“Tragjedia më e madhe që mund të pësojë njeriu është kur nuk arrin të njohë kurrë veten”/James Carlos Blake
Prej disa javësh është hapur një debat publik rreth shkaqeve dhe fajeve pse shqiptarët vazhdojnë të ikin nga vendi i tyre edhe sot, pas njëzet e pesë viteve nga rënia e regjimit komunist. Si gjithnjë dhe për gjithçka, palët ndahen në gjykimet e tyre sipas përkatësive, simpative dhe shërbimeve politike. Ajo që bie në sy, dhe bie në sy për keq, është fakti se thuajse askush nuk sheh faj tek vetja e tij, as tek vetja individuale dhe as tek vetja kolektive. Gjithnjë fajin e ka tjetri e sidomos e shkuara. E shkuara e afërt dhe ajo e largët.
Mirëpo, pyetja kryesore mbetet: Cili është shkaku/shkaqet që, përditë e më shumë, ua tëhuajnë shqiptarëve vendin e tyre dhe cilët janë personat përgjegjës për vazhdimin pa mbarim të gjendjes dëshpëruese të shumicës së shqiptarëve? Po të pyesësh politikanët aktualë ata, përgjithësisht, e drejtojnë gishtin tek pala kundërshtare dhe të gjithë së bashku tek e kaluara. Kjo (tek e kaluara) është një e vërtetë, por është një e vërtetë e pjesshme. E vërteta e plotë është më e madhe dhe më gjithëpërfshirëse. Është gjithëpërfshirëse në kohë dhe në hapësirë.
Disa individë politikë dhe disa analistë u përpoqën të na bindin se ky fenomen nuk përbën ndonjë shqetësim të madh dhe, madje, duhet konsideruar normal pasi kështu ka ndodhur edhe në vendet e tjera dhe është shprehje e lirisë së lëvizjes. Mendoj se ky gjykim nuk është as i plotë dhe as i saktë. Qysh nga korriku 1990 ky fenomen nuk ka pasur të ndalur dhe, madje, as tempi i largimeve të shqiptarëve nga vendi i tyre nuk ka rënë aspak. Sipas të dhënave të INSTAT-it çdo vit e lënë Shqipërinë 40-50 mijë vetë në kërkim të një jetese më të mirë, kryesisht në vendet perëndimore. Dhe, ky largim nuk ka ndodhur këtë vit dhe as vetëm dy vitet e fundit, por edhe gjatë qeverisjeve të para e të dyta të “Babës” së “bollëkut” dhe gjatë qeverisjeve të mëparshme të të majtëve. Dallimi i këtyre largimeve nga ato të vitit 1991 është si dallimi midis një tenxhereje me presion pa valvul shkarkimi që i shpërthen kapaku nga presioni dhe bën zhurmë (largimet e lemerishme dhe të zhurmshme të 1991-1992) dhe një tenxhereje e cila e nxjerr avullin nga pak dhe vazhdimisht nëpërmjet valvulave shkarkuese (largimet e pas viteve 1992 e deri sot).
Bazuar në ato të dhëna të përafërta të botuara deri tani, mund të hamendësojmë se nga viti 1990 e deri sot janë larguar nga Shqipëria mbi dy milionë shqiptarë ose 40% e popullsisë. Kjo shifër, jo vetëm që është më e madhe se ajo e vendeve të tjera por është edhe tregues i, të paktën, dy gjërave negative.
E para, kjo rrezikon një lloj shkombëtarizimi (e parë në perspektivë) dhe, së dyti, është tregues i faktit se ecuria e zhvillimeve politike dhe ekonomike gjatë këtyre 25 viteve ka qenë shumë larg asaj që pritej.
Gjykimi për gjendjen e sotme është i ndryshëm tek njerëz të ndryshëm dhe kjo varet nga niveli kulturor dhe ekonomik i individëve që ikin dhe nga pritshmëritë e tyre për periudhën pas 1990. Po të pyesësh shumë fshatarë të zonave të thella, të cilëve iu mungojnë shërbimet e duhura mjekësore, arsimore dhe, jo rrallë, edhe energjia elektrike apo rruga (të cilat dikur i kanë pasur) ata të përgjigjen pa ngurim se “Kemi qenë më mirë para 30 vitesh se sot”. Për të gjithë ata që gjatë këtij njëçerek shekulli janë pasuruar (sidomos të pasuruarit në rrugë kriminale) e sotmja është një parajsë e vërtetë. Kam parë në TV një “personalitet” faqekuq dhe qafëdem, të veshur me një kostum mbi dy mijë eurosh, që tha se “Këto njëzet vjet kemi ecur dyqind vjet përpara”. Dhe kjo është e vërtetë. Është e vërtetë, por vetëm nëse ndryshimet i masim me xhepin e tij dhe jo me kriteret që i mat gjithë bota. Më vonë mora vesh se personi në fjalë merrte rroga të majme në katër vende, midis të cilave edhe në njërin nga universitetet private që shet diploma si kartolinat për Vitin të Ri dhe një rrogë tjetër si anëtar i Bordit Drejtues të Bankës Kombëtare, të asaj bankës ku u vodhën shtatë milion dollarë në saje të mbikëqyrjes të saktë që i bënte bordi, anëtar i të cilit ishte zotëria në fjalë.
E vërteta është se, gjykuar në përgjithësi, Shqipëria e sotme është shumë më përpara Shqipërisë së viteve ’90 në disa drejtime të rëndësishme. Është fakt se nuk ka më të dënuar politikë nëpër burgje, se në treg gjen thuajse çdo gjë dhe se liritë e fjalës dhe të lëvizjes janë shumë më të avancuara. Ky progres është pjesë e dialektikës së zhvillimit shoqëror dhe duhet vlerësuar. Nga ana tjetër, në disa aspekte të tjera shoqërore, ose nuk ka progres ose janë bërë hapa mbrapa. Humanizmi dhe morali në shërbimet mjekësore, arsimore dhe në sistemin e drejtësisë janë në gjendje të vajtueshme. Diferencat pasurore midis një pakice (shumë prej tyre hajdutë) dhe pjesës tjetër të popullsisë janë alarmante. Janë alarmante jo në vetvete por sepse kjo kastë të pasurish, në shumicën dërrmuese, nuk përfaqëson as elitën kulturore- shkencore dhe aq më pak elitën morale. Morali i një sistemi politik duket më qartë se askund tjetër në faktin se cilat kategori shoqërore, kulturore dhe morale ka favorizuar dhe favorizon. Një element tjetër i dukshëm regresiv është edhe përbërja parlamentit të sotëm shqiptar, veçanërisht për sa i përket nivelit kulturor, krahasuar me atë të vitit 1991, një parlament ku dallohet qartë prania e një numri jo të vogël “gomarësh me samarë të florinjtë”, siç do t’i quante Fan Noli.
Në jo pak raste dëgjohen shprehje aspak të denja si “Ky vend nuk bëhet… Ky vend ka mbaruar… Jemi të mallkuar…” etj. Më së shumti, këto shprehje thuhen nga pjesa më e pakulturuar e shoqërisë shqiptare por, në jo pak raste, edhe nga njerëz që kanë kaluar një kohë të gjatë nëpër aulat e dijes. Më e theksuar është kjo lëngatë tek fanatikët partiakë, të cilët, kur partia e tyre është në pushtet, ose janë optimistë ekstremë, ose justifikues të çdo marrëzie qeverisëse dhe, kur partia e tyre bie nga “kali”, ata nisin vajtimet dhe bëjnë orakullin e të keqes.
Po, çfarë do të thotë të bëhet Shqipëria?
Të gjithë ata shqiptarë që për 25 vjet, kanë propaganduar dhe të gjithë ata shqiptarë që kanë besuar se Shqipëria mund të bëhet “një Zvicër e dytë” jetojnë në një botë sureale. Të parët janë, më së shumti, mashtrues politikë ndërsa të dytët janë, kryesisht, individë injorantë që nuk kanë kurrfarë njohurish mbi historinë e zhvillimit të popujve dhe kombeve të tjera, e, madje, as të popullit shqiptar. Shqipëria ka qenë historikisht më e prapambetura e Evropës dhe nuk ka asnjë gjasë apo mundësi të bëhet si Zvicra as pas shumë dhjetëvjeçarësh.
