Vendet e Ballkanit, plan të njësuar për ndalimin e azilantëve

redaktor

Vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po bashkëpunojnë për të hartuar dhe pasur procedura të njësuara të skanimit në Pikat Kufitare, për të parandaluar azilantët.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka marrë pjesë në Forumin e Salzburgu, të Austrisë, ku u diskutua edhe çështja e migrimit.

“Po punojmë bashkërisht në rajonin e Ballkanit, për të hartuar dhe pasur procedura të njësuara të skanimit në Pikat Kufitare, duke e konsideruar këtë një instrument shumë të fuqishëm për të parandaluar azilantët dhe kjo është arsyeja pse në sesionin e parë biseduam për të patur ekspertizë dhe ngritje kapacitetesh nga partnerët tanë europianë, për të përforcuar instrumentat tona në kufi duke realizuar kështu parandalimin e azilkërkuesve të paligjshëm që në vendin e origjinës”, tha Tahiri.

Ndërkaq, ai kërkoi sërish nga vendet e BE-së që të shkurtohet koha e shqyrtimit të një kërkese për azil. Aktualisht kjo procedurë zgjat gjashtë muaj, dhe ministri kërkoi shkurtimin e saj në të paktën 2-3 javë.

“Ne kemi nevojë që këto procedura të jenë sa më të shkurtra, pasi kjo është e vetjma mënyrë që ato të mos vlejnë si ftesa për qytetarët tanë, sepse realisht është ftuese për qytetarët shqiptarë apo të vendeve të tjera të Ballkanit perëndimor, që të vijnë dhe qëndrojnë këtu në Austri, apo Gjermani, apo Francë, apo vende të tjera të BE, për 6 muaj apo më shumë në pritje të një vendimi, dhe kjo është më ftuese sesa të qëndronin vetëm 2 apo 3 javë në pritje të një vendimi. Prandaj, kemi nevojë për veprime dhe vendimmarrje, prej partnerëve strategjikë në BE për të shkurtuar procedurat dhe për ta bërë të pamundur për qytetarët tanë që procedurat e pritjes për dhënien e vendimit, të konsiderohen si ftesa”, vijoi Tahiri.

Në Forumin e Salsburgut morën pjesë, vendet anëtare të Forumit të Salzburgut dhe vendet mike, mes tyre Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *