Konservatorët në Britani po shkojnë drejt fitores. Fitore, që tërheq vëmendjen mbi marrëdhënien e ardhshme BE – Britani. Drejtuesi i konservatorëve Kamerun, e ka kushtëzuar raportin me Brukselin, nëpërmjet kërkesës për reformim të Unionit, që në pamundësi do të detyrojë qytetarët britanikë të rishikojnë marrëdhënien e tyre me BE-në, nëpërmjet një referendumi në 2017. Por, çfarë pritet të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve dhe a po synon vërtet Britania një dalje nga BE ?
Që prej ardhjes së tij në pushtet drejtuesi konservator, prezantoi ambicien britanike për një rishikim të pozicionit të saj, në BE. Një ambicie, që u vlerësua se ekuilibronte fraksionet e ndryshme euroskeptike, brenda konservatorëve. Ky rishikim i marrëdhënieve me Unionin, synon një reformim të mundshëm të tij, që në thelb ka të bëjë me ndërhyrje dhe modifikime në traktate. Nën këtë ambicie qartazi të motivuar, qeveria konservatore ka përfunduar edhe një proces auditimi, të nisur që në vitin 2012. Proces, që ka bërë të mundur evidentimin e fushave kryesore, në të cilat Britania e Madhe kërkon reformime dhe që do të shërbejnë si argumente mbështetëse ndaj kërkesës së tyre për reformim dhe hapjes së mundshme të një faze negociuese me Unionin. Në rast se, kjo fazë negocimesh do të rezultojë e pasuksesshme, Britania do të shkojë drejt një Referendumi për të vendosur, nëse do të qëndrojë apo të dalë nga BE.
Axhenda britanike kërkon reformim të Unionit në katër shtylla kryesore: Thellim i tregut të brendshëm; Riekulibrim i shpërndarjes së kompetencave; Ekuilibër mes vendeve anëtare dhe jo anëtare të zonës euro; Përmirësim të procesit legjislativ. Fushat e specifikuara ku kërkohet që reformat të imponohen janë: Qarkullimi i lirë i personave; Politika ekonomike dhe Monetare; Buxheti evropian; Subsidiariteti dhe proporcionaliteti; Politika e kohezionit; Politika agrikulturore; Fiskaliteti.
Por, a do të arrijë dot Britania e Madhe, të bindë shumicën e vendeve anëtare të BE-së, se Unioni duhet reformuar ?
Vetëm disa ditë më parë, kreu i Komisionit Evropian Junker, do të deklaronte përgjatë një aktiviteti akademik në Flandër të Belgjikës:
“ Unë dua një marrëveshje të drejtë me Britaninë, por Britania nuk është në një situatë për të imponuar axhendën e saj ekskluzive të gjithë shteteve të tjera të Evropës”…(…)…”Unë jam mbrojtës i fortë i lirisë së lëvizjes së punëtorëve”…(…)…”Ky është një parim themelor i BE-së, i përcaktuar në Traktatin e Romës. Kështu që, britanikët janë të ftuar të paraqesin një listë me kërkesat e tyre, ne do t’i ekzaminojmë ato, me një vëmendje miqësore dhe më pas do të shohim. Unë nuk dua që Britania të lërë BE-në, por unë nuk dua që BE të ndjekë një komandim ekskluzivisht britanik”.
Mbi çështjen e qarkullimit të lirë të personave, edhe Berlini është shprehur qartë dhe i prerë, duke e deklaruar një zonë të paprekshme, pavarësisht problematikave ekzistuese.
Por, marrëdhënia e Berlinit me Londrën sigurisht që nuk kufizohet në disa detaje refuzuese, por është më e fortë dhe më ndërvepruese. Lidhjet e fuqishme historike, kulturore dhe sidomos ato ekonomike, kanë bërë që Berlini të ketë një përqasje më mirëkuptuese ndaj kërkesave që vijnë nga Londra. Deri më tani është konfirmuar, se, pozicioni i Berlinit do të shkojë drejt një balancimi apo ekuilibrim të situatës, duke shmangur një rishikim në themel të traktateve, por nga ana tjetër, duke akomoduar Londrën drejt rishikimit të disa prej kërkesave të rëndësishme të saj. Kryesisht në fusha ku ka një perceptim të përbashkët, mbi nevojën për një rishikim të domosdoshëm. Disa prej tyre përfshijnë: zhbalancimin në konturimin e një Evrope me dy marshe, mes anëtarëve të zonës euro, që po thellojnë gjithnjë e më shumë bashkëpunimin mes tyre dhe anëtarëve të tjerë të BE-së, që s’janë pjesë e zonës euro, si Britania; nevojshmëria për thellimin e mëtejshëm të tregut të brendshëm; marrëveshja apo traktati i shkëmbimit të lirë me SHBA, etj.
Teksa politika ka një rrethrrotullim të konsiderueshëm ndaj aksit Berlin-Paris, Franca është e pozicionuar më në tërheqje. Pozicionimi diplomatik i saj, shfaqet i rezervuar, teksa është deklaruar se, pritet vendosja mbi orientimin e ardhshëm politik të Britanisë, nëpërmjet procesit zgjedhor. Por, sugjerimet e bëra publike nga brenda klasës politike franceze, shkojnë drejt mbështetjes së opsionit, për një logjikë bashkëpunimi në mirëkuptim të pozicionimit britanik, për shkak të rrethanave të veçanta historike, kulturore dhe gjeopolitike, që e kanë pozicionuar vazhdimisht Britaninë dhe qytetarët e saj në stepje dhe frenim, ndaj një ndërtimi më të thellë dhe të avancuar politik të Unionit.
Britania në marrëdhënie me Unionin, e ka shprehur vazhdimisht synimin e saj, për një përqasje të pastër ekonomike në thelb, duke refuzuar si një bashkëpunim të thelluar politik, apo një federalizëm të mëtejshëm evropian, por edhe duke refuzuar pjesëmarrjen në një sërë hapësirash bashkëpunuese, si mospjesëmarrja në zonën Euro, qëndrimi jashtë zonës Shengen, qëndrimi jashtë Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, etj.
Konfirmimi i Kamerun, pritet të shoqërohet me ndjekjen e premtimeve të tij, mbi hapjen e një faze negocimi të rishikimit të raportit të Britanisë me Unionin. Kërkesat, që parashikohen sigurisht që janë tepër të larta deri në një pamundësi reale, pasi që të arrihet një rishikim në themel i bazës ligjore të Unionit, pra traktateve, kjo kërkon më shumë se, sa një mbështetje të pjesshme nga Berlini. Lideri i konservatorëve, Kamerun është i vetëdijshëm për këtë pozicionim dhe kërkesat e parashtruara kanë një lloj elasticiteti, pasi hapësira është e gjerë për manovrim dhe ato mund të konsiderohen të “plotësuara” edhe nëpërmjet futjes së ndonjë mekanizmi juridik, apo instrumenti plotësues.
Nga ana tjetër, ndonëse ambicia konservatore ka shprehur “presionin kërcënues” për një largim nga Unioni, në thelb vlerësohet gjerësisht, se nuk është veçse një taktikë për rritje presioni në negocime dhe se synimi është veçse një pozicionim më komod i Britanisë dhe interesave të saj specifikë. Frika e ekspozuar përgjatë fushatës për pavarësinë e Skocisë, mbi një tkurrje të mundshme territoriale, është një tjetër element që nuk ushqen aspak favorizimin e një opinioni, për izolim, apo shkëputje të Britanisë nga BE. Euroskepticizmi britanik vërtet përbën një nga shifrat më të larta në opinionin publik evropian, i ushqyer nga një mendim elitar i vazhdueshëm mbi suksesin e penguar kombëtar nga futja në BE, si edhe nga një media e fuqishme euroskeptike. Por, ky euroskepticizëm gjithmonë ka pasur një kufi inteligjent, duke arritur të dallojë ku mbaron efekti i retorikës politike dhe ku fillon dobishmëria e një kombi, pjesë përbërëse e strukturave integruese evropiane. Gjithsesi, ky do të jetë një proces, që as Unioni nuk mund ta neglizhojë, por as Britania nuk do të tërhiqet pa marrë disa prej “koncesioneve” të saj. Shkëputja nuk është opsioni më i favorshëm për të dy palët./im.ta/
