Banorët e Marinzës i rikthehen protestave kundër kompanisë “Bankers” për dy fontanat e fundit, dëmet e shkaktuara, por edhe rrezikun në të ardhmen. Dhe këtë herë protesta është shoqëruar me një gjetje origjinale, ku pasi bllokuan rrugën para ambienteve të shoqërisë naftënxjerrëse, ata zbrazën bidonët me qumësht të bagëtive, duke deklaruar se ai ishte i helmuar nga gazrat që lëshuan fontanat, por edhe nga ushqimi i ndotur i kësaj zone.
Protestë me qumësht
Përveç ajrit të ndotur dhe tokës që vazhdon të shembet, banorët u shprehën se po përballen edhe me refuzimin e produkteve blegtorale. Fabrika që e blinte qumështin e Marinzës për 20 vjet, tani nuk po e blen më. “Shkak është bërë cilësua e bulmetit, pasi është i ndotur nga ushqimi i kontaminuar prej gazit”, thanë protestuesit. Ata hodhën qumështin pranë zyrave të “Bankers Petroleum”, në shenjë proteste për ndotjen e rëndë të shkaktuar në ambient, por edhe në tokë, duke kontaminuar edhe produktet blegtorale. Banorët e zonës deklaruan se tani kanë edhe probleme shëndetësore. “Babai im humbi jetën pikërisht nga karboni në gjak”, tha një tjetër protestues. Kompania nuk dha dje asnjë reagim dhe nuk zhvilloi takim me banorët, ndërsa ekipi i saj mbikëqyrte protestuesit dhe madje stafin e gazetarëve që pasqyronin aktivitetin.
Pasojat e dëmeve
Ka kaluar një muaj nga shpërthimi i dy fontanave në fshatin me 3000 banorë. Më të prekurit janë familjet afër vatrave të dy puseve, që sigurojnë jetën fal blegtorisë dhe bujqësisë. Sipas banorëve produktet e tyre nuk i merr prej vitesh asnjë kompani e përpunimit të qumështit, pasi rezulton i kontaminuar. Më herët kishin protestuar edhe banorët e lagjes “Naftëtari” që kërkonin të dëmshpërbleheshin si pjesa tjetër e fshatit dhe kompania t’u siguronte shpërnguljen. Aktualisht “Bankers” kompenson vetëm një 1 mijë lekë të reja në ditë banorët e 100 familjeve dhe kompensimi i plotë i banorëve ende nuk është bërë nga kompania. Por janë lënë në harresë dëmet në tokat bujqësore dhe banesa. Dje ata u shprehën se protestat e tyre do vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.
