Pero Pejic mposht i vetëm Teutën, shënon tre gola në fitoren 3-2 të verilindorëve si për të treguar se mbetet golaeadori i padiskutueshëm i Superiores. Komplikohet gjithçka për Djemtë e Detit në dy javët e fundit të kampionatit, ku fati i mbijetesës do të vendoset në përballjen direkte me Apoloninë në “Niko Dovana”.
Kukësi u imponua me lojën e tij që në minutat e para duke e mbyllur Teutën në gjysmëfushën e saj. Pa u mbushur 10 minuta lojë, Hysaj u gjend përballë Rizvanit paksa prirët më portën por parabola e tij çuditërisht përfundoi jashtë. Gjithsesi verilindorët e gjetën rrugën e rrjetës 2 minuta më vonë me të përhershmin Pero Pejic, i cili tregoi klasin e tij me një gjuajtje të kalibruar me të djathtën, që përfundoi në trekëndësh. S’mund të bënte asgjë Rizvani, edhe pse fluturoi për ta devijuar topin në fundore.
Pas këtij momenti Teuta u mundua të reagonte, por nuk kishte forcën e duhur për ta rrezikuar portën e Halilajt. Në të 17 tentoi Musolli prirët me portën, por topi përfundoi jashtë ngjitur me shtyllën. Rasti i parë për gol për Teutën u shënua në minutën 36 me Mirel Çotën, që hezitoi të godiste me të parën pas ndërhyrjes jo shumë të sigurtë të Halilajt. Në momentin më të mirë të Djemve të Detit bëhet protagonist gjyqtari Lver Alla, i cili akordon penallti në favor të Kukësit, ndonëse ndërhyrja e Rustem Hoxhës ndaj Musollit ishte jashtë zonës. Nga pikë e bardhë ekzekuton saktësisht Pejic, duke i çuar shifrat në 2-0.
Në minutën e fundit të pjesës së parë, nga këmbëngulja e Peposhit në zonën e Kukësit, përfitoi Çota, që në këtë rast, nuk gaboi shumë pranë portës së Halilajt. Para se skuadrat t’u drejtoheshin dhomave të zhveshjes një kundërsulm tipik i Kukësit, për pak u finalizua me gol nga Pejic, por këtë radhë Rizvani ia mohoi kënaqësinë e golit.
Mirëpo portieri durrsak nuk mund të bënte pak minuta pas skuadra u rikthyen në fushë për pjesën e dytë. Në minutën e 50, Pejic, pas një kundërsulmi të shpejtë realizoi golin e tretë personal në këtë sfidë. Për Teutën ishte herët për t’u dorëzuar ndaj skuadra durrsake mblodhi forcat për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Në të 53, formacioni i Begejës iu afrua golit me Hoxhallarin, goditja e të cilit nga distanca vuri në provë serioze Halilajn.
Ndeshja u hap në të 65’ nga Peposhi, i cili në një pozicion shumë të vështirë thuajse në fundore e kaloi topin pas shpinës së Halilajt. Kukësi lëshoi shumë terren në minutat e mbetura teksa në dy raste Halilaj dhe fati nuk lejuan prekjen e rrjetës. Në krahun tjetër tregon klasin edhe Rizvani, që në dy raste shpëton portën e Teutës nga goli i katërt. Përfundimisht 2-3 në “Niko Dovana”, rezultat që ndez luftën për mbijetesë mes Teutës dhe Apolonisë, ndërsa Kukësi shkon i qetë në përplasjen direkte me Tiranën për zonën europiane.
