Thirrjet që erdhën nga BE për qetësi, për bashkëpunim dhe për shmangie të përshkallëzimit të dhunës në Maqedoni, janë sa të nevojshme, po aq dhe të një karakteri standard. Përkeqësimi i situatës në vend, nuk mund të mos përshijë në analizë edhe neglizhimin evropian ndaj bllokimit të dosjes maqedonase. Bllokim dhjetëvjeçar tërësisht i pajustifikuar. Fuqia e “toponimit” nuk mund kurrsesi të mposhtë dhe të thyejë logjikën e një perspektive evropiane, e një klime të nevojshme sigurie lokale, si dhe rajonale.
Maqedonia prej afro një dekade, e ka të bllokuar integrimin e mëtejshëm evropian të vendit. Fuqia e diplomacisë greke ka bërë që interesat kombëtare të Athinës zyrtare të transferohen në Bruksel, duke u imponuar në axhendën integruese të vendit. Nën kriterin e “fqinjësisë së mirë”, Unioni në mënyrë tërësisht të zhbalancuar, e ka kushtëzuar integrimin e mëtejshëm të Maqedonisë deri sa të gjendet zgjidhja e emrit me Greqinë. Ndonëse Komisioni Evropian ka rekomanduar vazhdimisht në çdo progres-raport të fundvitit hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, çështja bllokohet nga vullneti i shteteve në Këshill. Një sërë presionesh të vazhdueshme kanë ardhur jo vetëm nga eurodeputetë të Komisionit të Jashtëm të PE-së, por edhe nga organizma të ndryshëm të shoqërisë civile, që bëjnë thirrje për zhbllokimin e Maqedonisë.
Ndonëse, kohët e fundit kishte filluar të kristalizohej një vullnet apo tentativë për zhbllokimin e Maqedonisë, nën iniciativën e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federika Mogerini, skandalet e fundit të bëra publike nga një set përgjimesh, ku denoncohen aferat e korrupsionit, krimet dhe abuzimet e qeverisë Gruevski, kanë frenuar këtë zhvillim pozitiv. Nuk dihet, nëse rrjedha e mëtejshme e ngjarjeve do të shoqërohet me reflektime pozitive, për të inkurajuar më tej ecjen e Maqedonisë drejt integrimit evropian, por frika që tashmë është shprehur, lidhet me një mos rekomandim për hapjen e negociatave në raport-progresin e këtij fundviti të Komisionit Evropian.
Nevojshmëria për integrimin evropian jo vetëm të Maqedonisë, por edhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është një refren i shumë përsëritur, dobia e të cilit nuk shtrihet vetëm ndaj këtyre vendeve. Evropa e njeh shumë mirë bashkimin në emër të shmangies së luftërave, me synim kërkimin e paqes, pasi kjo është dhe arsyeja kryesore e ekzistencës së saj. Nën këtë domosdoshmëri, është e nevojshme të shikohet edhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Injorimi i këtij thelbi, duke pretenduar se “toponimi” është më i rëndësishëm, se sa investimi për një rajon larg konflikteve dhe luftërave është thjesht një “naivitet” në rastin më të mirë dhe një mungesë vullneti në rastin më të keq. Kostoja e këtij neglizhimi, po troket ndonëse pretendohet se ende nuk dëgjohet./im.ta/
Ballkani në Fokus-Maqedonia
Postuar më: 25 Shkurt, 2015 tek Europa/Analize
Në rast se BE, nuk hap së shpejti negociatat e aderimit me Maqedoninë, Unioni rrezikon minimin e besueshmërisë së politikave të zgjerimit. Ky është presioni i fundit, që erdhi ditën e djeshme nga eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Kjo është hera e nëntë, që ato i kërkojnë Këshillit fiksimin e një datë për çeljen e negociatave. Ndonëse një vend kandidat që prej vitit 2005, Maqedonia nuk ka mundur ende të çelë negociatat e aderimit. Pengesa kyçe vjen nga diplomacia greke, në kuadrin e marrëdhënieve fqinjësore, për çështjen e zgjidhjes së emrit. Por, a ka një presion real mbi zhbllokimin e situatës dhe një reflektim mbi aplikimin e kriterit të “fqinjësisë së mirë”?
Kriza e brendshme
Ndonëse situata e brendshme politike në Maqedoni ka njohur përshkallëzim të konsiderueshëm kohët e fundit, kjo nuk mund të shërbejë aspak si shkak, apo arsye për mos çeljen e negociatave. Kjo nën logjikën se, tashmë prej afro një dekade bllokimi vjen nga jashtë, nëpërmjet presionit, që ushtron Greqia si vend anëtar i BE-së.
Nën këtë reflektim, duket se vjen edhe presioni i radhës nga eurodeputetët në Komisionin e Jashtëm të PE-së, të cilët i kërkojnë Këshillit hapjen pa vonesë të negociatave të aderimit.
Edhe progres raportet e çdo fund viti të Komisionit Europian janë përmbyllur me rekomandimin e vazhdueshëm për hapjen e negociatave.
Vlerësimi i fundit nga KE (tetor 2014) teksa rekomandonte hapjen e tyre vinte dhe theksin mbi problematikat e brendshme kyçe: paqëndrueshmëri reformash dhe regres; politizim i lartë i institucioneve shtetërore dhe kontroll qeveritar ndaj medieve; drejtësi selektive; përkeqësim i lirisë së medieve; interesa partiakë përpara atyre kombëtarë; bojkot politik; besim në rënie ndaj institucioneve shtetërore; situatë ndër-etnike që ka nevojë për një ndërtim më të madh besimi; rishikim i Marrëveshjes së Ohrit që ka nevojë të plotësohet dhe rekomandimet e saj të zbatohen. Ndërsa progresi i pakët renditej ndaj reformës në administratën publike, ndaj bashkëpunimit aktiv rajonal dhe ndërkombëtar policor, si edhe në konfirmimin e axhendës së BE-së si prioritet strategjik për vendin.
Krijimi i mekanizmave për bllokim
Kriteri i “fqinjësisë së mirë” dhe aplikimi i tij është shndërruar gradualisht në një kriter kompleks, ku logjika juridike përplaset me atë politike. Pra, nëse juridikisht duhet të kemi një përqasje për zgjidhje të këtij problemi sipas formatit juridik ndërkombëtar, po ndodh e kundërta, një tendencë për zgjidhje sipas formatit politik, nga fuqia që jep pozicionimi si vend anëtar përballë një vendi kandidat. Duke shfrytëzuar këtë hapësirë, shtetet evropiane sjellin axhendën e tyre të pastër kombëtare për zgjidhje në nivel evropian.
Por, përpjekja për zgjidhje nën një format politik, evropian, sigurisht që ka ekspozuar edhe zhbalancimin e ekuilibrit në trajtimin e çështjeve përballë vendeve në konflikt. Çështjet me karakter thellësisht juridik, nuk mund të trajtohen thjesht politikisht, me ndërmjetësime dhe nën presionin e pushtetit të vendit më të fuqishëm.
Pikërisht këtu bazohet dhe thelbi i shqetësimit juridik. Principi i fqinjësisë së mirë, ka kuadrin e tij ligjor dhe futja e këtij principi si një nga kriteret për anëtarësim, ka sjellë një shmangie nga legjislacioni ndërkombëtar, për të shkuar drejt një zgjidhje me karakter politik në nivel europian.
Kjo shmangie i ka krijuar hapësirën e duhur vendeve anëtare, që të tentojnë nëpërmjet presionit të integrimit të mëtejshëm, të zgjidhin çështje me karakter të pastër nacionalist, në një nivel politik evropian. Kjo ka sjellë edhe nacionalizimin e politikave të zgjerimit të BE-së, pasi vendet anëtare po arrijnë të bllokojnë për interesa të pastra kombëtare, perspektivën europiane të vendeve kandidate.
Bllokimi
Nën këtë optikë vjen edhe bllokimi që Greqia po i bën Maqedonisë. Edhe pse Komisioni Europian vazhdon t’i rekomandojë Këshillit hapjen e negociatave, Këshilli nuk pranon të shprehet mbi këtë çështje.
Para marrjes së statusit të vendit kandidat, Këshilli i BE-së në vendimin e tij (14 qershorit 2004) të partneritetit me Maqedoninë, ndërsa specifikon prioritetet në fushat kyçe, për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, në paragrafin mbi Bashkëpunimin Rajonal dhe Ndërkombëtar, nuk e parashtron aspak si kriter, çështjen e emrit me Greqinë.
Ekspozimi i këtij fenomeni fillon menjëherë pas dhënies së statusit të vendit kandidat, për të cilën Greqia votoi pro.
Elementi që tërheq vëmendjen është se, pavarësisht se literatura akademike merr si pikë referimi të ndryshimit të qëndrimit të BE-së, ndaj çështjes së emrit, momentin e pas refuzimit të ftesës së Maqedonisë për në NATO (2008), ajo që konstatohet është se edhe në dokumentet e Këshillit të BE-së (2006) kjo pikë figuronte ndër kriteret që Maqedonia duhej të përmbushte. Në vendimin e Këshillit të 30 janarit 2006, çështja e emrit me Greqinë figuron e vendosur në kapitullin politik, nën specifikimin e Çështjeve Rajonale dhe Detyrimeve Ndërkombëtare.
“ Garantimi i bashkëpunimit rajonal dhe të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, kryesisht duke dyfishuar përpjekjet për të gjetur me Greqinë, një zgjidhje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët, në lidhje me problemin e emërtimit të vendit, në kuadrin e rezolutave 817/93 dhe 845/93 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”. (…)
Pra, edhe pse midis Greqisë dhe Maqedonisë ekzistonte një kuadër ligjor nën “Marrëveshjen e Përkohshme” (1995) se palët nuk do të pengojnë njëra-tjetrën në anëtarësime në organizata rajonale dhe ndërkombëtare (neni11/1) duke nënkuptuar anëtarësimin në BE dhe NATO, Unioni nuk e ka konsideruar si bazë vlerësuese aspektin ligjor të kësaj marrëveshje. Të paktën këtë konfirmon edhe përpilimi i vazhdueshëm i konkluzioneve të Këshillit, në lidhje me kriteret (çështja e zgjidhjes së emrit), që duhet të përmbushë Maqedonia.
Edhe vendimi i Këshillit më 18 shkurt 2008, pak para mbajtjes së Samitit të NATO-s në Bukuresht në fillim të muajit prill 2008, specifikonte ndër kriteret mbi Çështjet Rajonale dhe Detyrimet Ndërkombëtare, detyrimin për gjetjen e zgjidhjes mbi çështjen e emrit me Greqinë duke shtuar edhe frazën mbi evitimin e çdo lloj veprimi të dyshimtë, që mund të përkeqësojë këto marrëdhënie.
“ Të sigurojë krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, kryesisht duke dyfishuar përpjekjet për të gjetur me Greqinë, një zgjidhje të negociueshme dhe të pranueshme nga të dy palët në lidhje me problemin e emërtimit të vendit, në kuadrin e rezolutave 817/93 dhe 845/93 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara dhe të evitojë çdo veprim të dyshimtë që mund të dëmtojë këto marrëdhënie.” (…)
Gjithashtu dhe konkluzionet e fundit të Këshillit të BE-së (dhjetor 2014) ripërsërisnin nyjen bllokuese, çështjen e zgjidhjes së emrit me Greqinë.
Në rast se, Unioni do të konsideronte bazën ligjore të Marrëveshjes të vendosur tashmë mes dy vendeve (1995), do të ishte e pamundur të nxirrej si pengesë integrimi i mëtejshëm i Maqedonisë në BE. Nga ana tjetër, nëse Unioni do të vlerësonte gjithashtu dënimin e Greqisë nga GJND për shkeljen e Marrëveshjes, ky mund të shërbente edhe si moment i duhur për të zhbllokuar integrimin evropian të Maqedonisë. Por, do të ndikonte edhe në një ripozicionim të ekuilibruar politikisht dhe juridikisht të BE-së, përballë Shkupit dhe Athinës.
Gjithsesi, është e rëndësishme të theksohet se, zhvillimet e fundit po njohin disa elementë pozitivë. Nga njëra anë kemi një vullnet të shprehur politik nga ana e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federika Mogerini, mbi nevojshmërinë e zhbllokimit të Maqedonisë. Nga ana tjetër, edhe presioni i djeshëm i eurodeputetëve të Komisionit të Jashtëm të PE-së, vijon nën të njëjtën logjikë për caktimin e një date të afërt për hapjen e negociatave me Maqedoninë. Ato i kërkojnë gjithashtu Shefes së Diplomacisë Mogerini që të jetë në krye të iniciativave për daljen nga ngecja politike, si edhe të angazhohet, së bashku me partitë politike në thjeshtëzimin e një dialogu, që do t’i japë fund klimës politike të polarizuar në Maqedoni. I rëndësishëm konsiderohet gjithashtu edhe paralajmërimi i eurodeputetëve mbi rrezikun e minimit të besueshmërisë së BE-së, ndaj politikave të zgjerimit, në rast se nuk caktohet një datë e shpejtë për çeljen e negociatave me Maqedoninë. Në rast se do të kemi një reagim të shpejtë nga ana e Unionit në lidhje me këtë pikë, atëherë mund të flasim edhe për një reflektim (të paktën përkohësisht) të problematikës reale, që mbart aplikimi i kriterit të “fqinjësisë së mirë”./im.ta/
