Njeriu që është shpallur si personi më i kërkuar në listën e Interpol Tiranës për atentatet me bombë ndaj familjes së ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, rezulton të jetë edhe kreu i një grupi xhihadistësh terrorist në Itali.
Autoritetet e vendit fqinj kanë identifikuar praninë e një celule xhihadiste në Venecia, e cila drejtohet nga pikërisht nga i riu Baftjar Bruka, 24-vjeçari i akuzuar si mjeshtri i bombave me celular, dy prej të cilave u vendosën te farmacia e Bashkim Tahirit dhe afër banesës së tij më 10 shkurt.
Mediat italiane kanë publikuar dje lajmin referuar informacioneve zyrtare nga policia dhe prokuroria, se aktualisht Bruka është drejtues i grupit të xhihadistëve, që planifikonin sulme terroriste në Itali. Nuk dihet nëse 24-vjeçari që u arratis pak ditë para se të bëhej operacioni policor në Tiranë, ka rritur intensitetin e veprimtarisë terroriste këto dy muaj, apo ka pasur kontakte edhe më herët.
Po në kërkim për atentatet e Tiranës është shpallur edhe daja i tij biznesmen, Vladimir Gjuta, i cilësuar personi organizator për sulmin ndaj Tahirit. Dyshohet se edhe ai mund të fshihet në Itali bashkë me nipin.
Lajmi i bujshëm
Media italiane, “L’Espresso” shkruan se Baftjar Bruka është një teknik, në gjendje të realizojë vendosje eksplozivi të lidhur me telefona celularë. “Me këtë teknikë, ai tentoi të godiste në Tiranë tre herë brenda së njëjtës ditë”, thekson artikulli, pa përmendur rastin e ministrit Tahiri, por duke nënvizuar ngjarjet e ndodhura në fillim të shkurtit.
Një emër i njohur për drejtësinë italiane, Bruka është kontrolluar nga autoritetet sa herë ka shkelur në këtë vend, pasi cilësohej kontingjent i rrezikshëm. Në vitin 2013 u ndalua në Pisa, më vonë në Firence dhe në shkurt 2014, la gjurmët në Venecia, në kontrollin e radhës së sigurisë. Edhe media të tjera italiane shkruanin dje se “Bruka po bashkëpunon me një sirian të quajtur Ahmed Dughaim.
Ky i fundit ka qenë luftëtar në vitin 2012 në Lindjen e Mesme. Sipas hetuesve italianë, Bruka dhe siriani po hetohen në Itali, si të dyshuar për planifikimin e një sulmi terrorist në Venecia. Hetuesit besojnë se Bruka ndodhet në Venecia, ku po organizon një rrjet xhihadistësh shqiptarë”, raportonin mediat.
Veprimtaria e fshehtë
“Venecia është qyteti ideal për t’u fshehur: Një luftëtar i huaj zhduket lehtësisht në turmë dhe mes pëllumbave në “Piazza San Marco”, pak a shumë siç arriti të bëjë shefi i mafias siçiliane Toto Rina, që në Venecia shkoi në muajin e mjaltit, edhe pse ishte në arrati.
Nuk është aq e vështirë të imagjinohet një tjetër komplot terrorist kundër Italisë. Edhe Venecia, tepër e qeta Venecia, mund të bëhet një objektiv potencial dhe strehim për përfaqësuesit e xhihadit ndërkombëtar”, shkruan “L’Espresso”.
Policia italiane është vënë në ndjekje me të gjitha shërbimet e saj, përfshi edhe agjentë të shërbimit sekret, për të zbuluar vendndodhjen e Brukës dhe realizuar kapjen e tij. Dyshohet se me të mund të jetë edhe i kërkuari tjetër në Shqipëri për atentatet, Vladimir Gjuta. Qëllimi i autoriteteve italiane është parandalimi i akteve terroriste, pasi po tentohet rekrutimi i shumë shqiptarëve dhe të huajve nga Lindja e mesme.
