Ku(sh) janë terroristët e Kumanovës?

redaktor

“Po të kisha lindur në një kamp refugjatësh në Liban, ndoshta do të isha bërë edhe unë terrorist.” – Giulio Andreotti, ish Kryeministër i Italisë

Terrori i vendosur gjatë dhe mbas Revolucionit Francez, me gjithë respektin për produktin ideologjik që kemi trashëguar, tregoi për herë të parë se një popull mund të pilotohet nga pak individë, që luajnë rolin e shpëtimtarit nga një armik i frikshëm imagjinar. Pikërisht gjatë kësaj periudhe na vijnë edhe citimet e para të termit terrorizëm. Më saktësisht flitej për “Shtetin Terrorist” si një shtet i cili vendos të përdorë fushata terrori kundër qytetarëve të tij ose të një shteti tjetër: 1) për qëllime represioni me finalitet eliminimin e kundërshtarit politik, ekonomik, etnik ose fetar; 2) për t’i hequr kundërshtarit besueshmërinë përballë opinionit publik duke e akuzuar si autor të akteve të kryera nga të tretët; 3) për të nxitur emigrimin e një kategorie shoqërore të caktuar, pra njëfarë spastrimi etnik të induktuar; 4) për të krijuar një gjendje emergjence që do të justifikonte vendosjen e ligjeve represive që ndonjëherë do të kishin si efekt pezullimin e Kushtetutës dhe të drejtave të individëve në emër të sigurisë kombëtare.

Përkufizimi modern i terrorizmit e përjashton mundësinë e ekzistencës së shtetit terrorist dhe vesh me këtë epitet vetëm grupime ekstra shtetërore që kryejnë vepra kriminale me qëllim krijimin e një gjendjeje terrori masiv me justifikime politike, raciale, etnike, fetare etj. Qëllimi thelbësor nuk është maksimizimi i dëmeve materiale apo jetëve të humbura por përcjellja e mesazheve publike nëpërmjet bujës së aksioneve terroriste. Në kohët e sotme një organizatë terroriste shihet pashmangshmërisht me sy negativ por kjo varet nga pozicionet në të cilat ndodhemi dhe gjykojmë. Për shembull, grupimet antifashiste gjate Luftës së Dytë etiketoheshin nga pushtuesit nazifashistë si grupe terroriste. Luftëtarët e UCK-së para Luftës së Kosovës janë etiketuar si terroristë, madje edhe nga Tirana zyrtare. Terroristë quheshin edhe grupimet e armatosura në Maqedoni para marrëveshjes së Ohrit. Ja si shprehej Yasser Arafat mbi terrorizmin gjatë një fjalimi në Asamblenë e OKB-së: “Ndryshimi midis revolucionarit dhe terroristit qëndron në arsyet për të cilat luftojnë. Ai që qëndron në anën e drejtësisë dhe lufton për lirinë dhe çlirimin e trojeve nga pushtuesi, kolonizimi dhe kolonizatorët, nuk mund të quhet terrorist, sepse, në këtë logjikë, edhe amerikanët në luftën e tyre për çlirimin nga kolonialistët britanikë quheshin terroristë; edhe qëndresa evropiane ndaj nazizmit do kishte qenë terrorizëm; edhe lufta e popujve aziatikë, afrikanë dhe amerikano-latinë do ishte terrorizëm.”

Jo gjithnjë organizatat terroriste veprojnë për qëllimet të cilat propagandojnë. Shembull tipik është “strategjia e tensionit”, e ideuar në Evropën Perëndimore nga gjatë Luftës së Ftohtë, si strategji për të luftuar përhapjen e ideologjisë komuniste ose ringjalljen e lëvizjeve fashiste, të dyja këto ideologji një kërcënim për modelin e shtetit demokratik modern. Parimi i strategjisë së tensionit ishte “destabilizo për të stabilizuar”. Shërbimet inteligjente euroatlantike krijonin dhe financonin direkt ose tërthorazi organizata terroriste të cilat kryenin veprime në dëm të civilëve të pafajshëm. Për nga fasada këto organizata kërkonin arritjen e objektivave të tyre ideologjik por në të vërtetë qëllimi ishte rritja e revoltës popullore kundër ideologjive që ato pretendonin se kishin përqafuar. Prova e parë zyrtare e ekzistencës së strategjisë së tensionit vjen nga ish kryeministri italian Giulio Andreotti kur pranoi publikisht gjatë një seance parlamentare ekzistencën e organizatës paramilitare “Gladio” të krijuar nga NATO dhe shërbimet inteligjente euroatlantike. Qëllimi i Gladios ishte fillimisht organizimi i luftës guerile në eventualitetin e një lufte me vendet e Paktit të Varshavës, por në fakt, duke qenë se një luftë e tillë nuk u erdhi, Gladio u specializua në organizimin e operacioneve “false-flag”, ose thënë ndryshe, në kryerjen e veprimeve terroriste nën flamurin e kundërshtarit, për ta nxjerrë atë mizor në sytë e publikut të frikësuar.

Le të vijmë tek aktualiteti rajonal. Operacioni i policisë maqedonase në Kumanovë u cilësua nga zyrtarët e Shkupit si një operacion antiterrorizëm. Dyshimet mbi vërtetësinë e versionit zyrtar janë të shumta. Si fillim mund të përmendim momentin e zhvillimit të operacionit, pikërisht kur revolta popullore ndaj Gruevskit është më e madhe se kurrë. Do të ishte frytdhënës inskenimi i një lufte imagjinare kundër “këtyre terroristëve” shqiptarë që urrejnë Maqedoninë “demokratike” por që qeveria Gruevski, së bashku me patericat shqiptare të mazhorancës dhe opozitës, i luftoi me sukses duke vënë drejtësinë ne vend. Se kush janë këta terroristë, cilit grupim i përkasin, çfarë qëllimesh kanë, ngelet akoma mister. Fakt është se si rezultat i operacionit disa civilë janë vrarë dhe ndërmjet tyre edhe një vajzë tetë vjeçare.

Në këtë terr informativ është legjitime të shtrohet pyetja: A bëhet fjalë thjesht për një operacion antiterrorizëm apo ekzistojnë struktura të fshehta që aktivizohen për devijimin e vëmendjes së opinionit publik nga problemet e vërteta sa herë vihet në rrezik popullariteti i qeverisë Gruevski? Impresioni i krijuar është se bëhet fjalë për terrorizëm, por jo i tipit modern por i tipit klasik, një terrorizëm shtetëror që ka për qëllim eliminimin e kundërshtarit politik dhe etnik, për të ulur besueshmërinë e tij, për të induktuar spastrim etnik spontan të shqiptarëve, për të legjitimuar kryerjen e operacioneve represive, si dhe, në të ardhme të afërt, për të grisur atë që u firmos nga të gjitha palët në marrëveshjen e Ohrit.

Share This Article
1 Comment
  • Cdo gje eshte e qarte si drita e diellit.Lipset qe politika mbare shqiptare ta denoncoj dhe denoj per te mos idhene kohe maqedonasve per te lene qofte dhe nje hije dyshimi per te cilen mbeshtetsit e tyre jane te interesuar.Faktori kohe nganjehere del mbi te gjithe faktoret e tjere.Nje pune e paqme po nuk u be ne Kohen e saj e humbet vleren ne nje kohe tjeter

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *