Partitë tona, të lehta në shoqëri, të rënda në pushtet. Teprimi me politikë në TV po krijon liderë të sëmurë

redaktor

Publicisti Rando Devole mendon që situata me partitë tradicionale shqiptare është e rëndë.

Në qoftë se partitë e duan politikën dhe jo pushtetin, duhet t’i bëjnë reforma themelore strukturave dhe misionit të tyre. Përndryshe, fjala politikë do ta humbasë edhe kuptimin etimologjik – shkruan Devole në blogun Peizazhe të Fjalës.

Ai thotë se nuk mund të flasim më për ideologji dhe se partitë janë pesha të lehta në shoqëri por pesha të rënda në pushtet.

“Që partitë e sotme shqiptare janë pesha të lehta mund ta kuptosh nga testi i shkollave të formimit. Partitë shqiptare nuk merren e as janë marrë ndonjëherë seriozisht me formimin e klasës drejtuese të tyre duke organizuar p.sh. nisma trajnimi e formimi. Anomali e vërtetë në politikën bashkëkohore. Fajin mund t’ia vëmë metodologjisë së rekrutimit, që bazohet kryesisht tek kooptimi, por edhe mungesës së mendimit të përpunuar politik, meqë nuk mund të flasim më për ideologji. Mirëpo, partitë shqiptare janë sa të lehta në shoqëri, aq edhe të rënda në pushtet. . – shkruan ai

Publicisti tërheq vëmendjen mbi degradimin e ekraneve televizive në shërbim të politikës:

“Përveç kësaj, nuk mund të mos përmendet mediatizimi i politikës shqiptare, e cila “komunikon” me shoqërinë vetëm nëpërmjet ekraneve televizive. Madje mund të flasim edhe për partizim të mediave, meqë këto na shfaqen si shtojca të zyrave të shtypit të selive partiake, pa autonomi mendimi e veprimi, madje pa aftësi interpretimi e përpunimi. Kuptohet qartë se në kushte të tilla klimatike nuk mund të mos rritet e të zhvillohet një liderizëm i sëmurë, që krijon liderë të cilët midis vetes e popullit shohin vetëm pengesa e stërkëmbësha, kur këto nuk dalin me trajtat e një telekamere ose të fijeve të mikrofonit…” – shkruan ai. / DITA

 

*******

Karikatura nga Medi Belortaja. Shkrimi i plotë mund të lexohet këtu

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *