ose restoranteve. Zona te tera u kthyen ne shkretetire. U prene pyjet u vrane te gjithe lepujt te gjithe zogjte u zhduken te gjitha llojet e gjallesave si ne asnje vend tjeter te botes dhe gjate kesaj Z.Perry vazhdonte te ishte ne te njejten detyre si edhe sot. Nqse gjera te tilla do te ndodhnin ketu (gje qe as qe mund te imagjinohet) te garantoj qe do te ngriheshin te llahtarisur njeheresh ne kembe te gjalle e te vdekur dhe e gjithe Amerika do te shkundej dhe ligji do te vepronte ne menyre te tmerreshme.

    Nuk po i bie me gjate dhe e fundit qe do te tregoj ishte qe ne lajmet e sotme te mengjezit ne televizionet e Amerikes krahas ngjarjeve te medha qe perbejne lajm ishte dhe nje lajm qe zjarrefikesit shpetuan ne Mount Vernon11 rika sic i themi ne shqip zogjve te roses (Baby Ducks,Ducklings)
    (See: http://www.komonews.com/news/local/Firefighter-11-ducklings-saved-from-certain-peril-in-Mount-Vernon-258945941.html)
    Dhe kjo ndodh ne Amerike ku jetojne miliona rosa te egra, ndodh ne kete vend ku trafiku ndalon per te lejuar kalimin e rosave dhe patave te egra qe ecin neper rruge…

    ..dhe une them se te gjithe duhet te mendohemi pak me shume…

  • Gjuetarët janë kriminelë! Aq më tepër tek ne në Shqipëri, ku nuk ka ligj.Po qe se ka të tillë që gjuajnë ilegalisht, të rrasen në burg! Ndalimi (moratoriumi ) duhet të vazhdojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *