Tharja dhe çarja e lëkurës së buzëve është një problem që haset sidomos në stinën e dimrit. Për shmangien e këtij problemi dhe buzë të buta, pavarësisht të ftohtit, duhet mbajtur parasysh se krahas produkteve kozmetike ka edhe metoda natyrale që mbrojnë lëkurën nga irritimi. Nëse në treg gjejmë produkte me bazë gjalpin e kakaos, vajin e bajameve apo aloe verën, edhe në shtëpi mund të përgatisim një “ilaç” që lufton dehidratimin e buzëve.
Një produkt shumë i mirë është vaji i ullirit. Mjafton një copë pambuk e ngopur me vaj ulliri, të cilin e përhapim mbi buzë.
Një tjetër mënyrë është edhe përzierja e dyllit të bletëve me vaj bajamesh. Për këtë shkrijmë dyllin me nxehtësi dhe më pas e përziejmë me vajin e bajameve. Më pas e lëmë të ftohet për 45 minuta dhe masën e ngurtë që përftohet e aplikojmë mbi buzë në mëngjes dhe në darkë.
Një tjetër mënyrë është aloe vera. Lëngun e bimës e aplikojmë direkt mbi buzë në ditët e ftohta dhe me erë. Rezultatet janë të shkëlqyera.
Gjithashtu, qumështi mund të ndihmojë në zbutjen e buzëve. Dikur i rekomanduar nga gjyshet, qumështi i ftohur që vendoset mbi buzë e zbut lëkurën dhe mbyll çarjet e krijuara nga i ftohti.
Preparatet kozmetike
Në treg ekzistojnë disa lloj produktesh që ndihmojnë në rikthimin e butësisë së lëkurës së buzëve. Ndër më të mirat janë ato me vitaminë E, të cilat synojnë të rrisin mbrojtjen natyrale të lëkurës që përballet me të ftohtin. Efikase janë edhe produktet në trajtë balsami, të cilat kanë në përbërje të gjitha substancat ushqyese që i duhen lëkurës delikate të buzëve gjatë dimrit. Është e rëndësishme të shmanget përdorimi i cigares dhe alkoolit, të cilat favorizojnë dehidratimin e buzëve.