Në fund të fundit shtrohet pyetja: Pse duhet që Shqipëria të bëhet si Zvicra, Anglia, Franca apo Suedia që të konsiderohet një vend normal, i banueshëm dhe jo i braktisshëm nga shqiptarët? Ajo që duhet të pretendojmë, të kërkojmë dhe të përpiqemi të arrijmë është një Shqipëri normale, me një ekonomi më të përparuar dhe të qëndrueshme, me institucione shtetërore dinjitoze dhe infrastrukturë bashkëkohore.
Çfarë ua bën shqiptarëve vendin e tyre të pabanueshëm dhe i shtyn ata, ende sot, ta braktisin atë? Shumica e shqiptarëve mendojnë se është faji i politikanëve dhe veten e tyre dhe pjesën tjetër të strukturave shoqërore dhe shtetërore i lënë duarjashtë. E vërteta e përgjegjësisë është më përfshirëse. Nuk ka asnjë dyshim se politika dhe politikanët janë përgjegjësit kryesorë, por jo të vetmit. Në përgjegjësinë e politikanëve është edhe përgjegjësia jonë pasi ata, jo vetëm janë biologjikisht dhe shoqërisht pjesë e jona por jemi ne ata që, me mentalitetin tonë fisnor, krahinor e patriarkal dhe me fanatizmin tonë politik, ideologjik dhe historik, i kemi përkrahur, frymëzuar dhe mbrojtur edhe kur kanë bërë gabime dhe kur kanë bërë faje deri nga ato që ligji i cilëson krime. Për sa kohë do të vazhdojmë të gjykojmë me pasione nuk do të arrijmë të kemi as politikë racionale dhe as Shqipërinë që na këshillon arsyeja.
Shqiptarit ia neverit qëndrimin në vendlindje edhe ai mjeku imoral që cilësinë e shërbimeve e kryen në raport me sasinë e parave që i ofron pacienti dhe jo sipas kritereve profesionale dhe parimeve humane. Shqiptari vendos të bëhet endacak edhe kur ndesh në lukuninë e gjyqtarëve, shëmbëlltyra të kadilerëve osmanë kur perandoria po jepte shpirt, të cilët e kanë vendin në Spaç e Burrel, jo (si dikur) për agjitacion e propagandë, por për grabitjen e shqiptarëve me thes e me çantë. Jeta e shqiptarit bëhet e padurueshme edhe kur sheh që qeveritari i radhës iu shpërndan me ceremoni dokumente pronësie atyre që kanë grabitur tokat e huaja ndërsa pronarët realë sillen prej dy dhjetëvjeçarësh nëpër dyert e gjykatave duke paguar “gjoba” marramendëse për të marrë atë që iu takon, apo kur presin pafund për të kryer veprimet përkatëse në ZRPP-të e vendit dhe nuk arrijnë të marrin dokumentet që ua njeh ligji, pa dhënë ryshfete.
Pamundësia për të gjetur punë, por edhe tallja dhe poshtërimi që iu bëjnë të punësuarve bizneset vendas dhe të huaj duke iu dhënë paga të papërfillshme apo duke mos i paguar për muaj të tërë janë faktorë negativë që i shtyjnë shqiptarët drejt emigrimit. Shtoji kësaj edhe rritjet e taksave (të cilat, pavarësisht se iu shtohen të pasurve, janë shtresat e mesme dhe të ulëta që i paguajnë), si dhe vjedhjet e fondeve shtetërore (çdo vit administratat shtetërore, qendrore dhe lokale, shkaktojnë dhjetëra milion euro dëmtime, shpërdorime dhe përvetësime), të cilat i nxit mosndëshkimi i fajtorëve, atëherë dëshpërimi popullor doemos që thellohet. Një faktor tjetër që e bën popullin e thjeshtë të ndihet i huaj në vendin e tij, ka qenë dhe mbetet tensioni i panevojshëm, i pamoralshëm dhe i dëmshëm politik që ka shkaktuar dhe shkakton lufta e paparimtë për pushtet, tension që e ka mbajtur dhe e mban njeriun e ndershëm në pasiguri, në frustrim dhe zhgënjim të vazhdueshëm.
Një padrejtësi tjetër e madhe që iu është bërë dhe iu bëhet shqiptarëve, pavarësisht shumicave parlamentare dhe qeverisëse, është fakti se shteti shqiptar, me kokëfortësi dhe padrejtësi, pasi i shpronëson shtetasit e vet për nevoja publike i dëmshpërblen ata me çmime aspak të drejta. Ndërsa supozohet që shteti të jetë subjekt i barabartë me qytetarët në marrëdhëniet civile të pronës, ai (shteti) ua merr pronat shtetasve të vet dhe i paguan me çmimin që do ai dhe jo me çmimin e tregut. Kjo praktikë duhet ndryshuar juridikisht dhe të mbikëqyret me rreptësi që ligji të zbatohet. Përndryshe, kjo është një grabitje e kamufluar që shteti iu bën shtetasve të tij.
Një tregues tjetër i moralit të kalbur të shoqërisë sonë dhe të sistemit politik që kemi ngritur është edhe “institucioni i sekserëve”, një institucion i palegjitimuar por i kudondodhur, kryekëput kriminal dhe shoqërisht i rrezikshëm. Në çdo qytet apo qark lëvrijnë individë pa din e iman, “të mirësjellshëm” dhe të gatshëm të bëjnë ndërmjetësin tek polici, prokurori, gjyqtari, mjeku, zyrtari i taksave apo i pronave apo tek zyrat e punës dhe zyrat e tjera shtetërore. Ata marrin përsipër zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, sidomos kur qytetari kërkon një të drejtë që s’i takon me ligj. Përgjithësisht, këta janë individët më negativë të shoqërisë që kërkojnë dhe marrin para të cilat i ndajnë me zyrtarët e shtetit, por shpesh i mbajnë gjithë paratë për vete dhe u nxijnë jetën shtetasve nevojtarë.
Të gjitha kategoritë e personave të lartpërmendur janë pjesë e jona dhe, me gjithë ndryshimet e herëpashershme të administratave shtetërore, gjendja ka ndryshuar fare pak. Në këta njëqind vjet shtet shqiptar ne kemi provuar republikën, monarkinë, “diktaturën e proletariatit”, diktaturën e rrugës, kapitalizmin liberal, kemi ndërruar parti dhe politikanë në drejtim dhe përsëri gjendemi këtu ku jemi. A mos ka ardhur koha që secili prej nesh dhe të gjithë së bashku t’i hedhim një vështrim vetes tonë dhe të marrim në shpinë nga një thes me faje, madhësia dhe pesha e të cilit të jenë në përpjesëtim të drejtë me vendin që kemi pasur apo kemi në shoqërinë shqiptare?
Ta duash Shqipërinë “si gjithë Evropa” nuk është mëkat por gjithë çështja është ta meritosh atë. Asnjë djalë nuk bën mëkat pse ëndërron të martohet me një vajzë të bukur, të ditur e fisnike, por të paktë janë ata djem që e meritojnë një të tillë. A e meritojnë “Shqipërinë Evropiane” gjithë kategoritë e individëve të lartpërmendur të cilët, me sjelljet dhe veprimet e tyre, ua kanë bërë shqiptarëve jetën të padurueshme në vendin e tyre? A e meritojnë një Shqipëri të tillë të gjithë ata politikanë shqiptarë që e kanë çuar vendin e tyre në kriza, kaos e deri në buzë të greminës sa herë i ka zënë histeria e pushtetit; që kanë falsifikuar, vjedhur dhe dhunuar zgjedhje politike ditën për diell, në sytë tanë dhe nën vëzhgimin e të huajve; që kanë lejuar dhe, madje, nxitur katrahurën urbanistike, ligjore dhe institucionale? A e kemi pyetur veten tonë ndonjëherë se përse jemi i vetmi popull në Evropë që ndërrimin e negociuar të sistemit politik e shoqëruam, pa kurrfarë nevoje dhe pa kurrfarë përgjegjësie kombëtare dhe dashurie atdhetare, me djegie, vjedhje, shkatërrime, zaptime tokash e banesash, ndërtime pa leje dhe pa plane urbanistike, që kemi shkatërruar mijëra hektarë vreshta dhe pemë frutore, kemi grabitur miniera dhe fabrika e kombinate, që kemi sulmuar e grabitur reparte dhe depo ushtarake apo djegur komisariate policie dhe, më në fund, që kemi hedhur dhe vazhdojmë t’i hedhim plehrat rrugëve, shesheve dhe bregdeteve e nëpër lumenj dhe liqene?
A tregojnë të gjitha sa thashë më sipër ndjenjë atdhedashurie dhe etje për qytetërim, apo të kundërtat e tyre? A të lejon arsyeja të besosh se Shqipëria mund të ndryshojë si duhet dhe të jetë ku duhet pa ndryshuar vetë shqiptarët? E si mund të bëhet Shqipëria që duhet pa u bërë ne si duhet? A duhet ta bëjmë ne Shqipërinë apo Shqipëria ne? Kushdo që beson se Shqipëria mund të bëhet një vend modern, por me banorë me mentalitet mesjetar gënjen veten. Me të drejtë, dikush mund të thotë se nuk janë gjithë shqiptarët të tillë. Kjo është e vërtetë. Shqipëria ka pasur dhe ka me mijëra familje dhe individë të kulturuar, arsimdashës, ligjdashës, atdhedashës dhe moraldashës. Por kjo nuk mjafton. Duhet që kjo kategori shoqërore të dominojë, jo vetëm në administratat politike dhe jopolitike, por të bëhet promotore e mendimit shkencor, arsimor, mediatik etj. dhe të mos struket, siç është strukur deri tani nën trusninë e llumit shoqëror, një llum i veshur modern dhe i vetëreklamuar si e ardhmja e Shqipërisë.
Idetë e shprehura se shkaku i ngadalësisë tonë ka qenë mungesa e burrave të shtetit, me gjithë qëllimet e mira që mund të kenë, më duken të pasakta. Cilido burrë shteti që drejton dhe vepron në një shoqëri të kalbur moralisht dhe pa pikë idealizmi është i destinuar të dështojë pasi ai i ngjan atij shoferit të autobusit i cili, sado i zoti qoftë, nuk mbërrin dot për ku është nisur përderisa transporton pasagjerë, të cilët s’lënë gjë pa bërë për t’i marrë timonin ose për ta çuar autobusin në rrugicat dhe sheshet e lagjeve, katundeve apo krahinave të tyre dhe jo në kryeqendrën e vendit.
Një zhgënjim jo të vogël përbën edhe roli i të huajve në hapat e hedhur nga ne gjatë këtyre 25 viteve. Madje, në dështimet tona kanë rolin e tyre edhe kancelaritë perëndimore. Ndjekja e politikave “tërhiq e mos këput”, dhënia e këshillave dhe bërja e vërejtjeve në përgjithësi, trajtimi njëlloj si i kriminelit ashtu edhe i viktimës, si i dhunuesit ashtu edhe të dhunuarit, ndërhyrjet për mosdënimin e autorëve të krimeve politike, asistimi në dhunimet e proceseve të votimit dhe heshtja apo, akoma më keq etiketimet si “burrë shteti” të kriminelëve politikë apo “yje në ngjitje” të politikanëve që i kanë shkaktuar qindra milion euro dëme popullit të varfër shqiptar etj., janë dëshmi e faktit se për ta ka pasur më shumë rëndësi (siç e pati pohuar vjet edhe z. Shtefan Fyle) stabiliteti politik sesa përparimet demokratike. Por, të sakrifikosh parimet demokratike për hir të stabilitetit politik që rrezikohet nga dhunuesit e këtyre parimeve dhe, nga ana tjetër, të zgjatësh pambarimisht pranimin e Shqipërisë në BE, do të thotë të sillesh dhe të punosh me dy standarde me shqiptarët. Nëse zyrtarët e lartë evropianë presin ta pranojnë Shqipërinë në Federatën Evropiane (BE) kur ajo të ketë arritur nivelet ekonomike, politike dhe sociale të vendeve themeluese të këtij shteti, atëherë vetë shqiptarët do të refuzojnë pjesëmarrjen pasi nuk do ta ndiejnë të nevojshme dhe, ndoshta, vetë ky organizëm politik nuk do të ekzistojë deri atëherë.
Personalisht besoj se, ndonëse ngadalë, Shqipëria do të bëhet “për inat të shqiptarëve” por jo për inat të të gjithë shqiptarëve por për inat dhe në luftë me të gjithë ata individë që përmenda më sipër dhe që janë gurë në këpucët “sportive” që ka mbathur Shqipëria në vrapimin e saj drejt modernizimit.

Mirmengjesi staf i Dites.
Mirmengjesi lexues te nderuar te Dites.
Shqiperin nuk na e neveriti as nuk mundet dot te na neveris as nje fuqi ndofta as fuqia natyrore.
Por na bëri te veshtir jeten politika dhe skifteret e saj qe grabisin çdo dite ore e minut pasurit tona kombetare madje po na thithin gjakun me shiringe vetet e vetem te fuqizojne kalane e tyre sunduese. Mjerë ai popull qe hesht dhe plogeshtohet tu ju ba shtrose politikes. Dielli i shpreses ka rilindur por pasojat e tajfunit Berishjan jane te medha dhe te gjithaneshme. Ndaj doemos kerkohet pune sakrific dhe maturi deri ne kthjelltimin e plot te horizontit. Mjafton te kemi besim tek qeveria dhe mazhoranca qe votuam nuk dote zhgenjehemi. E sigurt qeveria dota mbaj premtimin.
Sa e bukur do te ish shqipnia pa callma e xhamia shum e shum llafazane shohin te tjeret e pune skane se nuk i le minareja qe tek hoxha tek mendreseja o bura tha salija te shtohen shum xhamia,se keshtu e mbaj pushtetin une e europa ma han mune,se keshtu mbahet pushteti qe tek hollet der tek mbreti kakarisin per integrimin qe ti largohen krejt mashtrimit kush ka qen e keshtu mbeti se keshtu e desh serveti sa me shum kisha e krishterim aq me shum civilizim keshtu kerkon europa qe te behet e gjith bota!
Duhet te ndryshojme qasjen ndaj BE per te qene me te pavarur ne qeverisjen e ketij vendi. Duhet bere drejtesi per te kaluaren pavaresisht kostos ne integrim (lobet sllavo-greke ne BE me siguri do e paraqesin si totalitarizem). Izraeli, Norvegjia, Islanda, Afrika e Jugut, mbare Amerika etj nuk jane BE dhe shteti eshte normal dhe qytetari shijon demokracine ndaj ashtu sikurse ne Angli ka parti qe nisen nga moto – lidhje ekonomike me BE por jo politike, edhe tek ne ka ardhur koha te krijohet nje qasje politike kunder integrimit me cdo cmim ne BE. Prioritare per ne duhet te jete bashkimi me Kosoven dhe me gjere sepse te vegjel perfundojme ne kone qe lepihen sa majtas-djathtas dhe politikanet e korruptuar dhe shitur tek greko-serbi e mbajne kete vend ne stanjacion krize dhe varferie per interesa te caktuara gjeopolitike ne rajon. Dollari nuk ka kombesi dhe nga do te vine investimet, sa kohe i sherbejne jetes se qytetarit, jane te mireseardhura. BE i duhet deshmuar reciprocitet sepse boll gjynahe te se kaluares ka ndaj nesh dhe origjina e gjithe te keqijave per kombin shqiptar ishte coptimi dhe ngjallja e oreksit qe vijon edhe sot e kesaj dite tek greko-serbet ne rajon. Ne planin politik, prioritet absolut duhet te kene marredheniet me SHBA.
Jam dakort me “Preng Pjetrin” cfare ngre ne koment si shqetesim.Dicitura e gazetes mjafte e qelluar.Nuk mund te them se jemi ne udhkryq, kemi kaluar caste edhe me te veshtira ne vendin tone dhe prap jemi ngritur ne kembe dhe perseri keshtu do te ndodh.Kane me shume se 1000 vjet qe nuk na kane hequr dot qafe si kombe dhe zor se do ja dalin.
Ky komb eshte pasuri botrore dhe kurre nuk do zhduket dhe do arrije cfare kerkon, mjafton ta udheheqin drejt.
Dita nje falenderim nga zemra per karikaturistin tuaj fantastik dhe per gjetjet e tij aq te goditura dhe sintetike.
Nje vlere e shtuar per gazeten tuaj, mbajeni fort!