Incidenti që ndodhi dy ditë më parë në Kolonjë, në mitingun e Lulzim Bashës, është shoqëruar me arrestimin e një të riu nga Policia e Korçës.
Uniformat blu bën me dije ditën e djeshme se u vu në pranga Suel Liço, 27 vjeç, pasi gjatë takimit që ka pasur Partia Demokratike, ka hedhur një karrige jo në drejtim të podiumit, ku për pasojë është goditur Fuat Mydini, 74 vjeç, banues në Ersekë, i cili ka marrë mjekimin në spital.
Ky është versioni zyrtar i policisë, ndërkohë që i lënduari tregon se çfarë ndodhi gjatë takimit, që po zhvillohej me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Ai nuk ma hodhi mua karrigen, ia hodhi Lulzim Bashës, sepse unë isha shumë pranë me të. Ç’rëndësi ka që më zuri mua. Unë nuk kam gjë me atë djalin, as nuk e njoh fare”, tha Fuat Mydini.
Pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Ersekës, i plagosuri është nisur për kontrolle më të specializuara në qytetin e Korçës. “Kishte marrë një plagë sipërfaqësore në kokë, në pjesën temporale. U mjekua dhe gjendja e përgjithshme e tij është e mirë”, tha Fatime Malushi, drejtoreshë e spitalit të Ersekës.
Kandidati i majtë në Bashkinë e Ersekës ka komentuar ngjarjen, duke u distancuar dhe duke e shpjeguar atë si një reagim emocional të 27-vjeçarit, kur ka parë duke folur në tribunë xhaxhanë e tij. “Gjej rastin të distancohem plotësisht nga veprime të tilla, kushdo qofshin pas tyre.
Madje dua t’ju siguroj se Kolonja nuk shquhet për incidente të tilla.
Gjithashtu, siguroj se fushata, pas kësaj ngjarjeje, do të vazhdojë e qetë, normale. Absolutisht që gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më, pavarësisht se incidenti i djeshëm kishte karakter emocional. Njëri prej folësve dje në miting ishte xhaxhai i këtij që ka hedhur karrigen.
Të tjerat i di vetë Kolonja”, tha Arben Malo, kandidat për Bashkinë Ersekë. Incidenti ndodhi ndërsa kryetari i Partisë Demokratike po bënte prezantimin e kandidatit të djathtë për Bashkinë e Ersekës.
