Dritëhijet e lëvizjes gyleniste dhe lideri i saj

redaktor

Me ekonominë amerikane ende në hall, BE-në në ngërç dhe Lindjen e Mesme në kaos, të bindësh amerikanët se duhet t’i kushtojnë vëmendje një predikuesi turk të quajtur Fetullah Gylen është jashtëzakonisht e vështirë.

Shumë amerikanë nuk kanë dëgjuar kurrë për të, dhe nëse e kanë bërë, duket se ai nuk përbën shumë interes për ta. Sipas faqes së tij në internet ai është një “Dijetar mysliman turk, mendimtar, autor, poet, opinionist dhe aktivist i arsimit që mbështet dialogun ndërfetar dhe ndërkulturor, shkencën, demokracinë, spiritualitetin, dhe kundërshton dhunën dhe kthimin e fesë në një ideologji politike”. Në uebsajt lexohet gjithashtu, “në bazë të disa vlerësimeve, disa qindra organizata arsimore si shkollat K-12, universitete e shkolla gjuhësh të huaja janë ngritur në të gjithë botën të frymëzuara nga Fetullah Gylen”. Sajti thekson gjithashtu se Gylen ishte “dijetari i parë mysliman që dënoi publikisht sulmet e 11 shtatorit”.

Megjithatë historia e tij shkon përtej këtij përshkrimi. Gylen është një figurë e fuqishme e biznesit në Turqi dhe – për ta thënë butë – mjaft kontroverse. Ka gjithashtu një ndikim global që sa vjen e rritet. Numërohen nga 3 deri në 6 milionë pasues të tij, apo siç duan ata të quhen “njerëz të frymëzuar prej tij”. Vlerësimet për vlerën e institucioneve “të frymëzuara” nga Gylen që ekzistojnë në çdo kontinent, të paktën sipas të dhënave nga gjykatat amerikane, variojnë nga 20 në 50 miliardë dollarë.

Qoftë edhe vetëm për këto arsye, shumëkush do donte të mësonte më tepër për Gylenin, sidomos për faktin se ata pak autorë që shkruajnë për të, përgjithësisht e e keqpërshkruajnë, qoftë kur e etiketojnë si “islamik radikal”, apo “mysliman liberal”. E vërteta është shumë më e komplikuar.

Për të kuptuar Gylenin duhet të njihesh me historinë e lëvizjes “Nurxhu”. Said Nursi (1878–1960), një mysliman sunit në traditën sufi, ishte një nga personalitetet fetare më karizmatike të kalifatit Otoman të vonshëm dhe Republikës laike turke të hershme. Risale-i Nur i tij, i përçmuar dhe ndonjëherë i ndaluar nga Republika, u bë bazë për formimin e “rretheve të leximit” —komuniteteve të shpërndara gjeografikisht në madhësinë e qyteteve të vogla që mblidheshin për të lexuar, diskutuar dhe përvetësuar tekstin dhe për ta kopjuar atë, kur u ndalua. Nurxhu thoshte zakonisht se Risale-i Nur është një farë Kurani i përmbledhur, çka të tjerë e konsiderojnë një pretendim të papërshtatshëm dhe arrogant.

Këto “qarqe leximi” gradualisht u përhapën në të gjithë Turqinë. Hakan Javuz, një politolog turk dhe pedagog në Universitetin e Jutas, e quajti lëvizjen Nurxhu “një lëvizje e rezistencës kundër procesit qemalist të modernizmit”. Javuz e sheh gjithashtu si një lëvizje “largpamëse” dhe “përmbledhje konceptesh në shërbim të një populli që po pëson transformim nga një komunitet fetar në një shoqëri laike”. Ta quash këtë lëvizje fundamentaliste apo radikale, është totalisht boshe. Ashtu siç është naivitet ta quash si teologjikisht primitive.

Sinqerisht nuk i kam lexuar të gjitha 6 mijë faqet e Risale-i Nur, por kam lexuar mjaftueshëm që të bindem se Nursi është një mendimtar mjaft i sofistikuar.

Lëvizja e Gylenit ose “xhemati” u ngrit nga një dyzinë “rrethesh leximi” të Risale –i Nurit. Fetullah Gylen lindi më 1941 në një fshat afër Erzurumit, kufiri lindor i asaj që sot është Republika turke. Në këtë territor është luftuar ashpër nga rusët, persët, dhe perandoria osmane, dhe kjo bëri që interpretimi i islamit këtejpari të shkrihej fort me nacionalizmin turk.

Ka dy pika të të rëndësishme në filozofinë e Gylenit. Së pari ai largon ndjekësit e tij nga tebliğ, apo proselitizmi i i hapët, dhe i shtyn të praktikojnë temsilin, (të jetosh jetën në një mënyrë islamike gjatë gjithë kohës duke dhënë shembullin e mirë dhe duke personifikuar idealet e fesë në mënyrën e jetesës). Nga ajo që unë kam parë në Turqi, mishërimi i këtyre idealeve përfshin sjelljen e mirë, punën dhe bamirësinë. Gjithashtu përfshihet një rol më i veçuar të gruas. Sigurisht, unë nuk do doja të jetoja stilin e veçuar të jetesës së femrës që këtu konsiderohet e pranueshme. Por kam frikë se nuk do ta pranon këtë as ata sociologë entuziastë të Perëndimit, që e kanë përshkruar lëvizjen e Gylenit si analoge, po themi, e baptistëve jugorë në SHBA apo e kalvinistëve gjermanë.

erdogan_gulenSë dyti Gylen mbështet (publikisht në çdo rast), se myslimanët dikur jetonin në paqe, sepse turqit otomanë ndërtuan një mjedis të tolerancës. Për të rivendosur këtë bashkëjetesë paqësore në të gjithë botën thotë ai, turqit duhet të bëhen liderët botërorë në promovimin e tolerancës ndërfetare.

Megithatë kritikuesit e Gylenit nuk lënë rast pa treguar për një fjalim të tij që u shfaq në një video në vitin 1999.

“Ju duhet të lëvizni në arteriet e sistemit pa e pikasur askush ekzistencën tuaj, deri sa të arrini në qendrat e pushtetit… Deri sa të piqen kushtet ndjekësit tuaj duhet vetëm të rrinë të padukshëm…. diçka e parakohshme do ta prishte shumë punë dhe myslimanët do të vuajnë gjithandej… Koha ende nuk ka ardhur. Duhet të prisni derisa ta kemi në dorë gjithë institucionet e pushtetit kushtetues në Turqi. Tani jua shpreha mendimet e mia, duke besuar tek besnikëria dhe heshtja juaj…”.

Pas kësaj Gylen u zhvendos nga Turqia në Shtetet e Bashkuara për trajtim mjekësor. Megjithatë në vitin 2000 ai u gjykua në mungesë nga një gjykatë e sigurisë të shtetit për përpjekje për të zëvendësuar qeverinë aktuale laike me një islamike. Aktakuza pohon se lëvizja e tij ka tentuar të depërtojë në shkollat ushtarake turke. Ndjekësit e tij thonë se videoja është manipuluar për ta inkriminuar, por asnjëherë nuk kanë nxjerrë origjinalin e pretenduar. Pas disa vitesh betejash ligjore, Gylen u shfajësua në vitin 2008.

Xhemati i Gylenit është dukshëm dhe më diferencë, grupi më i fortë Nurxhu në Turqi, i përshkruar nga shumëkush si fuqia e tretë e Turqisë, veç partisë gjithnjë e më autoritare të kryeministrit Erdogan, (Partia për Zhvillim dhe Drejtësi, AKP) dhe ushtrisë tashmë të dobësuar.

Struktura dhe organizmi i Xhematit janë një subjekt debati. Anëtarët rreken të jenë evazivë jo vetëm për marrëdhënien e tyre me Gylenin, por edhe për ekzistencën e vërtetë të Xhematit. Së fundmi disa u kanë kërkuar turqve të përdorin fjalën xhami në vend të xhematit. Cili është ndryshimi? Nuk ka ndonjë ndryshim të madh. Xhamia nënkupton lidhje më të çlirëta, nëse xhemat mund të nënkuptojë “grigjë”, xhamia është më shumë si një rreth. Por fjala xhemat është mbushur me aq shumë interpretime negative, saqë dhe vetë Gylen e quan lëvizjen e tij “Hizmet”, apo shërbim.

Mbështetësit e lëvizjes thonë se struktura e saj është joformale, se të qenit i frymëzuar nga Gylen është njësoj si të frymëzohesh nga Nënë Tereza. Kritikët, duke përfshirë edhe shumë njerëz të cilët kanë lënë lëvizjen, vërejnë ndërkaq se struktura organizative e saj është e rreptë, hierarkike, dhe jodemokratike. Gylen (i njohur nga pasuesit e tij si Hoxha Efendi, është lideri shpirtëror, thonë ata, dhe çdo komunitet udhëhiqet nga “Abi-t”, (vëlla në turqisht), të cilën kanë vetëm një sasi të limituar informacioni.

Sociologia Berna Turam ka argumentuar se “vëllezërit” bëjnë sugjerime të forta, apo diktojnë fjala vjen, se me kë duhet të martohen anëtarët. Edhe në qoftë se bashkëshortët e ardhshëm nuk janë brenda xhematit, xhemati duhet të përfitojë prej tyre; për shembull një bashkëshort nga një familje e pasur, apo e fuqishme përbën një aset. Kjo tingëllon e besueshme: Ne shpesh e shohim këtë qasje ndaj martesës në shoqëri me institucione të dobëta dhe besim të ulët social, dhe Turqia është sigurisht një shoqëri e tillë.

Lëvizja, sipas studiuesve si Javuz, ka tre nivele të koordinuara: Biznesmenë, gazetarë, dhe mësues. Shtresa e parë, e ashtuquajtura borgjezia e Anadollit, ofron mbështetje financiare: Financon shkollat private, universitetet, kolegjet, konviktet, kampet verore dhe fondacionet nga e gjithë bota.

Gazetarët, niveli i dytë kanë një nga të përditshmet kryesore turke, Zaman; Stacionin televiziv turk STV; shërbimin e lajmeve Xhihan; shumë revista dhe revista akademike; disa të përditshme dhe kanale televizive; dhe shumë faqe online lajmesh. Shtresa e tretë janë mësuesit që operojnë në shkolla.

Një e-mail i publikuar nga WikiLeaks dhe shkruar nga Reva Bahalla, një punonjës i kompanisë private të zbulimit, Stratfor, detajon dy nivelet e para. Materiali përshkruan “një shoqërim me gylenistë të thekur” në Stamboll. Përshkrimi fillon me një vizitë në selinë e Zamanit.

bediuzzaman-said-nursi-20150323082305Mënyra se si ata përfaqësojnë agjendën e tyre, duket sikur ka të bëjë me demokratizimin në Turqi, të drejtat e njeriut, paqen botërore, etj. Miku ynë në fakt citonte filozofët liberalë perëndimorë duke u përpjekur të tregonte se sa shumë gjëra të përbashkëta kanë me ata në respektimin e këtyre vlerave demokratike, dhe kjo është ajo që është e domosdoshme për kandidaturën e Turqisë në BE. Ironia, pretendojnë ata, është se njerëzit mendojnë se për shkak se ata janë islamikë, janë fundamentalistë dhe jo modernë, autoritarë (në pikëpamjen e tyre). Ajo që unë dhe Emre vumë re është se në të gjitha takimet tona me gylenistët ata recitonin pothuajse të njëjtat reshta. Ditën tjetër Emre dhe unë vizituam organizatën më të madhe gyleniste që mbledh të gjithë këto konferenca masive në të gjithë botën për të promovuar axhendën e tyre, rritjen e fondeve, rekrutimeve etj. Zyra e tyre ndodhet në një nga zonat më të shtrenjta të Stambollit. Ata kanë marrë objektet më të mira, me pak fjalë, ata kanë paratë. Tani duhet të pyesni veten, nga vijnë paratë? Financimi i tyre vjen kryesisht nga kooptimi i shtresës turke të biznesit.

Pas një vizite të gjatë në gjithë ndërtesën nga fillimi deri në fund, ata na treguan një film propagandues për Gylenin në teatrin e tyre. Gylenisti ynë është aq i prekur nga fjalimi i Gylenit në video saqë fillon të qajë. Ndërkohë që unë përpiqem me gjithë forcën që të mos qesh.

Epo, mbase është për të qeshur, nëse nuk jeton këtu…

Sociologu Jonathan Lacey ka studiuar aktivitetet e kësaj lëvizjeje në Irlandë, ku e frymëzuara nga Gylen, Shoqëria Kulturore dhe Arsimore turko –irlandeze (TIECS) organizon udhëtime një javore në Turqi për të huajt.

Kuptova se këto udhëtime janë financohen nga biznesmenë, të cilët janë anëtarë të Komunitetit Gylen. Anëtarët e TIECS pretendojnë se këto udhëtime financohen me qëllim promovimin e dialogut ndërkulturor. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se Komuniteti Gylen është i angazhuar në mënyrë aktive në tregti si dhe arsimim në Azinë Qendrore, unë mendoj se këta biznesmenë financojnë këto udhëtime, të paktën pjesërisht, për të rritur tregtinë midis Irlandës dhe Turqisë. Një tjetër alternativë është se këto financime bëhen me shpresën për të dhënë promovuar një përshtypje pozitive të Turqisë në Europë dhe për të siguruar anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Studiuesi francez Bajram Balxhi,me origjinë turke, përshkruan diçka të ngjashme në aktivitetet e lëvizjes në Azinë Qëndrore:

Biznesmenë nga një qytet i caktuar në Turqi, fjala vjen në Bursa, vendosin të bashkojnë përpjekjet e tyre në një qytet të veçantë të Azisë Qëndrore, për shembull në Tashkent. Kështu, në Tashkent investimet Nurxhu do të bëhen të rëndësishme, derisa vjen natyrshëm njëfarë binjakëzimi mes dy qyteteve. Anëtarë Nurxhu – që mund t’i konsiderojmë si misionarë – dërgohen nga lëvizja me synim krijimin e kontakteve me kompani të rëndësishme, burokratë e personalitete, duk kuptuar kësisoj se cilat janë nevojat lokale, pastaj ata i ftojnë këta personalitete në Turqi… organizata Nurxhu i presin e i sajdisin, u tregojnë shkollat dhe fondacionet private të xhematit, edhe pa e përmendur fare këtë fjalë.  

Nëse dikush e admiron apo e trazohet nga xhemati, kjo varet nga përgjigja e kësaj pyetjeje: Çfarë vjen më pas? Dhe për të arritur tek përgjigja, duhet të eksplorojmë dy momente që dihet se janë trazuese. E para, ka evidenca se xhemati është autoritarist së brendshmi, madje njëfarë kulti. Ilhan Tanir, një gazetar turk që ishte në xhemat por u largua, ka shprehur shqetësim të veçantë për bindjen e verbër që u kërkohet anëtarëve të tij:

“Duke ngatërruar botën reale me atë kozmike, lëvizja në shumë raste e sheh veten si të pagabueshme dhe të bekuar, të rrethuar nga mrekullia. Për pasojë, kur dëgjon ndonjë kritikë ndaj dëshirave dhe punës së saj, lëvizja i barazon këta kritikë me ligësinë apo me dyshimin se kushedi ç’motive të fshehta kanë. ‘Itaat’ ose bindja, në këtë mënyrë bëhet karakteristika e parë dhe më kryesorja e një anëtari ‘të mirë’ dhe ‘të besuar’… të jetosh në një mjedis të tillë për kohë të jatë, bën që shumë prej këtyre njerëzve thjesht të kenë frikë të përballen me botën e jashtme, ose janë shumë të dobët të jetojnë në botën reale”.  

Për më tepër, thekson Tanir, xhemati beson se misioni i tij kozmik “e justifikon çdo lloj sjelljeje për të arritur qëllimin me çdo kusht”.

Në vitin 2008, qeveria holandeze hetoi mbi veprimtarinë e lëvizjes në Holandë. Ella Vogellar, ministrja për Strehimin, Komunitetet dhe Integrimin, paralajmëroi se “në parim, kur një organizatë bën thirrje për t’u mënjanuar nga shoqëria, kjo bie në kontradiktë me objektivat e integrimit”. Ishte detyrë e qeverisë, nënvizoi ajo, “për të qëndruar syçelët ndaj njerëzve dhe organizatave që sistematikisht nxisin sjellje anti-integruese, pasi edhe kjo gjithashtu mund të shërbejë si shtrat ushqyes për radikalizmin”. Duke dëshmuar mbi një prej shkollave që ishin në hetim, një ish anëtar i lëvizjes e quajti atë “një sekt me një format mendimi jashtë të cilit këta studentë nuk mund të arsyetojnë dot”:

Pasi ke jetuar për vite me rradhë në këto mjedise shkollore, është psikologjikisht e pamundur të shkëputesh; të kap kompleksi i fajit. Për më tepër, shkolla detyron studentët të letojnë, mendojnë dhe veprojnë siç udhëzojnë Vëllezërit e Mëdhenj. Dhe përmes presionit psikologjik, këtyre studentëve u thuhet se cila karrierë duhet ndjekur, për hir të idealeve të larta… Një tjetër aspekt mjaft negativ është se nxënësit nuk i respektojnë më prindërit e tyre, dhe nuk i dëgjojnë më, nisa prindërit nuk jetojnë sipas standardeve të vendosura nga grupi; ata distancohen psikologjikisht nga prindërit; kështu pra, ja tek ke krijuar ushtarët e tu të vegjël që marshojnë vetëm me urdhrat e eprorëve. Këta u binden udhëheqësve rajonalë, që me radhë duhet t’u binden drejtuesve në rang kombëtar dhe këta të fundit, Fetullah Gylenit.

Pas investigimit, qeveria holandeze reduktoi mjaft financimet publike, mesa duket nën konkluzionin se vërtet shkollat e Gylenit promovonin “sjelljet anti-integruese”.

Besimi se lëvizja urdhëron ose frymëzon një bindje të verbër, nuk kufizohet vetëm tek ata që e kanë braktisur lëvizjen – vetë zëdhënësit e saj janë krenarë për këtë aspekt. Në vitin 2010, gazetarja amerikane Suzy hasen që shkruante për revistën The New Republic, vizitoi “Golden Generation Worship and Retreat Center” në Sejlorsburg, Pensilvani, aty ku jeton Gyleni. Presidenti i institucionit, Bekir Aksoy, i shpjegoi asaj se “njerëzit tanë nuk ankohen… Ata u binden tërësisht urdhrave… Po ta shpjegoj në këtë mënyrë: nëse një njeri me doktoraturë dhe karrierë të ngritur vjen të takojë Hoxha Efendinë, dhe Hoxha Efendiu i thotë se do ishte ide e mirë të ndërtonte një fshat në Polin e Veriut, ky njeri mëngjesin tjetër do bënte gati valixhen”.  

Fakti i dytë shqetësues mbi aktivitetet e xhematit, është se organizatat mediatike turke që lidhen me të, qartësisht ndjekin një axhendë që bie në konflikt me idealet e shpallura të lëvizjes. Versioni anglisht i gazetës Zaman shpesh është shumë e ndryshme nga varianti turk. Paralajmërimet mbi armiqtë e Islamit, armenët e pabesë dhe komplotet e Mossadit janë fshirë nga versioni anglisht, ashtu si dhe komente të tjera që ngjajnë të papërputhshme me mesazhin e tolerancës ndër-kulturore. Për shembull, vitin e kaluar, “Today’s Zaman” botoi kritikat e Gylenit ndaj qeverisë që kishte dështuar në zgjidhjen e problemeve afatgjata lidhur me të drejtat e kurdëve, por ndërkaq jepej edhe kjo lutje dykuptimëshe: “Kthejua shtëpitë përmbys, shkatërro unitetin e tyre, bëji hi banesat, le të mbushen dhomat e tyre me lotë dhe lutje, prejua dhe digji rrënjët e tyre, rrënoji biznesin dhe punën..”. Mbështetësit e Gylenit do ngulin këmbë se ai i referohej vetëm PKK-së, Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit, që edhe vetë SHBA-ja e cilëson grup terrorist. Por shumë qytetarë turq të origjinës entike kurdee quajtën këtë tekst si thrrje për gjenocid dhe u tmerruan.

Ose shikoni përgënjeshtrimin e Gylenit në “Today’s Zaman”, ndaj akuzës tashmë të njohur se ndjekësit e tij kanë infiltruar në organet shtetërore: “T’u bësh thirrje bashkëqytetarëve që të kërkojnë punë në institucionet e shtetit nuk mund të quhet infiltrim. Si qytetarët, ashtu dhe këto institucionet i përkasin të njëjtit vend… Është e drejta e tyre të punësohen në shtet”. Këto pirueta nënkuptojnë diçka në Zamanin turqisht, që nuk figuron në versionin e përkthyer. Ajo që mungon është fraza “Kastedilen manadaki sızmayı belli bir dönemde bu milletten olmayanlar yaptılar”, që domethënë përafërsisht se në të kaluarën, shtetit ishte infiltruar nga ata që “nuk ishin pjesë e këtij kombi”, Ata që e njohin Turqinë, menjëherë do ta kuptojnë këtë qëndrim nën dritën e historisë turke, ku infiltrimi shpjegon veprimet e shtetit shumë prapa në kohë, që nga shekulli 19. Nuanca e qartë është se dikur shteti ishte infiltruar nga jo-myslimanët ose nga njerëz që vetëm shtireshin si të tillë, padyshim edhe Ataturku mes tyre.

 

Pjesa e dytë vijon nesër

 

*Gazetare e njohur amerikane që ka shkruar për mediat kryesore të SHBA-së. Ka jetuar për shumë vite në Stamboll, deri në prag të protestave të parkut Gezi. Kjo analizë është botuar para tre vitesh në city-journal.org

Share This Article
4 Comments
  • Gylenistet qenkan varianti Mason Islamik , kujdes shqiptare , ku ka ze s eshte pa gje thote populli ,

  • Shkrimi eshte i vjeter dhe qe nga ajo kohe kane ndryshuar shuuume shumme gjera. Ky sulmi i Erdoganit po i ben ata te kuptojne se dis agjera i kane aplikuar gabim duke u reformuar edhe me tej.
    Lufta eshte e keqe, por ata te sjell me kembe ne toke.

  • Shkrim interesant. Kerkon me shume pune per te kuptuar frymen e Gylen dhe formen.
    interesant eshte fakti I mos perfshirjes se Bektashive qe jane Sufite . ELEMINIMI TYRE SHUAN SHPRESAT PER REFORMIM TE ISLAMIT…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *