Një grup prej 45 klandestinësh sirianë, që tentonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi, janë ndaluar rreth mesnatës së enjte nga policia, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në Shkodër. Ata udhëtonin në këmbë në ato momente dhe përpiqeshin të gjenin një mjet pasi të kalonin kufirin ilegalisht. Por grupi është hasur nga efektivët dhe menjëherë patrullat kanë bërë ndalimin dhe shoqërimin për në komisariat. Policia po kryen hetime për të zbuluar personat që i kanë ndihmuar të mbërrinin deri në Shkodër. Klandestinët i janë nënshtruar vizitave mjekësore dhe trajtuar me ushqim, në pritje të riatdhesimit.
