Si u bë e ditur nga mediat, Aleanca Popullore e drejtuar nga Artur Dojaka, megjithëse një parti e profilizuar si pjesë e popullsisë shqiptare çame, jo rastësisht, deri më tani do të dalë me dy kandidatë për kryetarë bashkie. Konkretisht në Librazhd, ku do të kandidojë kryetari i deritashëm i bashkisë nën siglën e AP, dhe në Dibër, ku përsëri do të jetë një figurë e njohur nga të majtët. Ndërkohë, socialdemokratët e Gjinushit do të kenë një kandidaturë të tyre në Fier, gjë që ngushton, sado pak diferencën mes së majtës dhe të djathtës në këtë bastion të ndjeshëm të së majtës. Ende nuk dihet se si do të venë punët deri në përfundimin e afatit për regjistrimin e kandidatëve, e për më tepër me listët për anëtarë të këshillave bashkiake, që po ashtu, jo rastësisht, mund të sjellin befasi të ndryshme.
Të dy formacionet politike që cituam më sipër, dy vite më parë ishin pjesë e koalicionit të së majtës së mbledhur rreth socialistëve dhe kishin ndikimin e tyre, duke sjellë diçka më shumë se 20 mijë vota në hambarin e koalicionit qeverisës. Fakti i lënies së tyre jashtë qelizës fillestare, si të thuash, mos hapja e derës për atë që ishin dakorduar më parë, ishte një shenjë , deri diku e mospërfilljes, por më shumë e copëzimit të pushtetit, jo drejt së përbashkëtës, por drejt një kufizimi pushtetor, çka mund të jetë edhe më tej një shkas për hidhërime të mëtejshme politike.
Por në dyja rastet e sipërme nuk besoj se bëhet fjalë thjesht për hatërmbetje ose hidhërim. Unë mendoj se janë dy gjëra të ndjeshme, nganjëherë themelore, të cilat, nëse nuk llogariten me kujdes, mund të sjellin befasi të hidhura për vetë ata që i ndjellin.
Aleanca Popullore është një risi e re e jetës politike në Shqipëri. Ndoshta është partia më e re e krijuar në këtë vend, e cila, siç ka shumë gjëra në dy krahët e saj, do të kishte edhe dy njësi politike të shqiptarëve çamë. Fakti që partia e Shpëtim Idrizit ishte krijuar më parë, i dha asaj të drejtën e shpallur se vetëm ato ishin përfaqësues të vërtetë të kësaj pjese të madhe të popullsisë sonë. E po ashtu, fakti i lëvizjes së tij politike nga njëri poltron tek tjetri, pa pasur asnjë merak se mund të ishte gjithçka e zbërdhëluar, tashmë jo vetëm që nuk përbën sekret për askënd, por si duket ka ardhur një kohë që ajo merret si aftësi e meritë politike. Të kesh kaluar nga poltroni i Nanos tek prehri i Ramës, për të shkuar tek bathoret e Berishës dhe për të riardhur tek postet drejtorore të Ramës, në Shqipërinë e sotme nuk është ndonjë mëkat politik. Mjafton që të kesh kurajon për të bindur veten dhe të tjerët se rruga e përfitimit kalon nga poltroni i kryetarit, dhe të ndjehesh i qetë. Dy vite më parë, me të drejtë u mendua se duke faktorizuar një lëvizje tjetër politike brenda popullsisë çame në Shqipëri, e majta e bashkuar po sillte në vëmendjen e të gjithëve nocionin se mund të qeverisej ndryshe, bëri që shumë njerëz nga kjo trevë, por edhe jashtë saj, të ndjehen natyrshëm brenda Aleancës Popullore, duke e parë këtë si një risi politike. Edhe vetë AP u ndje e tillë, mendoj unë, megjithëse nuk kam pasur kontakt me drejtuesit e saj. Por, duke qenë pjesë e një aktiviteti të tyre, me të drejtë mendoj se arsyeja ishte më e thellë se ajo për të cilën ishim mbledhur. Ajo kishte të bënte me dy gjëra: Ose ruajtjen e nocionit të një politike serioze, ose thyerjen e saj dhe kalimin në një filial politik i partive të mëdha.
Po të marrësh listat partiake që përbëjnë koalicionet e sotme, më shumë se dy të tretat e tyre nuk dihet se kush janë, nga vijnë dhe kë përfaqësojnë. Që nga e djathta ekstreme, e djathta më liberale, qendra e djathtë dhe deri tek e majta ekstreme, janë bërë së bashku, duke lënë pas dy formacione të moderuara, njëra nga të cilat rishtare, por e suksesshme në politikë, dhe tjetra, që nga fillesa, por duke e ruajtur profilizimin e saj politik.
Aktualisht, e majta në pushtet, megjithëse ka lënë pas në dy vite shumë më tepër nga sa është pritur, dhe mjerisht jo gjithnjë të mbara, ka nevojën e domosdoshme të faktorizohet edhe përmes votimit të 21 qershorit, që më shumë se një votim i zakonshëm lokal, është i ndjeshëm për shkak të ndarjes së re territoriale dhe për afirmim të politikës qeveritare.
Për këtë, kjo e majtë pushtetore, ka nevojë për mbledhjen e çdo rrëkeze politike, e për më tepër për prurje të mëdha si ishin AP dhe PSD. Nënvlerësimi i çdo vote mund të sillte një pengesë serioze për të vazhduar punët e mëdha që janë projektuar, disa nga të cilat ende nuk kanë nisur. Është foshnjarake që zëdhënës partiakë të së majtës, sidomos nga socialistët, ende pa nisur si duhet dasma, thërrasin se e morën nusen. E po ashtu, të duket tejet naive që, po këta, disa nga të cilët të ardhur në strukturat partiake nga joshja e pushtetit, megjithëse të rinj të arsimuar, e shohin ndarjen politike me një vështrim që i takon shumë viteve më parë.
A bënë mëkat AP dhe PSD , të cilat, më në fund, e kanë vendosur të dalin në tre njësi të ndjeshme, me kandidatët e tyre? Në këndvështrimin e atyre që thashë më lart, të cilët, jo saktësisht mendojnë se të fuqishmit i duhet bindur pa bërë zë, edhe kur ai nuk të hap portën, edhe kur ato që ka nënshkruar i bën lesh e li; edhe kur të ka thirrur për të krijuar një dualizëm partiak të dobishëm dhe më pas merr gjysmën tjetër, edhe pse e di se është e kalbur, atëherë, po. Kanë bërë mëkat. Nëse e sheh nën prizmin e njerëzve që u kanë besuar këtyre forcave politike, qofshin që në lindjen e pluralizmit si PSD, qofshin të sapo futura në këtë rrugë, si AP, atëherë kjo është e natyrshme. Më parë se këto parti politike të kenë lidhur një marrëveshje me socialistët e fuqishëm, ata kanë bërë një marrëveshje me atë pjesë të elektoratit të tyre, të cilët u kanë besuar. Kjo është edhe marrëveshja më e rëndësishme, tej së cilës, të tjerat, nuk janë edhe aq të dorës së parë. Në Shqipëri ne kemi një përvojë politike, e cila, edhe pse mund të ketë shumë kundërshtarë, përsëri ka pasur një rrjedhim tej asaj që është pritur. Në zgjedhjet e vitit 2013 të gjithë kanë pritur se LSI do të ishte e fundmja e kavallit politik, në fakt vetë arnimi i kushtetutës kishte këtë qëllim, kurse de fakto, ajo, edhe pse nuk pritej, u bë muri ku mbështetet çdo qeverisje e sotme në Shqipëri. Ajo nuk bëri gabimin të hiqte rrëkezat e politikës, një mëkat që po ndodh aktualisht në politikën e ditës.
Kur mendoj se e majta ka nevojën e çdo vote dhe se euforia e fitores ende pa nisur shumëçka është e dëmshme deri në palcë, unë kam parasysh një precedent politik që ka ndodhur në vitin 1992, kur e djathta, e ardhur në pushtet përmes një votimi përmbysës, disa muaj më pas, ajo humbi po ashtu, përmes një votimi përmbysës në zgjedhjet e para lokale. E majta ka nevojën të mësojë edhe nga fajet e gjynahet e kundërshtarit të saj politik, po aq sa ka nevojë për të mbledhur rreth vetes të gjithë ata që e mbështesin pushtetin qendror, si një hallkë për të bërë rilindjen e një vendi ku janë përmbysur shumë gjëra.
Lehtësia me të cilën ndërthuren inatet e vjetra dhe të reja, ngushtësia e mendimit për një spektër të gjerë politik e shoqëror, bën që të krijohen hulli rrjedhëse të votës popullore. Më është dukur e habitshme se si në qytetin e Shkodrës, ku është toleranca një njësi jetësore, në radhët e trupës që bën pjesë në fushatën e Keti Bazhdarit, më e spikatura në të gjithë kandidaturat e zgjedhura, nuk ka shumë figura të njohura, të reja ose të hershme, të arsimuara edhe në botën perëndimore, vetëm nga shkaku absurd se kanë qenë dikur në stafin e Tom Doshit. Ashtu si më është dukur e habitshme se si elita drejtuese e socialistëve, në këtë kohë kur duhet fjala e saj, jo thjeshtë deklarative e nganjëherë mediokre, ende gjejnë kohën të merren me vetveten dhe të lënë pas dyerve ata që ishin pjesë e rëndësishme e tyre.
Fushata ka ardhur. E rrëmujshme në fillim, e ethshme më pas dhe gati shpërthyese në ditët e fundit të saj. Kështu ka ndodhur gjithnjë, dua të besoj se pjesa e fundit nuk do të ndodhë kësaj here.
Por ajo ka filluar edhe me përshfaqjen e inateve, të hidhërimit, por edhe të strukturave që ende e duan identitetin e tyre politik, edhe kur kjo duket se është e pamundur. Por ajo ka mbartur me vete edhe ankthin e minutës së fundit, si ka ndodhur shpesh herë. 3 mijë votat që ndajnë të majtën nga e djathta në Shkodër nuk mund të kapërcehen nëse nuk gjenden rrugët e përbashkëta. Në shumë zona të reja zgjedhore do të duhet shumë më tepër se figura karizmatike e Ramës dhe fjalimet e tij elokuente. Përtej batutës së çastit, me të cilat njerëzit ndjehen një çast të ngazëlluar, ndërsa kthehen në shtëpi, ata fillojnë e mendojnë për hallet e tyre të përditshme.
Të dalësh mbi veten, kjo ka qenë gjithnjë e vështirë për politikën tonë. Si do të shkojë kësaj here? Nëse nuk mblidhen “rripat” e fushatës dhe nëse ajo nuk drejtohet nga të gjithë së bashku, duke pasur përpara tyre njerëzit me mend, shumë gjëra mund të na surprizojnë. Uroj që surpriza të jetë nga e mbara, nga një qeverisje solide mes pushtetit qendror dhe atij vendor.
Për këtë ka një fillesë: Të mos harrohet burimi i vjetër.
