Ajo nuk ka dëshirë të duket e të shfaqet kot (ndryshe nga ç’hamendësojmë për vlonjatët 🙂 ). Mendohet mirë përpara se të veprojë. Na kërkon falje disa herë për një vonesë prej pesë minutash në takim. Është shumë e kujdesshme kur flet, e sjellshme… dhe aty mendojmë: Eh çfarë të bën Amerika! Po flasim për Blerta Gaçen (motrën e Aurelës).
Ajo është rikthyer! Historia e saj është ajo e shumë shqiptarëve të tjerë, vetëm se Blerta është larguar drejt SHBA-së në moshën e adoleshencës, kur ishte vetëm 15 vjeç. Ishte një nxënëse e talentuar në vendlindje, me një anglishte shumë të mirë dhe kjo e ndihmojë që të fitonte të drejtën e studimit për në Amerikë. Dëshira për të jetuar e për të provuar një vend të huaj e bëri atë të largohej nga Shqipëria për të ndjekur ëndrrat në vendin e mundësive të mëdha, siç thonë.
Blerta na tregon se disiplina dhe edukata e marr në familje e ka ndihmuar të jetë një vajzë me këmbë në tokë e mbi të gjitha një njeri që nuk mundi të harrojë kurrë se nga vinte. Pas 3 vitesh në Nju Jork motra e saj më e madhe e ndoqi nga pas. Të dyja bashkë ishin më të sigurta e më të forta për të përballuar jetën në një vend të huaj. Erdhi një moment kur Aurela u kthye, por tashmë Blerta ishte e rritur, ishte mësuar më sfida dhe mbi të gjitha me pavarësi.
Pas rreth 15 vitesh jetë, punë dhe shkollim, Blerta prej disa muajsh jeton në Tiranë. Fundjavave këndon e kërcen në “Crazy Calvin” dhe aktualisht drejton një emision muzikor në Radio Televizionin Shqiptar. I ka marrë me qetësi dhe seriozitet angazhimet e saj në kryeqytet. Ajo do të jap më të mirën nga vetja, pastaj shumëçka tjetër nuk varet prej saj…Në një rrëfim për Dita-n e vogla Gaçe tregon më shumë për jetën, veten dhe karrierën…
-Blerta, ndryshe nga herët e tjera, kur ke ardhur me pushime, këtë herë kthehesh në Shqipëri për të punuar apo jo?
Nuk është hera e parë që vij për të punuar kam pasur projekte në Shqipëri dhe më parë, para dy vjetësh. Është e vërtetë që kësaj here unë po qëndroj më gjatë për arsye pune.
-Ka qenë një vendim i menduar mirë apo spontan?
Çdo gjë që unë bëj, e mendoj. Patjetër i menduar mirë.
-Ata që e ndjekin jetën e natës, të gjejnë çdo fundjave në “Crazy Calvin”, ndërsa ata që shohin televizor, të shohin si drejtuese e një programi televiziv në TVSH… Si ndihesh?
Ndihem mirë, por dhe me përgjegjësi të madhe. Tek “Crazy…” performoj live çdo fundjavë dhe mendoj se po sjellim një mënyrë të re të shou-t. Prurje e re. Këndoj dhe kërcej në të njëjtën kohë. Performanca është diçka që e bëj me pasion dhe me shumë dashuri. Besoj në këtë vizion. Normale, do dhe shumë punë. Jam me fat dhe e lumtur që është pritur mirë. Në TVSH drejtoj një emision të titulluar Music&Music që transmetohet të shtunave në orën 23:00 dhe ritransmetohet të dielave në 16:30. Jam mirënjohëse TVSH dhe Artur Bejzade që më besoi këtë punë.
-Kërcimi është një fushë që ju e keni eksploruar edhe më parë, ndërsa prezantimi është një gjë e re. E vështirë?
Absolutisht, është e bukur, impenjative dhe ka vështirësitë e veta. “Të ishte e lehtë do ta bënin të gjithë”, thotë një shprehje. Por me punë nuk ka gjë që nuk bëhet. Kam rënë në dashuri me televizionin.
-Çfarë të mësoi Amerika, gjatë viteve të qëndrimit atje, 15 vite nuk i thonë pak…?
Nuk mendoj që një intervistë do të na mjaftonte për të treguar mësimet e marra gjatë eksperiencës amerikane, por një gjë që mund të veçoj dhe që për mua është e rëndësishme është disiplina e punës dhe rëndësia e të qenit e pavarur.
-Ti ke shkuar në një moshë të vogël në SHBA dhe u ktheve një zonjushë e rritur, je ndjerë ndonjëherë në vështirësi gjatë këtij rrugëtimi disa vjeçar?
Normal, nuk mendoj që ka njeri që jetën e tij/saj e ka pasur vaj. Gjithashtu besoj se njeriu vetëm gjatë vështirësive e njeh veten dhe vetëm atëherë mund të bëhet më i fortë. Vështirësitë që mund të kem hasur më kanë bërë më të fortë pa diskutim. Ditët e para kam qenë si në mjegull dhe e mpirë, sepse atëherë e kuptova tamam sa larg nga vendi dhe familja ime isha larguar. Mbaj mend që në ditën e katërt më filloi një e qarë dhe nuk e përmbaja dot veten. Ishte sikur dikush të më kishte shkëputur diçka nga shpirti. Ndjen një boshllëk që askush nuk ta mbush dot: Atë të familjes. Por përveç kësaj vura re që njerëzit ishin të sjellshëm dhe të thjeshtë, si në veshje ashtu dhe në komunikim. Sidoqoftë muajt e parë ishin të vështirë. Të paktën dy vitet e para janë të tilla si për çdo emigrant tjetër që lë vendin e vet për të jetuar larg. Megjithatë duhet të them se sado e vështirë të ketë qenë e kisha vendosur që do t’ia dilja mbanë, por gjithsesi nuk m’u desh shumë kohë të përshtatesha me jetën atje.
-Meqë ra fjala, nesër (sot) dalin përgjigjet për “Lotarinë Amerikane”, shumë shqiptarë, nëpërmjet saj kërkojnë të emigrojnë në SHBA. Mendon se bëjnë mirë?
Nuk më përket mua t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, unë mund të flas vetëm për eksperiencën time. Por duhet bërë një pyetje më të rëndësishme. Dhe në fjalët e Prof. Përparim Kabo: “Pse kaq shumë njerëz duan të ikin, pse duan ta lënë vendin, pse janë ëndërr vrarë në vendin e tyre? Pse nuk ka besim tek e sotmja dhe e ardhmja? Pse atdheu i tyre nuk është më i tyre dhe as i fëmijëve të tyre?”. Të reflektojmë pak në këto pyetje.
-Tashmë, përveç kërcimit ti edhe këndon. Në Shqipëri ke marr pjesë edhe në Festival. Është kënga një synim serioz për ty?
Po, madje jam duke punuar për një këngë të re që besoj do të dalë shumë shpejt. Këtu dua të them se së shpejti do të keni më shumë muzikë nga unë.
-Blerta, të jetosh vetëm prej vitesh dhe më pas t’i bashkohesh familjes së madhe, përveç kënaqësisë, ka edhe problemet e veta, kjo pasi je mësuar me një stil ndryshe. Ti si po ndihesh këto kohë?
Po ndihem shumë mirë. Më ka bekuar Zoti me një familje të mrekullueshme. Nuk dua të mburrem, por nuk mund të rri pa thënë atë qe familja ime meriton. Kam familjen perfekte.
-Si është një ditë e jotja në Tiranë?
Çdo ditë është paksa ndryshe, por dua të them është e angazhuar.
-Njerëzit që jetojnë për disa vite jashtë, kur kthehet e kanë pak të vështirë të kuptojnë se si funksionon shoqëria jonë. Ka ndodhur me ty kjo?
Ka ndodhur, por mendoj që dhe njerëzit që kanë jetuar këtu tërë kohës, ka ditë që dhe ata vetë nuk e kuptojnë tamam se si po funksionon kjo shoqëria jonë. Me duket si një sistem “pa sistem”. E megjithatë unë jam shqiptare dhe Shqipëria është vendi im dhe kurdo që të vij, e gjej veten këtu.
-E ke vizituar Vlorën?
Po, patjetër, kam të afërm atje. Kam gjyshen që e dua shumë. Kam shkuar do të shkoj sërish, më tërheq ajri i atij qyteti. Është vendlindja ime.
-Sipas teje, a është Shqipëria vendi ku mund të ndërtosh të ardhmen tënde?
E ardhmja është e hapur.
*****
Blerta is back
“Në Amerikë nuk mblidhen lekët me fshesë”
Nuk i ka pasur më shumë se 15 vite kur është larguar nga Shqipëria. Thotë se zgjodhi të ikte aq larg, meqë Amerika dhe sistemi i saj i përshtatej më shumë se asnjë vend tjetër një karakteri si ai i Blertës: pa komplekse dhe që nuk pranon t’i hyjnë në hak. Kështu ishte edhe vendi që gjeti, mund të mendojë e flasë lirshëm dhe të presë shpërblime për aq sa punon.
Fillimet ishin të vështira. Përpos vështirësive dhe ankthit të muajve të parë, që përjeton çdo emigrant, më pas çdo gjë mori rrugën e duhur. Gjërat po shkonin për mbarë. Nju Jorku i madh jep shumë mundësi dhe Blerta i kishte dyert e hapura të specializohej e më pas të punonte në atë që kishte dashur më shumë në jetë. Ajo ka përfunduar “The Neighborhood Playhouse School of the Theatre”, falë së cilës i ka prekur të gjitha fushat e artit që ka për zemër, kërcimin, këngën dhe aktrimin. Mbi të gjitha është specializuar në kërcimin belly dance.
“Nuk e di të them nëse Amerika është toka e premtuar ose jo, por di që është i vetmi vend në botë ku nuk gjykohesh se prej nga vjen, por nga puna që bën”, thotë Blerta. “Është një vend ku të inkurajojnë të jesh vetvetja dhe ka liri fjale, të dyja shumë të rëndësishme për mua. Ndaj them se Amerika duhet të provohet. Shumë njerëz kanë iluzione dhe u duket se atje mblidhen paratë me fshesë”, shton duke qeshur, “por në fakt është e kundërta. Amerika nuk të fal për asgjë, gjithçka duhet ta fitosh vetë. Atje nuk ka asgjë falas”. Sot ajo nuk mund të thotë nëse Tirana është stacioni i saj i fundit për të jetuar dhe punuar, pasi Blerta ndihet që qytetare e botës dhe për të e ardhmja është e hapur.




Kjo eshte si vullkan. Mendoj se po te mos kishte motren do ishte nje nga vajzat shperthyese ne qytet. Aurela e ka eklispuar por besoj se Blerta do ia dal. Me respekt nga Llakatundi
Urime Blerta interviste reale
Te dyja motrat jeni me vlera vazhdoni dhe mbaresi ne jeten tuaj
E vogel ne krahasim ma plaken teme.