Thesari i muzikës shqiptare nëpërmjet Rona Nishliut

redaktor

Ajo është një këngëtare me një stil të veçantë e cila tashmë ka kapërcyer jo vetëm shijen mbarëkombëtare. E prezantuar para disa viteve në Eurosong, ajo vazhdon të mbetet e preferuara e shumë këngëtarëve të rinj, të cilët provojnë të matin veten me fuqinë e këngës “Suus”. Rona Nishliu e cila është në përgatitje të albumit të fundit “Me motivet tona”, në këtë intervistë ka treguar edhe për thellësinë e këtij albumi që tashmë po mbështetet nga dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe Kosovës. Rona ka folur edhe për prezantimin e saj në vitin e kaluar në Beograd, sikurse që ka folur edhe për prezantimin në familjen mbretërore shqiptare, që sipas saj, ky projekt i fundit do të vazhdojë edhe në vitet në vijim.

-Kanë kaluar disa vite nga pjesëmarrja e juaj në Evrovizion, dhe këngët e këtij festivali rrallë ndodh që të ngelen të për shumë kohë nga audienca, kënga “Suus”, po vazhdon të ketë një depërtim ndryshe. Si ndihesh për këtë fakt?

Po kjo po ndodh dhe po më vjen shumë mirë që kjo këngë vazhdon të jetojë me dëgjuesin, uroj të jetojë sa më gjatë.

-Përpos që po vazhdon të mbetet në listën e 20 këngëve më të pëlqyera në faqen zyrtare të Eurovizionit, po ndodhë që edhe në gara të ndryshme të muzikës evropiane të përzgjidhet pikërisht kjo këngë, e patët menduar fillimisht këtë qëndrueshmëri të kësaj kënge?

Shumë shpesh konkurrentë të formateve të ndryshme për zbulimin e talenteve apo familjarë të tyre më dërgojnë linqe ku vërej se ata interpretojnë këngën Suus. Më vjen mirë që përveç se në formate të tilla në Shqipëri, Suus është kënduar dhe në talent show në botë. Kënga ka shëtitur mjaft dhe më vjen mirë që është kënduar shqip, madje dhe në vendet që mua nuk do të ma merrte mendja kurrë!

-Ju vlerësoheni për një stil ndryshe, nga muzika që ofrohet në Kosovë dhe Shqipëri, fillimisht prej vokalit e më pas edhe në ndërtimin e imazhit, stil që mund të vlerësohet se ka një audiencë të kufizuar, apo të një audience me një shije më të sofistikuar. Si ndihesh brenda këtij përkufizimi?

Nuk e ndjej veten brenda asnjë përkufizimi.

-Dhe, pikërisht një stil më ndryshe, në fundvitin e shkuar ju ishit e ftuar në shumë organizime nga njerëz të rëndësishëm, çfarë ndjesie është që të ftoheni nga Princi Leka, ku ju performuat në rezidencën e tij, më pas, edhe në ballon presidenciale keni marrë pjesë, ballo që ishte organizuar nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, një ndjesi e bukur, besoj?

1610912_10152692564037447_2313156372994018227_nIshte bukur që Biblioteka e Rezidencës së Familjes Mbretërore Shqiptare hapi dyert për koncertin tim, u ndjeva e privilegjuar, aq më tepër duke ditur që me këtë rast kemi nisur një aktivitetet të përvitshëm. Koncerti i Odës Shqiptare do të jetë një bashkëorganizim i Fondacionit ‘Rona Nishliu’ dhe rezidencës së familjes mbretërore shqiptare, që do të ndodhë çdo fundvit dhe kjo për të theksuar vlerat më të mira të kulturës muzikore të kombit shqiptar. Gjithashtu edhe pjesëmarrja në Ballon Presidenciale, organizuar me qëllim humanitar për mbledhjen e fondeve si ndihmë për fëmijët me leuçemi, ishte një ftesë tjetër e veçante gjatë vitit 2014.

-Po pikërisht në vitin e shkuar ju kënduat edhe para një audience në Beograd. Nëse do të bëje një krahasim me kohën kur rrethanat në raport me Serbinë ishin ndryshe, dhe pikërisht me koncertin që realizuat atje, çfarë përzierje të emocioneve në fakt keni pasur?

Arti im është për të gjithë, pa dallim! Megjithatë ky rast nuk mund të them që ka qenë i thjeshtë. Përjetimet për vendimet e ndryshme mendoj që duhet të mbesin personale.

-Ju po vazhdoni të mbeteni këngëtarja më e suksesshme në Eurosong, sa i përket përfaqësimit të Shqipërisë në këtë organizim, në të vërtetë, çfarë mendoni për këtë?

Në fakt nuk mendoj fare për këtë pjesë. Është diçka që ka mbaruar. Sot po punoj për projektin e ri, të cilin do ta publikoj shumë shpejt.

-Ndalemi pikërisht te ky projekt. Albumi “Me motivet tona”, është projekt që është mbështetur nga dy qeveritë, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, çfarë pritet nga ky album?

Ky album është rezultat i një pune hulumtuese dhe krijuese disa vjeçare. Brumi i përmbajtjes muzikore janë këngë të bukura shqipe të risjella në kombinim me muzikën free jazz dhe elemente të trip-hop e soul, të cilave ju bashkohet dhe krijimi im origjinal, kënga “Me Motive Tonat” përmes së cilës titullohet albumi.

-Sipas asaj çfarë thatë më lart, dëgjuesit mund të presin një prezantim të thesareve të muzikës shqiptare?

Pikërisht, qëllimi i projektit “Me Motive Tonat” është prezantimi i thesareve të muzikës shqiptare tradicionale në versione të transformuara. Transformimi është përkufizimi i këtij projekti, qoftë në kontekstin e përmbajtjes muzikore apo të formacionit muzikor që performon materialin. Unë jam një nga ata fëmijë që janë rritur dhe kanë jetuar me dëshirën dhe idealin e lirisë. Kam përshtypjen se dëshira për të qenë e lirë në çdo dimension më jep guximin të eksperimentoj në punën time krijuese, në rastin konkret me thesaret e muzikës së vjetër. Uroj që ky projekt të shërbej për rivlerësimin e kësaj trashëgimie të vlefshme shpirtërore dhe pozicionimin më të mirë të këtyre thesareve brenda dhe jashtë vendit.

Share This Article
6 Comments
  • Rona Nishliu ka ditur te dallohet jo vetem per talentin e saj te padiskutueshem, por the per perkushtimin e saj tek cilesia dhe tek degjuesi, para muzikes tallava qe mund ti kisht esjelle me teper perfitime financiare.
    Me teper se nje kengetare e shikoj si shembull per te rinjte.

  • Per mua kjo eshte nje kengetare e dale nga fiqiri.Britmat saj ne kengen qe perfaqesoi Shqiperine ne Eurovizion,u ndjeva e fyer nga piskamat-uleritese te asaj mender kenge.

  • Lors,demi and co,
    Kjo nuk di per njerezet qe kane mesuar veshet me tallava,per musikanete e vertet kjo eshte n1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *