FOTO KOMENT: Rilindja që erdhi nga humbja – Gjermania, një shembull i pashoq për ringritjen njerëzore

redaktor

Dje, 8 maj 2015, më ndodhi diçka e pazakontë. Një mik i imi i vjetër prej 15 viteve, saktësisht që ditën kur filluam të punojmë sëbashku, Dieter Lechner, me atë zhurmërimën e tij të veçantë, ndërsa po ndërronte një fletë kalendari, më tha se si sot, 70 vite më parë, vendlindja e tij, Gjermania, kishte ditëhumbjen e saj më të madhe, por njëkohësisht edhe ditën e parë të ringritjes historike si komb dhe si vetëdije kombëtare.

“Është ndër ato rastet e veçanta, shtoi ai, kur dita e parë e humbjes është edhe dita e parë e ringritjes. Nëse nuk do të kishim humbur, kjo do të kishte qenë fatkeqësia më e madhe për tërë kombin tonë, por jo vetëm për ne, fitorja jonë do të kishte qenë fatkobi i gjithë botës”.

Nuk isha kujtuar se 8 maji është dita e kapitullimit pa kushte të Gjermanisë naziste. Për më tepër, as që më kishte shkuar ndër mend se tashmë ishin bërë 70 vite të kapitullimit dhe se, si çdo gjë në botën e ndarë të dikurshme, edhe dita e kapitullimit ishte e ndarë në dy data: në 8 maj për Gjermaninë e dikurshme perëndimore, dhe në 9 maj për Gjermaninë e dikurshme lindore dhe për gjithë bllokun e Lindjes.

Miku im, Dieter Lechner, nuk është nga ata që mban në vete nostalgji të së shkuarës. Është tepër i ri për të patur mbi vete ndjenjën e pendimit, por, megjithatë, në të gjithë fjalët e tij, të pazakonta për nga gjatësia, e kishte edhe atë: bëmë mirë që humbëm, pasi, ashtu si ishim, mizorë dhe të jashtënatyrshëm, deri në bishërim, do të ishim tani të trajtuar si kanibalët e Europës.

Ndodh edhe kjo në historinë e një populli: të rimarrësh veten, pasi ke menduar se tashmë është fundosur gjithçka. Të dalësh nga gremina, kur mendon se aty do të jesh përjetësisht. Të mos e dish në se je në fundin e përmbysur të tunelit të dhimbjes dhe megjithatë të mendosh se një ditë do të mund të jesh në sipërfaqe.

Për atë që ka ndodhur nën pushtetin e Gjermanisë naziste bota tashmë ka ende pamjen e qartë deri në detaje. Edhe ajo që është menduar dikur se mund të mbahej e fshehur, tashmë është e dukshme dhe e trajtuar nga të gjithë. Ndoshta më shumë se nga gjithçka tjetër e gjithë ajo që kishte ndodhur mund të përmblidhej në fjalët e mikut tim se: “ndërsa kishim futur gjithë botën në kampet e përqëndrimit dhe shikonim qetësisht shfarosjen e saj, vetë ne ishim brenda një ferri që po mbyllte gjithçka të mirë që kishim pasur në shekuj”.

Si e thashë, e shkuara e para 8 majit 1945 është një fakt i ditur. Ajo që ka ndodhur në luftën kundër nazismit ka qenë ndoshta ndër shembujt e fundit se mund të luftohet së bashku për një botë më të mirë, dhe se, pas saj, filloi akullimi si një sëmundje e rëndë e popujve të lindjes komuniste.

Ajo që mbetet ende e pashpjeguar , ndoshta edhe një enigmë e padukshme ende si duhet, është pikërisht ringritja, ringjallja e një shteti të falimenduar deri në rrënjë, të përmbysur në të githë detajet e jetës së tij; ku ishin nën përmbysje jo vetëm banesat e shembura, rrugët e bllokuara, sheshet gërmadhë, të zhdukurit milionësh, të burgosurit deri në Siberinë e largët, miliona e miliona të vrarë, por vetë shpirti gjerman kishte heshtur, ishte tkurrur dhe ishte bërë aq i mbyllur sa që nuk mendonte dikush se mund të rigjallërohej.

Kishte ardhur një periudhë kur kushdo do e kishte të vështirë t’i thonte të tjerëve se ai ishte një gjerman.

Çdo gjë ishte e frikshme rreth tyre, por ata ishin një popull që nuk kishin frikë.

Në 70 vite shteti gjerman është padyshim forca tërheqëse e Europës, është, si të thuash, ringritja e saj dhe njëkohësisht njëri ndër sinonimet më të fuqishme. Të ishte bërë kjo profeci para 70 viteve shumë kush do të ishte quajtur i çmendur. Edhe më optimistët nuk e mendonin se do të mund të kishte një ringritje, sidomos të emrit dhe të shpirtit gjerman, para se të kalonin shekuj.

Shpesh herë është folur për planin Marshall, si një formë shtytëse e ekonomisë gjermane. Nuk mund të mohohet se në themel ka pjesë të këtij plani ndihmës për Europën e shkatërruar, një strukturë që i bën nder civilizimit dhe mendimit progresiv amerikan, po aq sa i bën nder hartuesit të saj, gjeneralit marshall, ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, i cili mendoi këtë plan të mrekullueshëm paqeje.

Por nuk është thjeshtë ky plan që bëri rilindjen e kombit e shtetit gjerman, ndër vendet e botës perëndimore të pasluftës, si askush tjetër, Gjermania ishte nën gërmadha. Vetë ata kishin bërë shkrum i hi qytete të tëras, por edhe shtetin e tyre e gjetën nën gërmadhat e luftës. Plani Marshall ishte i pranishëm edhe në Francë, Itali, Belgjikë, thuajse kudo ku kishte qenë lufta; por askund tjetër rilindja nuk ishte me ritme kaq të larta sa në shtetin gjerman.

Duke jetuar më shumë se dy dekada në këtë vend mendoj se katër ishin gjërat themelore që ringritën një komb.

Së pari, pavarësisht se cilët erdhën në pushtet pas luftës së dytë botërore, gjermanët e besuan shtetin e tyre. Ata e besuan atë në të mirë e në të keq, si mund të thuhet. Duke e ndjerë veten të gjithë bashkëfajtorë të asaj që kishte ndodhur, por edhe bartës të vuajtjes, ata e përceptuan shtetin jo si një hallkë mizore, por si rregullatorin e domosdoshëm dhe jetik të rilindjes së tyre. Kancelari i parë gjerman, Konrad Adenaueri, njeriu që mori përsipër fillimin e rilindjes gjermane nuk kishte qenë një njeri dorëjashtë pushtetit dhe politikës të së shkuarës, por , me atë mentalitetin e rreptë prusian, ai e risolli tek gjermanët idenë e shtetit si sipërmarrës i fuqishëm, që megjithëse nuk ndërhynte në punët vetjake të njerëzve, mori të drejtën të komandonte për disa vite afishimin e vlerave të gjithë secilit.

Në muajt e vitet e para të pasluftës shumë gjermanë braktisën shtetin e tyre dhe shkuan deri në skajet më të largtëta të Australisë apo të Zelandës së re. Kërkuan atje një atdhe të dytë si të kërkonin sot diku një strehim politik. Dsa prej tyre ndërruan edhe emrat, i britanizuan, nëse mund të them kështu. Kjo ndodh shpesh herë pas disfatave të mëdha, të cilat nuk janë humbje. Sepse jo çdo disfatë është humbje, si nuk ishte disfatë në Shqipëri humbja e idesë komuniste dhe e vetë shtetit komunist.

Ajo që ndodh sot në Shqipëri është e kundërta e asaj që ndodhi 70 vite më parë në një shtet që kërkonte të dilte nga totalirizmi dhe diktatura naziste. E keqja më e madhe tek ne është se pak kush ose askush e beson shtetin. Ai është kthyer në një asgjë dhe përbërësit e tij janë avulluar.

Së dyti, më shumë se gjithçka tjetër, klasa politike gjermane i thirri mendjes për të bërë një përbashkësi vlerash, përmes së cilave mund të rilindte kombi i tyre. Më ka rënë rasti të lexoj disa nga proçesverbalet apo shënimet e mbledhjeve të para të parlamentit gjerman. Në një kohë kur ndoshta përballë socialdemokratëve, që ishin surgjynosur, vrarë e burgosur, mund të qëndronin edhe pinjollë të familjeve që kishin qenë të heshtur përballë idesë naziste, por kjo nuk ka krijuar kurrë atë klimë ulëritëse si ndodh edhe sot në parlamentin shqiptar.

Klasa politike gjermane bëri që në fillimet e rilindjes së kombit të tyre pikërisht atë që mungoi në parlamentin shqiptar: ndau në dy pjesë të dukshme vetjaken dhe atë që ishte në dobinë e vendit të tyre. Mendjet më të hapura u thirrën të jenë përfaqësues të verdiktit të popullit, dhe, nuk është për t’u çuditur që thuajse asnjëherë në parlamentin gjerman nuk ishin vendosës, ndoshta nuk ishin fare, asnjë nga përfaqësuesit e lartë të botës financiare. Nëse edhe në atë vend të ringritur, gjyysma e parlamentarëve do të ishin biznesmenë , me një fillesë enigmatike, Gjermania nuk do të ishte kjo që është sot.

Së treti, disiplina gjermane, për të cilën njerëzit flasin edhe sot jashtëzakonisht shumë. Ndoshta kjo është njëra ndër vlerat e herëshme të kombit gjerman, por, duhet thënë, se ajo nuk është e kushtëzuar nga përceptimi i jetesës, por nga një shtytje e brendshme, e ngulitur në vazhdimësi si një normë e zakonshme. Kushdo që sheh për herë fotografitë e një qyteti të madh gjerman shtatëdhjetë vite më parë, mund të mendojë lirisht se ai qytet nuk mund të bëhet më. Aq më pak do të mund të bëhej ashtu si ka qenë dikur, me ndërtesat e stilit të veçantë, gjithë zbukurime dhe monumente, me parqet e mëdha dhe gjelbërimin e gjithkundëshëm; se do të mund të ringrihej industria e thërmuar apo se mund të funksiononte tregu , në një vend ku buka e përditshme apo patatja tradicionale ishin një luks i pazakontë.

Erwin Walker, një botues i hershëm, i cili tani po shkon drejt përvjetorit të 95-të, më tregonte para disa kohësh se, në vitet e para, pas luftës, mbasi punonin tetë ose dhjetë orë në punën e tyre; dhe ai ishte pronar; duhej të udhtonin disa kilometra me biçikletë, për të punuar tre ose katër orë në pastrimin e qytetit.

Walker kishte qenë një ushtarak gjerman, pjesë e luftës. Si fotoreporter kishte humbur gjatë luftës dy aparate fotografike; të parin në Stalingrad, dhe unë i thoja se kur ia kishte mbathur e kishte harruar; dhe të dytin në Beograd, dhe unë i thoja se ia kishin vjedhur shërbyesit serbë, çka, për të dyja rastet, pas disa ditësh, duke lexuar ditarët që kishte mbajtur, i saktësoi si të vërteta.

Walkeri më tregonte se muajt e parë e ndoshta disa vite, ajo që kishte mbajtur shpresat e tyre kishte qenë puna, asgjë tjetër. Nuk kishin pritur nga askush, dhe shtonte, nuk pritëm as nga Zoti, sepse e kishim harruar e kishim rënë në mëkat. Kishte qenë një minimum prej 12 orësh punë në ditë, me një pushim të vetëm në ditën e diel. Udhëtim i përditshëm, pas punës, deri në 20 kilometra, për të vajtur tek qyteti ku pastroheshin gërmadhat. Nuk e mbante mend në se kishte munguar ndonjë ditë ndonjëri nga punëtorët e tij, për vete ishte i bindur se asnjë orë nuk kishte munguar. Askush nuk i kontrollonte, veç asaj që kishin ndjerë në vete për të ribërë kombin e tyre.

Së katërti, alternimi i pushtetit, duke pasur gjithnjë në vete verdiktin e një populli, i cili, kur lodhej nga një qeverisje, qoftë e majtë apo e djathtë, vendoste ndryshe. Nëse sot një socialdemokrati gjerman i flet keq për Adenauerin apo Kohl e Merkel, ai të shikon me habi. për të, ata janë vlera gjermane, pjesë e ringritjes së kombit. Nëse një demokristiani i flet keq për ish kancelarin socialdemokrat Willi Brandt, ai të shikon me përbuzje. Sepse edhe ai është vlerë kombëtare gjermane.

Në 70 vitet e ringritjes së tij kombëtare shtetit gjerman i prinë jo gjithnjë burra të jashtëzakonshëm. Kishte mes tyre edhe të zakonshëm. Të cilët, edhe pasi shkuan , nuk lanë pas vetes ndonjë mbresë të veçantë apo një shenjim apostolik.

Por ata që ishin vërtet tribunë të lartë shteti, prijës në gjithë kuptimin e kësaj fjale, kombi gjerman, pavarësisht se ku jeton, i bëri pa mëdyshje pjesë të mendimit të tij politik dhe , njëkohësisht pjesë të historisë së rilindjes së tij.

70 vite më parë ishte një shtet i humbëtuar. Jashtë çdo logjike njerëzore. Pas 70 viteve është epiqendra e Europës dhe njëra ndër mrekullitë e rilindjes botërore.

Ishte një humbje që erdhi për të mbarë.

Kur do e kemi edhe ne një “humbje” të tillë?

 

ger 1 okger 2 okger 3 okger 4 okger 5 okger 7 okger 8 ok

Foto: Berlini dhe Dresdeni disa ditë pas përfundimit të luftës dhe kapitullimit të Gjermanisë naziste

 

Share This Article
20 Comments
  • Shkrim i bukur dhe i sakèt pèr njè Popull gjigand, puntorè dhe tè Ndershèm, ku me zgjuarsi e punè dolèn nga katastrofa e luftès dhe rindèrtuan Shteti model dhe lokomotivè tè Evropès. Ne nuk zgjodhem kètè Popull pèr model por pèr 24 vjet shkatrruam mè keq ç’do gjè! Asnjè herè nuk eshtè vonè pèr tè mar shembull dhe mdelin pèr ta rindertua vendin dhe begatuar popullin, por duhet tè paktèn tè pèrvetsojm dy cilsit: Ndershmèria dhe Puna!

  • Njeriu dhe gazetari i mire Bedri Islami she larg…gjykon dhe orienton drejte per ata shqiptare qe din te lexojne…Ndoshta do te kemi edhe ne shqiptaret (besojme te RILINDJA),nje “humbje” si paten gjermanet pas 8-9 Majit 1945 ne Gjermani….Kam lexuar…Disa gjeneral gjerman,zene rober nga ushtria e Napolonit,diskutonin me koleget frances,se gjermanet luftonin per moral,kurse francezet per pasuri…Dihet nderhyrja e Napolonit:Sejcili lufton per ate qe i mungon

  • Disiplina, lider te pergjegjshem,puna e perbashket vullnetare,ligjvenes jo bizesmen,ndergjegje kombetare,.Po ne shqipetaret sa kemi nga keto cilesi?

  • Patjeter qe populli Gjerman ka virtyte te vecanta, por mos harroni planin marshall!!
    Per te till plan ka nevoje Shqiperia qe asnjehere muk ka marre vemendje nga “miqte” tane amerikan,

  • Respekte I nderuar Islami ! E mbyllni shkrimin tuaj me shprehjen:”Kur do edhe ne e kemi nje “humbje” te tille?” Eshte e vertete,por ekziston nje kontrast shume I madh dhe shumeplanesh.Ne menyre koncize,po i permbledh:Ndergjegja shoqerore e jona ku e ku me ndergjegjen shoqerore gjermane.Shpirti praktik gjerman,nuk mund te krahasohet me civilizimin e kufizuar shqiptar.Morali shqiptar me moralin e konsoliduar gjerman.Lidershipi shqiptar qendron shume larg lidershipit gjerman.I pari e kerkon fronin per te vjedhe,ndersa i dyti per te kontribuar sa me shume.Ne Shqiperi kemi nje administrate qe jo vetem eshte e mbytur ne keneten e burokracise por edhe e paperkushtua per popullin.Nje administrate e mbushur me militante dhe me e keqja me humbamen.Ne Gjermani ka patur dhe ka institucione te afirmuara te drejtesise me punonjes korrekt dhe profesionist.E keshtu me radhe.Krahasimi duhet por ne rastin konkret nuk mund te behet.Ne duhet te marrim shembull nga Bosnja-Hercegovina,sepse ketij shteti mund t’i qasemi.

  • Shkrimi me pelqeu. Mendoj se shkrimi do te ishte me ralist ne se do te fliste edhe per keto gjera :
    – Dihet se “Traktati i paqes se Versajes” se vitit 1918 beri gabimin fatal,qe denoi Gjermanine e paslufes se pare boterore me demshperblime shume te medha, te cilat krijuan,sipas Keynesit ( kryetarit te sektorit ekonomik te delegacjonit anglez ne Versaje, i cili ishte kunder demshperblimeve te medha te vena Gjermanise dhe per kete dhe u largua nga delegacjoni anglez ) krijuan edhe bomben socjale ne Gjermani.
    Si rezulat i kesaj bombe socjale, per te mos e zgjatur, Hitleri hypi ne fuqi dhe pasojat dihen.

    – Nga gabimet e trankteit te paqes se Versajes amerikanet mesuan dhe per fatin e mire te botes dhe Gjermanise e ndihmuan gjermanine Federale me planin MARSHALL.

    – Mos te harrojme se ne vitin 1954 me kembenguljen amerikane u mbajt edhe Konferenca e Londres ku u vendos qe vendet e perendimit ti falinin Gjermanise Federale te gjitha borxhet. KJo gje u be me inisiativen amerikane qe kishte frike nga avancimi komunist edhe ne Gjermanine Federale.

    – Mos harrojme se edhe ne vitin 1989, kur u be bashkimi i dy Gjermanive dhe shteti i Republikes Federale Gjermane krijoje fondin disa qindra miljardash per rindertimin e Gjermanise lindore, vendet e Eurpes Perendimore rane dakord qe gjermanet te shisnin bonot e tyre te thesarit me nje norme i nteresi pothuaj se Zero gje qe beri
    qe Gjermania e bashkuar te merrte ne tregun e kapitalit nderkombetar kredi ne kushte shume te mira, me norme interesi pothuaj se Zero.

    – Desha te shtoj ketu se m.gj.se Gjermania pati gjithe keto perfitime, ajo nuk eshte dakord qe te ndihmoje vendet e Europes Jugore si Greqine, Francen, Italine, Spanjen, Portugaline etj. Kjo sepse me futjen e Euros u be gabimi qe nuk u muar parasysh performanca e ndryshme ekonomike e 18vendeve te Eurozones. Performancsa e larte ekonomike e Gjermanise e ben Euron te nenvleftesuar dhe nga kjo dihet se mallrat gjermane te jene reth 20% me te lira se mallrat e vendeve te Europes Jugore, gje qe sjell edhe rritjen ekonomike te Gjermanise.
    Kanzelaret e vjeter gjermane si Helmut Schmidt, Helmut Kohl dhe Gerhard Schröder kritikojne Merkelin per nje politike jo visionare ne lidhje me vendet e Europes Jugore.

  • Një shkrim që të çel dyert për të vjelë një përvojë të jashtëzakonshme,të një populli të jashtëzakonshëm! Unë e kuptoj pse z. Bedri Islami e ka shkruar këtë shkrim! Ai kërkon që t’iu thotë qeveritarëve të sotëm se Rilindja nuk vjen pa njohur e përtypur Rilindjen e kombit gjerman! Se duhet të sakrifikojmë si gjermanët! Se duhet të jemi të disiplinuar si gjermanët! Se duhet të kemi vendosmërinë gjermane etj,etj. Shtetarë e pushtetarë shqiptarë,-mësoni sesi ringrihen kombet nga hiri ! Mësoni sesi ju kini bërë gjithnjë të kundërtën e Rilindjes gjermane! Mësoni sesi duhet të jenë burrat që Rilindin shtetet dhe sesi të bëheni burra shteti! Deri tani vetëm burrat e grave dhe gratë e martuara me burra kemi parë në këtë vend! Rilindasit e vërtetë kthejnë hirin dhe shkrumbin në gruan apo burrin e tyre! Nderime Bedri Islami! Shkrim profetik për sekretet e fuqisë së ringritjes së shtetit!

  • *****..e vertete !… / HUMBJA DHE FITIMI JANE MOTER DHE VLLA /: thote nje fjale e urte popullore.Une e besoi dhe ne rastin e gjermanise ,ne nje dite vulos humbjen dhe ringjalljen ~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~#

  • Nuk do e kesh kurre nje humbje te tille.
    Qe te humbesh duhet te dijsh , te kesh.
    Ne si kemi patur keto asnjehere , atehere mos prit dhe shume kohe .
    Eshte sh e bukur permendja e ketij mikut fotograf.
    Ky humbi aparatet neper Europe , pra i sherbente shtetit te vet ne vijen e pare.
    Zoteria jote , shkruan nga Gjermania per vijen e pare.
    Ilustrimi i bukur per ” humbjen”.

  • Shkrim me vlera dhe sh i sakte. Mesazhi eshte i qarte per kedo Socialist dhe Demokrat qe do te lexoje,por akoma me i sakte eshte per shumicen e Shqiptareve qe jane pa Parti. Nese deri me sot na kane trajtuar si delet dhe ne jo pak raste kemi dashur vete qe te jemi si bagetia,tashme ne 21Qershor duhet ti japim fund sjelljes tone te papergjegjshme. Masivisht duhet votuar kunder PD PS LSI,te votojme kunder koalicionit te majte dhe atij te djathte. Vetem nese e humb pushtetin mund te reflektoje Klasa Politike . Te behemi te gjithe bashke dhe te votojme te pavarurit. Ne Tirane Bojaxhiun,ne Fier nje tjeter dhe keshtu me radhe ti japim shansin femijeve tane qe te shohin nje te ardhme ne SHTEPINE e tyre. Koha e Berishes Rames Metes ka mbaruar,se keta politikane te korruptuar nuk kane me se cfare te ofrojne……!!!

  • Kam folur vete personalisht me shume gjermamne, qe e kane jetuar amte kohe dhe me kane treguar ne biseda te rastesishme, se ne ato vite, nje kokerr patate e zier, ishte menuja e dites.
    Punonin pa fjale dhe pa teka te tjera, se ishin te ndergjegjshem, ne cfare varferie e kishin shtetin.
    Dhe Gjermania brenda nje 10 vjecari, mbas shkaterrimit total, u kthye ne lideren e padiskutueshme te ekonomise boterore.
    Kjo eshte Gjermania, ky eshte populli gjerman.
    Ne qofte se shqiptareve i duhet nje shembull, ky eshte shebulli gjerman.

  • Enveristi Bedri Islami me dashje apo pa dashje ka harruar se pas Luftes Gjermania ishte ndare me dysh dhe pervec Gjermanise Federale te Adenauerit per te cilen ai flet me kaq admirim, kishte edhe nje Gjermani tjeter qe quhej Deutsche Demokratische Republik me BOSA komuniste Wilhelm Pieck dhe Walter Ulbricht qe ishin sherbetoret me te devotshem te Rusise bolshevike qe implementuan ne Gjermanine Lindore sistemin komunist rus me shume pasoja fatale per popullin gjerman dhe per ekonomine e ketij shteti me potence te madhe njerezore. Vitet 89-90 treguan se ku e coi komunizmi sovjetik Gjermanine Lindore me gjithe STASIN e saj gjakatar qe ne gjermanisht shkruhet si “Staatssicherheit”, qe do te thone ne shqip Sigurimi i Shtetit ku bente pjese edhe enveristi Bedri Islami, prandaj edhe ne, intelektualet properendimore te vrare dhe te masakruar nga regjimi satrap i Enver Hoxhes nuk i pranojme keto shkrime hipokrite qe lavderojne sistemin kapitalist nga spiunet dhe komunistet e regjur te regjimit gjakatar te Enver Hoxhes.

    • Ti nuk je “Intelektuali”,por je nje bajge e felliqur antikombetare.Ti nuk diskuton per thelbin e problemit,se nuk e kupton dot,je nje idjot qe di vetem te vjellesh urrejtje e percarje.Si kokebosh pa as nje gram tru (per te qene njeri normal),je vetequajtur “Intelektual”,duke e perlyer e felliqur kete shtrese te ndritur te cdo kombi.

      • Ka shume spiuna te Sigurimit te Shtetit si Bedriu dhe si puna jote qe tere jeten punuan per Kauzen e Partise se Punes dhe tani hiqen si “Patriota” duke i kenduar hymne Kapitalizmit dhe Imperializmit te Enver Hoxhes. Prandaj antishqyptarizmin enverist tregoja sateme dhe tyteti qe te kane bere shpellar fanatik

  • EDHE SHQIPERIA U SHKATERUA NGA VETE NE ME NE KRYE s
    SA L I B E R I S H E N, por C’EDO,NUK E VUME VETEN NE ATO POZITA QE POPULLI GJERMAN VURI VETEN PER TE RINDERTUAR VENDIN.Sot tek ne po lulezon “antagonizmi i eger”midis politikaneve jo per opsione te zhvillimit POR se kush ta DAMKOSI tjetrin me shumeDHE MBAS KESAJ NE POPULLI PO VUAJME SE NUK KEMI TIMONIER QE TE NA DREJTOJE.

  • Enigma e Z. Bedri Islami!?
    Enigma për ringritjen e “shtetit të falimentuar gjerman” me krahasim në dëm të kombit shqiptar në rastin më të mirë tregon mungesë të njohjes së kushteve historike për të dy vendet, të brendshme e të jashtme. Populli shqiptar, i vetëm, me forcat e veta, është ngritur e ringritur kundër çdo pushtuesi e padrejtësie më se një herë në historinë e tij të shkuar dhe aktuale me përpjekje gjigande dhe në mënyrë shembullore. Ndryshe nuk do të kishte mbijetuar. Kush nuk e njeh dhe nuk e ndjen këtë linjë historike nuk kupton as realitetin e sotëm të favorshëm për ne dhe bije pre e përpjekjeve dhe e propagandës antishqiptare.
    Enigma e Z. Islami përbëhet nga katër pika (?) që nuk mungojnë në asnjë demokraci: besimi te pushteti i zgjedhur, debatet në parlament, disiplina në punë (për atë që ka punë) dhe alternimi i pushtetit. Kurse enigma jonë është pse ka zgjedhur ai që të tregojë se këto nuk janë në nivelin e duhur në Shqipëri tamam në ditën e 70-vjetorit të fitores së lavdishme të LANÇ mbi pushtuesit nazi-fashistë!?
    9 Maji, Z. gazetar, për ne është një datë e bekuar, ashtu si Pavarësia-Rilindja- Skënderbeu dhe paraardhës të tjerë, që frymëzon vitalitet dhe forcë, ndërgjegje dhe kulturë, vetmohim dhe trimëri, disiplinë, unitet dhe përparim në të drejtën tonë kombëtare dhe njerëzore. Këto nuk mund të zëvendësohen me kritika bajate që i lexojmë përditë.
    Çfarë “humbje” pret Z. Islami? Kjo është enigma e dytë për ne. Gjermanët e shkatërruan vetë vendin e tyre, dëmtuan edhe të tjerë, kurse “demokratët” tanë shkatërruan çdo gjë në Shqipëri me ndihmën e gjermanëve dhe ca të tjerëve që tani na furnizojnë me kredi, mendime e mallra deri te kazanët e plehrave. Nëse elozhet për fitoret aktuale të humbësve të ish-boshtit fashist do të ndihmojnë si model i parë për të realizuar “humbjen” e tij, hallall mungesa e vizionit të tij si gazetar shqiptar! Kasandra.

  • Perendimi ka patur perhere 8 Majin. Lindja 9 Majin. Sot cdo vend i lindjes ose perendimit qe eshte ne NATO ka 8 Majin. tjeter se ne bejme se kemi harruar e gjasme nuk perkujtojme asnjeren.

  • Nuk ka politikan,filozof,vicidolist te me mbushe mendjen se mireqenja vjen pa pune.Shqiptaret jane nje popull,qe jane gati te rrijne gjithe diten ne bingo dhe te shpresojne se mos i vjen nga qielli,se te punojne.Regjimi Enverist e vrau puinen duke mos e paguar ate,ndersa katastrofa shqiptareve i erdhi nga maloku i vucidolit,qe ende pa marre pushtetin krijoi parrullen:Ne qeverisim,bota na ndihmon! CEKU I BARDHE,qe do te zbarkonte sapo te merrte Saliu pushtetin.Falja e pronave dhe tokave banditeve,hajduteve,demagogeve.Ne vend qe ky popull te punonte edhe ditet e pushimit,qeveria e Saliut vendosi edhe te shtunen pushim,te premten Wikend deri ne mesdite;shtoi nja 30 festa ne vit ne kalendar dhe per t`i vene vulen krijoi firmat piramidale,ku norma e larte e fitimit ja kalonte cdo lloj tregtie,prodhimi,bixhozi.Ky i mesoi Lazaratin te mbjelli droge dhe brezin e ri te grabise rrugeve,derisa mesoi edhe te birin te shese droge ne Vlore dhe arme ne Gerdec.Gjermanet nuk paten “fat” qe humben,por paten fat qe kryetar shteti paten Adennaurin dhe jo Sali Berishen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *