Shorteu special i Telebingos Shqiptare shpërthen në dhurata e çmime të mëdha. Fituesit kanë mundur të rrëmbejnë makinën “Pezho 107”, e cila shkon në Pogradec, ndërsa çmimi i madh prej 3,326,745 lekësh është ndarë ndërmjet tre fituesve në qytete të ndryshme. Lojtarët e përzgjedhur kanë fituar edhe një frigorifer, një lavatriçe, 3 laptopë, 3 televizorë, si dhe shumë dhurata e çmime të tjera
Superbingo mbi 33 milionë lekë (të vjetra), makina “Pezho 107”, ishin dy ndër surprizat e shortit special të lojës më popullore të fatit, Telebingo Shqiptare. Shorteu i ditës së djeshme ka shpërthyer në dhurata e çmime të mëdha, duke gëzuar mijëra familje shqiptare që i janë bashkuar lojës në të gjithë vendin. Loja telefonike ka dhuruar emocione të shumta, fituesit e të cilës i janë gëzuar shumave të mëdha, vlera e të cilave e ka kapërcyer shifrën e 90,000 lekëve.
Fati i ka buzëqeshur më së miri të përzgjedhurës së parë në lojën telefonike. Në betejën me çmimet dhe dhuratat e fshehura në zarfe Bana, krahas shumës prej 20,000 lekësh ka siguruar edhe një laptop, një tapet, dhurata këto të ofruara nga mbështetësit financiarë të programit. Pas Tiranës, përzgjedhja rastësore e kontrabiletave e ka ndalur lojën telefonike në qytetin e Durrësit, ku Sara i është gëzuar plot 90,000 lekëve, shumë kjo që fshihej në tre zarfet e mbajtura prej saj në fund të lojës.
Tereza në Rreshen ka vijuar më tej betejën për të gjetur ku fshiheshin çmimet e preferuara, por me përzgjedhjen e bërë ajo është shpallur fituese e një laptopi, si dhe shumës 40,000 lekë. Loja është rikthyer sërish në kryeqytet, ku Havaja me përzgjedhjen e bërë ka mundur të sigurojë plot 70,000 lekë, si dhe një televizor. Mirela ishte e përzgjedhura e fundit që ka tentuar të gjejë se në cilin prej zarfeve qëndronte e fshehura makina “Pezho 107”.
Ndonëse nuk ka qëlluar në shenjë këtë çmim, ajo i është gëzuar shumës prej 70,000 lekësh, si dhe një televizori. Dhjetëra fitues të tjerë i janë bashkuar Telebingos. Me një çmim të dyfishuar tashmë, Telebingo ka përçuar në shtëpitë e 10 familjeve të përzgjedhura çmimin tradicional të javës prej 20,000 lekësh. Loja ka vijuar më tej me hedhjen e shortit të goglave për superbingon e javës, e cila ka mbërritur në vlerën e 3,326,745 lekëve.
Seria e numrave të përzgjedhur gjatë hedhjes së shortit e ka ndarë çmimin e madh ndërmjet tre qyteteve. Sipas raportimeve të bëra mbi shitjen e biletave, çmimi i madh është ndarë mes Tiranës, Elbasanit dhe Korçës, ku secili nga fituesit merr plot 1,108,915 lekë. Shorti i goglave ka përzgjedhur edhe fituesit e serisë së numrave me një linjë dhe dy linja. Konkretisht, janë shpallur fitues të serisë me një linjë 7,376 lojtarë, të serisë me dy linja janë shpallur 329 persona, ku secili prej tyre siguron 3,030 lekë nga kompania e Telebingos.
Fitues të një bilete janë shpallur edhe të gjitha ata persona që në biletën e tyre kanë numrin 2, të përcaktuar si numrin e fatit për javën që lamë pas. Argëtimi nëpërmjet tingujve të muzikës e çmimeve të Telebingos, ka vijuar edhe më tej me përzgjedhjen e fituesve të tjerë. Lira në Shkodër është shpallur fituese e një frigoriferi, ndërsa familja Çollaku në Tiranë ka siguruar një lavatriçe.
Gjithashtu edhe Marjani në Lezhë është shpallur fitues i një televizori, ndërsa Eduarti në Elbasan ka rrëmbyer një laptop. Telebingo është mbyllur më së miri, duke shpallur edhe fituesin e “Pezho 107”, e cila do mbërrijë në duart e Arianit nga Pogradeci. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni informacionet e plota në lidhje me fituesit e shpallur në shorteun e hedhur gjatë pasdites së djeshme.

