Bullgaria ka dërguar ushtarë në kufirin e saj me Maqedoninë, ku pas dhunës që u mori jetën 22 vetëve fundjavën e shkuar ka nisur një krizë politike, sipas deklaratës në parlament të kryeministrit të Bullgarisë, Boiko Borisov.
Kjo masë ka për qëllim të ndalojë një valë të mundshme refugjatësh nga fqinji i vogël jugperëndimor me të cilën Bullgaria ndan një histori dramatik për shekuj të tërë dhe ende ka çështje të pazgjidhura. “Trupat gjithashtu po përgatiten për të parandaluar sulme të mundshme terroriste”, tha Borisov.
“Ushtria është në kufi, po përgatiten armët, mjediset në rast se, Zoti na ruajt, gjërat në Maqedoni përkeqësohen”, tha ai. Një përplasje mes policisë dhe civilëve në qytetin verior maqedonas të Kumanovës gjatë fundjavës që shkoi, rezultoi në vdekjen e 14 shqiptarëve dhe 8 policëve.
Qeveria e Nikola Gruevskit tha se terroristët kishin depërtuar nga një shtet fqinj në përpjekje për të destabilizuar vendin.
Ndërkohë Ministrja e Brendshme, Jordana Jankulovska dhe shefi i shërbimit të sigurisë Sasho Mijalkovski dhanë dorëheqjen të mërkurën për shkak të akuzave në rritje të përgjimeve të paligjshme dhe kërcënim të medias.
Borisov tha se Bullgaria është e frikësuar nga trazirat dhe një krizë humanitare në Maqedoni, një e treta e popullsisë të së cilës është shqiptare.
Paqja e brishtë në vend mbështetet në një marrëveshje të vitit 2001 ndërmjet shumicës sllavo-folëse dhe shqiptarëve etnikë, e cila i dha fund konfliktit të armatosur mes forcave qeveritare dhe luftëtarëve shqiptarë.
“Bullgaria është e gatshme që të pranojë rreth 90 mijë qytetarët e Maqedonisë që mbajnë pasaporta bullgare”, tha Borisov. Por ai vijoi se nxitja e sigurisë së kufijve ka për qëllim që të përmbajë rritjen e mundshme të refugjatëve.
“Ata që kanë pasaporta bullgare… mund të vijnë në Bullgari por ne duhet të bëhemi gati për një krizë humanitare”, tha Borisov.
Ai vijoi se ushtria dhe njësia speciale anti-terror janë të angazhuara me stërvitje të përbashkëta për t’u përballur me terroristët në malet e zonës kufitare.
Bullgarët i shohin maqedonasit si të afërmit e tyre etnikë dhe e konsiderojnë gjuhën e këtyre të fundit një zgjatim i asaj bullgares. Të dy popujt përdorin alfabetin cirilik dhe e kuptojnë njëri-tjetrin pa përkthyes.
Megjithatë sipas mediave bullgare Gruevski nuk ua vë veshin rekomandimeve të BE-së për të ndaluar retorikën anti-bullgare në politikë dhe media, të cilat komisioni i BE-së i ka përshkruar në mënyrë të përsëritur si të kontrolluara fort nga qeveria.
Bisedimet me Bullgarinë sipas një traktati dypalësh për marrëdhëniet e mira fqinjësore janë ndalur pas thellimit të krizës gjatë muajve të fundit. Bullgaria dëshiron që traktati të zgjidhë problemet dypalëshe, të tilla si thirrjet e Shkupit për të njohur një “minoritet maqedonas” në Bullgari dhe kërkesat mbi të drejtat e bullgarëve në Maqedoni.
Ndërkohë, Greqia ka bllokuar hapjen e bisedimeve të BE-së në pesë vitet e fundit. Athina dëshiron që Maqedonia të ndryshojë emrin, i cili përkon me atë të një krahinë veriore greke dhe që sipas Athinës nënkupton një pretendim territorial.
Pavarësisht nga rekomandimet gjashtë vjeçare për BE-në që të hapen bisedimet e pranimit me Maqedoninë, komisioni e ka kritikuar në mënyrë të përsëritur për progresin e pamjaftueshëm në sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave themelore, si dhe mungesën e përmirësimit të marrëdhënieve me shtetet fqinje.
* euobserver/Përkthimi nga DITA
