Shqipëri-Gjermani ka qenë gjithmonë një histori dashurie futbollistike. Shqipëria, që sot ëndërron pjesmarrjen e parë në një kompeticion madhor, Gjermaninë e kanë parë gjithmonë si një pikëarritjeje.
Në Shqipëri, Gjermania për qindra mijëra njerëz ka qenë për shumë kohë përfaqësuesja e zemrës, aq sa sukseset botërorë dhe europianë të Gjermanisë, janë konsideruar edhe si tonat. Kjo lidhje e ngushtë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në futboll, pasqyrohet tashmë dhe në miqësoren e “Elbasan Arenës”, në një sfidë veteranësh por që risjell entuziasmin e përballjeve të dikurshme, që mes dy vendeve tona janë plot 14, me bilancin që natyrshëm anon nga gjermanët.
Por ashtu sic gjermanët kanë lënë shenjë te ne me futbollin e tyre, ashtu dhe Shqipëria ka ditur të lërë shenjë për Gjermaninë, më 17 dhjetorin e 1967, në sfidën e dytë mes këtyre dy përfaqësueseve. Nëse në ndeshjen e parë, ishim mundur me rezultatin e thellë 6-0, në sfidën e kthimit Shqipëria bëri surprizën e madhe duke lënë Gjermaninë jashtë kompeticionit të vetëm madhor që ata nuk kanë marrë pjesë, që nga vitit 1954 e më tej. Në Tiranë, në një Qemal Stafa të mbushur me 28 mijë spektatorë, Shqipëria e drejtuar nga Loro Borici, dhe me Panon, Memën, Rragamin, Zhegën, Bizin, Gjinalin e Dinellën në fushë barazonte 0-0 duke eleminuar Gjermaninë nga finalet e Euro 68. Për Shqipërinë ky ishte rezultati më i madh historik i regjistruar ndonjëherë për atë periudhë, dhe 4 vjet më vonë, më 17 shkurt, Gjermania do të fitonte vetëm me një gol të Gerd Muller në Tiranë, ndërsa në ndeshjen e kthimit do të triumfonte 2-0, për të fituar më pas në Belgjikë titullin europian, raporton Supersport.
Duhet të vinin vitet 80-të, që Shqipëria dhe Gjermania të përballeshin sërish me njëra-tjetrën për eliminatoret e Botërorit këtë herë. Në Tiranë, dy gola të Schuster i dhanë fitoren Gjermanisë, ndërsa në ndeshjen e kthimit në Dortmund, rezultati ishte një nga ata që më mirë të mos kujtohen, 8-0. Gjithsesi Shqipëria përballoi dy vjet më vonë Gjermaninë për eliminatoret e Euro 84, duke nisur një seri humbjesh të ngushta. Në Tiranë më 30 mars 1983, Gjermania fitonte 2-1, me nga një gol të Voeller e Rummeniges, ndërsa Targaj shënonte për Shqipërinë. Në ndeshjen e kthimit, një gol i jashtëzakonshëm i Genc Tomorrit i jepte epërsinë Shqipërisë, përpara se Rummenige dhe Strack të përmbysnin rezultatin në favor të Gjermanisë.
Në vitet 90-të nisi një tjetër histori përballjesh me Gjermaninë. Për eliminatoret e Angli 1996, Gjermania fitonte 2-1 në Qemal Stafa, me gola të Klinsman dhe Kirshten, ndërsa për Shqipërinë barazonte provizorisht me një goditje dënimi fantastike, Hysen Zmijani. Në Kaiserslautern, në stadiumin e legjendës së “Mrekullisë së Bernës”, “Fritz Ëalter”, Gjermania sërish fitonte 2-1, me gola të Mathaus dhe Klinsman, kurse për Shqipërinë realizonte Altin Rraklli, që në atë periudhë Gjermaninë e njihte mirë duke qenë se aktivizohej në radhët e Freiburg.
Në 1997 Shqipëria do të luante dy herë të tjera me Gjermaninë, për Francë 1998, vetëm se këtë herë në Granada. Gjyqtari Piraux duket se na kishte me sy të mirë, ashtu si dhe mbrojtësit gjermanë, që na dhanë 3 11 metërsha, dy prej të cilave i shndërroi në gol, Kola. Problemi vetëm ishte se për Gjermaninë shënoi 3 herë Kirshten. Nga marsi në Tetor, sërish me Gjermaninë na ndau vetëm një gol. Në Tiranë, për shkak të një black out, shqiptarët menduan se kishin barazuar 3-3 në Hanover, por një njoftim i mëvonshëm i TVSH, na zbuloi se gjermanët kishin shënuar në minutën e 90-të, me heroin e Ëembley, Bierhoff.
Në 2001, Gjermania na mundi sërish në Leverkusen 2-1, po në minutat e fundit falë golit të parë në përfaqësuese të Kloses, që më pas u shndërrua në shënuesin më të madh në historinë e kampionateve botërorë. Në Tiranë ndërkohë Rehmer dhe Ballack, i jepnin gjermanisë fitoren dhe njëkohsisht dhe kualifikimin për në Botërorin e Koresë së Jugut dhe Japonisë. Në total gjermanët kanë 13 fitore dhe një barazim. Megjithatë dhe Shqipëria e ka një dhjetë ndaj tyre, atë të numrit të golave të shënuar.
