Dy këngë në Një

redaktor

Arben Duka

 

1 / Kënga e Mjerimit vazhdon
Migjeni i Madh,
dhe sot të jetonte,
po të njëjtat këngë,
sërish do këndonte!

Këng’t e pakëndueme,
do thosh pa dyshim,
sepse po jetojmë,
të njëjtin mjerim!

Tabloja-tablosë
qartësisht i ngjan,
sepse është i njëjtë,
“mali që s’bëzan!

Ti jeton tek unë,
poet i magjishëm,
por as unë s’e kam,
grushtin e fuqishëm!

Po s’i druhem luftës,
due me u ndesh,
malit që s’bëzan,
në zemër t’ja ngjesh!

Nga një grusht i vetëm,
mali kurrë s’bie,
ndaj rrekem të ndez,
mijëra kënga lirie!

Malin që s’bëzan,
për tokë dot s’e vë,
nëse mijëra grushte,
s’i bashkoj në Një!
 

2 / Mendimet e fshehta

Njeriu mendon,
për shumëçka në botë,
por askush-mendimet,
të gjitha s’i thotë!

Kam përvojën time,
s’dua të më bindin,
me mijëra mendime,
vdesin sapo lindin!

Një çelës sekret,
për mendimet kemi,
kur mendojmë një gjë,
dhe gjë tjetër themi!

Nëse shpreh njeriu,
gjithçka lind në kokë,
sot asnjë i gjallë,
s’do ishte mbi tokë!

Kam përvojën time,
ndaj shëmbuj nuk marr,
mendimet e fshehta,
kanë një risk vrastar!

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *