Një vajzë e re afgane, e martuar në provincën jug-perëndimore të Ghaznit, i ka shpëtuar një përpjekjeje për ekzekutim me prerje koke para disa ditësh nga ana e vjehrrës së saj dhe tani po e rimerr veten në një spital të Kabulit.
Gruaja, 25-vjeçarja Gul Sima, kishte denoncuar në të shkuarën dhunën e pësuar nga ana e familjes së të shoqit në katër muajt e parë të martesës. E shtruar në spital në gjendje koma dhe në reaminacion në spitalin IBN-e-Sina të kryeqytetit afgan, viktima tashmë është mirë dhe ka mundur të tregojë me zërin akoma të ngjirur për plagosjen e rëndë të pësuar në fyt dhe ka rrëfyer se është rrahur e torturuar nga të afërmit e bashkëshortit.
Mes abuzimit të pësuar, 25-vjeçarja ka treguar se ka qenë e detyruar “të hajë dhe thonj”. Ekzaminimet radiologjike të realizuara nga mjekët e spitalit, kanë konfirmuar këtë të veçantë.
Vajza ka treguar kështu tentativën për vrasje nga ana e vjehrrës. “Vjehrra ime erdhi me një thikë në dhomën time të gjumit dhe filloi të më therë në fyt. Unë ulërita dhe ajo u largua me vrap”.
Vëllai i viktimës, Bahadur, ka thënë se i shoqi i Gul, është arrestuar nga policia. “Kjo është një gjë e mirë, – tha ai, – por tani duam që drejtësia të lejojë menjëherë divorcin”.
