Pogradeci i brezit të shtatë

redaktor

Nuk është më vetëm qyteti. Të menaxhosh bashkinë e Pogradecit, me ndarjen e re administrative do të thotë të kesh të përfshirë territore komunash që nga bregu i liqenit, si Buçimasi, deri tek zona e largët e Mokrës. Kjo tashmë quhet “bashkia e madhe” dhe pretendon ta drejtojë garuesja e mazhorancës së majtë, e caktuar nga LSI-ja, Diana Mile. Një emër që ka qëndruar jashtë personazheve të përfolur më herët si kandidatë, por që mbase pikërisht për këtë arsye ka avantazh. Ja kush është arkitektja Mile.

 

-Caktimi juaj si kandidate e së majtës këto zgjedhje lokale ishte një surprizë për publikun. Po për ju?

Besoj se ka qenë surprizë për mirë. Ndoshta e keni fjalën se janë përmendur edhe kandidatura të tjera. Për aq kohë sa unë përmbush kriteret për të qenë një kandidate, nuk është surprizë… formimi im lidhet shumë mirë me besueshmërinë që pati lidershipi ndaj meje dhe e vlerësoj shumë që më besuan këtë sfidë.

 

-Jeni përfaqësuese e LSI-së këto zgjedhje. Keni patur më herët angazhime politike?

Angazhim si ky që të kandidoj për një bashki, është një përgjegjësi dhe sfidë shumë serioze, por angazhimi im politik ka nisur që me fillimet e LSI dhe gjithnjë kam qenë prezente në mbështetje të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin tim. Kam punuar ne vazhdimësi me komunitetin në këtë prizëm, tashmë merr më tepër vlera ajo çka ju ofron njerëzve në emër të politikës.

 

– Është prezantuar emri juaj si arkitekte nga ministrja Gjoshaj. Kush është Diana Mile, nëse do ta përmblidhnit jetëshkrimin tuaj me disa rreshta…

Diana Mile është një pogradecare. Vij nga një familje e vjetër e qytetit, ku të parët e mi janë pjesë e njerëzve të urtë, të mençur dhe mikpritës të këtij vendi. Jam shkolluar në Universitetin e Tiranës për Arkitekturë dhe mund të them që e dua profesionin tim si arkitekte. Pogradecin e mendoj ashtu si ato projektet e skicuara në letër dhe mezi pres ta realizoj dhe ta finalizoj bukur si një vepër arkitektonike. Ajo që dua t’i jap unë Pogradecit është aktualja… Të ruajmë atë çka na ka falur natyra dhe atë që të parët kanë ndërtuar me mund e djersë, por edhe t’i shtojmë ato që duan të shikojnë të rinjtë e sotëm. E thënë thjesht: “Koha për Pogradecin” dhe dua që të jem projektuese e kësaj motoje.

 

-Jeni përmendur për disa iniciativa me tematike rinore, kulturore e të ruajtjes së trashëgimisë. A mund të na thoni diçka më shumë?

Jam banore e një vendi të mrekullueshëm ku mund të bësh vetëm gjëra të bukura. Me gjëra të bukura nuk e kam fjalën për ndërtesa shumëkatëshe pasi Pogradeci është një qytet i brishtë pasi trashëgon vlera jo vetëm natyrore por edhe kulturore… Tek e fundit edhe njerëzit këtu kanë vlera prandaj unë kam ndërmarrë nisma për t’u kujdesur që ajo pasuri që kemi të ruhet dhe me të të edukohen brezat e rinj. E normale që në këto nisma duhet të ngacmojnë pak dhe të rinjtë, të cilët veç modernes dhe të bukurës të kthejnë kokën mbrapa e të binden që dhe e kaluara e prindërve dhe gjyshërve të tyre ka gjëra me vlerë.

 

Diana Mile
Diana Mile

-Këto ditë a keni arritur të mblidhni përshtypjet nga votuesit, ç’reagime keni marrë për këtë kandidim?

Doni të dini vërtet përshtypjen e parë për mua? Më në fund, një vajzë 100% pogradecare. Unë përfaqësoj brezin e shtatë të Milellarëve në të njëjtën kalldrëm… Kjo është një periudhë ku unë shfaq veten time tek votuesit dhe ata në fakt e kanë shumë të lehtë të më njohin se cila jam, pasi mënyra ime e komunikimit është e drejtpërdrejtë dhe ata e duan këtë gjë, kanë nevojë që dikush t’i dëgjojë dhe unë jam një prej tyre, e kam prekur realitetin nga afër. Për këtë arsye ata më mirëpresin dhe i dëgjoj kur thonë, “erdhi çupa jonë”. Por jam e bindur se këtë do ta thonë edhe banorët e rrethinave dhe fshatrave tona.

-Keni përballë rivalin Kapri. Si e prisni garën me të; çfarë do nënvizonit si pikat tuaja të forta?

Verdiktin e garës do ta finalizojnë qytetarët e Pogradecit me votën e tyre. Dhe unë përballë shoh vetëm pogradecarët. Në fokus të fushatës më të rëndësishmit janë banorët. Unë do të përpiqem në maksimum që ata të arrijnë të njihen me projektet reale që kam për qytetin tonë. Pikat e mia të forta janë ambicia për të arritur qëllimet. Me përkushtim, do t’i jepem qytetit tim dhe pika më e fortë e imja është përfaqësimi i komunitetit në vendimmarrje. Pra ata do të njihen se çfarë do të ndodhë me qytetin e tyre, madje mendimet e tyre do të jenë tepër të vlefshme në zbatimin e projekteve.

 

– Si mendon t’i përfaqësosh qytetarët?

Përfaqësimi i tyre do të jetë real. Kam menduar ngritjen e, le ta quajmë, një senat për qytetin. Çdo zonë do të ketë një përfaqësues i cili do të mbajë një raport komunitet-bashki. Ky përfaqësues do të jetë në kontakte të vazhdueshme me bashkinë për të gjitha kërkesat dhe sugjerimet e komunitetit.

-Nëse fitoni, do pasoni paraardhësin Shkëmbi, por me ndarjen e re territoriale. Ku mendoni se duhet të fokusohet në të ardhmen zhvillimi ekonomik i kësaj bashkie dhe nëse ka, çfarë gabimesh nuk duhen përsëritur?  

Nuk e kam të panjohur funksionimin dhe punën e bashkisë, kam qenë pjesë e strukturave të saj. Ndërsa ndarja territoriale do të sjellë më shumë impenjim pasi Bashkia e Pogradecit është zgjeruar me zonat rurale dhe fokusi që do të ketë Bashkia do të jetë edhe më i gjerë duke përfshirë më shumë veprimtari të spektrit rural. Ky dimension i ri do të sjellë më shumë punë përpara dhe nuk na mbetet kohë për të gjykuar dhe analizuar gabimet, por kuptohet që nga gabimet do mësojmë.

Share This Article
4 Comments
  • Nje pogradecare shume mire! Po si mund te perballohet nje nga Goliku apo nga eshte me nje qe ka lindur dhe eshte ritur nga nje familje pogradecare me nje mentalitet si poradecare me nje nga mokra, me mentalitet te ndryshem ?

  • Eshte nje shans i madh per qytetin e PORADECAREVE te dashuruar perjetesisht me qytetin e tyre ,te kete administratore nje BIJE te tij ARKITEKTE.
    Sa per RRETHINATne kuptimin e mire te fjales .Gjysma e qytetit tani jane te erdhur nga MOKRA dhe ata do te japin IDE dhe mendime te vyera edhe per keto TROJE TE VIRGJERA ne plot kuptimin e fjales.
    Keto vite qe kane ikur qytetit, i jane fshire shume bukuri orgjinale te trasheguara nga STERGJYSHERIT E MENCEM ,qe e trajtonin qytetin lidhur me liqenin ne harmoni te plote.
    Ku kish 20% ndertime dhe 80% e teritorit peme e barca te gjelberuarea ku i gjithe qytetishihte Gjolin e tij te dashur dhe degjonte dite e nate muziken e tij MAGJIKEME DALLGE…
    Mbeti axhensia qysh ne vitet 60-ta ne mes te qytetit…..Ne nje kohe qe mund te jete nje pedonale me lule e uje te bollshem …apo nuk del uje nga toka aty….
    Ate qytet e kane bekuar PERENDITE…!!!

    • E kujt është kjo çupka more poradecarë? E bija e Koços, e të motrës, mbeskë e Sandrit apo kushêrirë e Violeta Miles? Pa na i tregoni cazë? Qënka goxha bukuroshe! Si poezi e Llazgushit qënka! Tung!

      • Pse nuk e shkruani cili (cila) është intervistuesi? Donim ti thoshim nja dy gjëra “me koran e belushka”! Tung!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *