Merkel dhe Putin premtojnë se do të ‘përpiqen” të kapërcejnë diferencat mes tyre

redaktor

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel u zotuan se do të përpiqen të kapërcejnë problemet që prekin aktualisht marrëdhëniet dypalëshe. “Aktualisht ka probleme të njohura. Këto probleme duhet të mos kenë një impakt negativ në marrëdhëniet tona dhe sa më parë të ndodhë kjo aq më mirë do të jetë. Do të sforcohemi për këtë”, tha Putin në fillimit të takimit mes tyre në Kremlin. “Nga eksperienca jonë e hidhur kemi mësuar një leksion: që duhet të punojmë, duhet të bashkëpunojmë në situatat e komplikuara si kjo e tanishmja dhe të sforcohemi për të gjetur zgjedhje diplomatike”, tha nga ana e saj Merkel.

Putin nga ana tjetër, falënderoi Merkelin për vizitën në Moskë për të përkujtuar 70 vjetorin e fitores mbi nazistët në Luftën e Dytë Botërore. “Para së gjithash dua të falënderoj që ishit e pranishme për të nderuar të gjithë ata që humbën jetën gjatë Luftës së Dytë Botërore, Luftën e Madhe Patriotike, luftën kundër nazizmit”, tha ai.

“Duam t’u themi rusëve se përkulemi para tyre”, tha si përgjigje kancelarja gjermane. “Jam e kënaqur që kam ardhur në Moskë për të nderuar kujtimin e këtyre viktimave të pafajshme, të nderoj kujtimin e njerëzve të Bashkimit Sovjetik”, shtoi ajo. Por para takimit zyrtar Kancelarja dhe presidenti rus i bënë homazhe luftëtarëve sovjetikë të rënë në Luftën e Dytë Botërore duke vendosur kurora me lule në varrin e Ushtarit të Panjohur në Moskë.

Kancelarja gjermane refuzoi të ishte e pranishme më 9 maj, në paradën tradicionale ushtarake të Ditës së Fitores në Sheshin e Kuq, në të cilin gjithashtu nuk asistoi asnjë lider perëndimor, në shenjë proteste për rolin e Rusisë në krizën e Ukrainës dhe aneksimin e Krimesë. Megjithatë kancelarja gjermane që theksoi rëndësinë për të kujtuar 27 milionët e vrarë në Bashkimin Sovjetik në atë ngjarjes, zgjodhi të ishte dje e pranishme në kryeqytetin rus. Konflikti në Ukrainë dhe marrëdhëniet dypalëshe ashtu si dhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe Bashkimit Europian ishin në qendër të takimit të djeshëm mes Putin dhe Merkel në Kremlin.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *