Lushnja dhe Tërbuni favoritë për në Superiore

Dita

Sezonin e ardhshëm të Kategorisë Superiore mund t’i bashkohet një emër i ri, pa shumë traditë në futbollin shqiptar, por me shumë ambicie për të ardhmen. Ky është Tërbuni i Pukës, që kryeson Grupin A në kuotën e 62-pikëve dhe që mbetet pretendenti kryesor për ta mbyllur kampionatin në vendin e parë.

Në javën e 25-të pukjanët do të luajnë në shtëpi me Burrelin, në një sfidë ku tre pikët konsiderohen formalitet. Formacioni i Elvis Plorit do të jetë me mendjen të përplasja direkte mes Besëlidhjes dhe Mamurrasit, që janë ndjekësit më të afërt. Në dy javët e fundit pukjanët do të përballen pikërisht me këta dy rivalë, ndaj për ta është shumë e rëndësishme që ta ruajnë dhe pse jo ta thellojnë diferencën, duke shpresuar te një barazim në takimin e Lezhës. Pavarësisht rezultatit që do të prodhojë kjo javë, skuadra që do të ngjitet në Superiore do të përcaktohet në dy javët e fundit, me Tërbunin që do të vizitojë Mamurrasin për ta mbyllur kampionatin më sfidën e shtëpisë me Besëlidhjen.

Në Grupin B, situata është më e thjeshtë. Skuadra që do të luajë në Superiore sezonin e ardhshëm pritet të përcaktohet në përplasjen direkte Lushnja – Bylis në javën e fundit. Renditja aktualisht kryesohet nga Lushnja me tre pikë më shumë se Bylis, që do të thotë se formacioni i Artan Banos, përveç faktorit fushë do të ketë në avantazh edhe diferencën prej tre pikësh. Pra lushnjarëve i intereson edhe një barazim për ta nxjerrë jashtë loje këtë kundërshtar. Para përplasjes në “Roza Haxhiut” mendohet se nuk do të gabojë asnjëra skuadër, ndonëse kalendarin më të vështirë e ka Lushnja që do të luajë me Sopotin brenda dhe me Butrintin në transfertë, ndërsa Bylisi pret Butrintin dhe Naftëtarin.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *