AMF dhe DPPP marrëveshje për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit

Dita

Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave si dhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare nënshkruan të premten, në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi. Marrëveshja synon rritjen e rolit mbikëqyrës për forcimin e sistemit parandalues të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në vend.

“Kjo marrëveshje i shërben angazhimit dhe mbështetjes së vazhdueshme në përpjekjet e përbashkëta për rritjen dhe konsolidimin e nivelit të përputhshmërisë së subjekteve të ligjit, shkëmbimin e informacionit, trainimet dhe inspektimet e përbashkëta dhe zbatimin e standardeve ndërkombëtare në fushën e parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, tha pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje kreu i DPPP-e, Gent Gazheli.

Nga ana e saj, Kryetarja e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Enkeleda Shehi nënvizoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përmbush një detyrim ligjor të ligjit të sigurimeve dhe risigurimeve si dhe institucionalizon bashkëpunimin mes të dy këtyre institucioneve.

“Pikat kryesore të bashkëpunimit do të jenë në drejtim të shkëmbimit të informacionit për të gjitha subjektet që mbikqyren nga AMF, duke nisur që nga licencimi i tyre”, theksoi znj. Shehi.
Palët nënshkruan edhe që të respektojnë kërkesat e legjislacionit në drejtim të mbrojtjes së konfidencialitetit.

Vetëm pak kohë më parë u deklarua se Shqipëria nuk do të bëjë më pjesë në grupin e vendeve që janë nën monitorim të vazhdueshëm për pastrim parash dhe financim terrorizmi. Vlerësimi është dhënë nga Guida Ndërkombëtare e Riskut të Shteteve dhe FATF, Task Forca për Aksionin Financiar, që janë të dyja organizata botërore, të cilat bëjnë analizën e shteteve në këtë drejtim./

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *