Saranda, mes detit, historisë dhe…gjelbërimit

Dita

 

“… Këtu në Sarandë ndodhet vendbanimi i ardhshëm i evropianëve, ndoshta pasuria më e madhe e Shqipërisë …”. Kështu shkruante në vitin 1936 një nga revistat e njohura në botë “National Geografik”. Vitet ikën dhe ja, 80 vjet më pas, si është shndërruar Saranda? Kemi ndërtuar një qytet betonarme, me një zhvillim kaotik urban, ku koeficienti i ndërtimit është dy herë më i lartë se kufiri i lejuar, me gjelbërim thuajse tërësisht të munguar.

Saranda vlerësohej për tri gjera, për diellin (qytet me mbi 300 ditë me diell në vit) për detin e pastër dhe për gjelbërimin. Zoti i dhuroi një peizazh të mrekullueshëm – detin me ujëra të kristalta e plazhe, kodrat dhe malin me gjelbërim. Një bregdet i rrallë, me mbi 8 km gjatësi e me një brez bimësie të gjelbër të makies mesdhetare, me pllakat e gurta karakteristike milionavjeçare (monument natyre) krijonin kënaqësi të veçanta për vizitorët.

Gjendja e qytetit, e detit ku zhvillohet plazh dhe e kurorës së gjelbër deri në vitet 1990 qe përgjithësisht e mirë, ndonëse nuk kishte ndonjë plan të zhvillimit në perspektivën. Kurora e Gjelbër e Sarandës, krijuar nga pyllëzimet artificiale, filloi të mbillej në vitin 1968 e deri me 1992. Pyllëzimet filluan në pjesën jugore, në malin e Lëkurësit (pranë fshatit Çukë) deri në prerjen e malit mbi Limion. U pyllëzuan rreth 400 ha me lloje që duronin thatësirën, si pishë e egër, selvi, dafinë, etj. Falë kujdesit të ish-N. Pyjore, këto pyllëzime u zhvilluan mire dhe në pak vite sipërfaqet e gurta e me shkurre u veshën nga bimësia. Ato vite, sapo pylli krijonte hije e gjelbërim, banorët e Sarandës nuk shkonin vetëm drejt plazhit, por filluan të frekuentonin edhe pyllin, që qarkonte qytetin.

Më pas. Që nga viti 1992 nuk u bë asnjë mbjellje, por vetëm shkatërrim, masakrim i kurorës. Mbi 500 mijë pisha 20-30-40 vjeçare janë prerë e zhdukur, në emër të zhvillimit urban të qytetit, shtrirjes së tij për t’iu përshtatur “ritmeve bashkëkohore”!? Për të hapur troje banimi, shpesh pyjet digjeshin dhe një vit më pas fillonin ndërtimet me e pa leje. Pas viteve 1990 e sidomos pas vitit 2000, “betejën” në këtë qytet e fitoi aventura dhe jo logjika, e fitoi shkatërrimi i natyrës e i peizazhit dhe jo bashkëjetesa me të, betonizimi i hapësirave të gjelbra, ndërtimi i shtëpive të banimit, nga një deri 12 kate. Mjedisi urban gjatë këtyre 23 viteve ra në duart e aventurierëve dhe jo specialistëve e intelektualëve evropianë. Për rrjedhojë, sot mjedisi qytetas i Sarandës konsiderohet i papërshtatshëm për banim, pa kurorë e mjedise të gjelbëruara, ku mbizotërojnë ndërtimet kaotike dhe një qarkullim i pamundur, kudo beton, deri në shpërfytyrim.

Kurora e gjelbër dhe bregdeti sot mund të konsiderohen të dëmtuar rendë, diku dhe në mënyrë të pakthyeshme, ndërkohë që disa të quajtur “biznesmenë”, në fakt shkatërrues të mjedisit, mbushën xhepat në kurriz të qytetit tonë, të jetës sonë. Por, edhe këta zoti i dënoi, apartamentet i kanë të pa shitura. Harruan “biznesmenët”, në fakt jo ndërtuesit por shkatërruesit, që çdo apartamenti i duhet, e ka të domosdoshëm gjelbërimin, çdo ndërtim duhet të jetë në harmoni, por së pari të mos dëmtojë natyrën-mjedisin. Sot jemi dëshmitarë të shkatërrimit të vlerave të krijuara në natyrë për miliona vjet, gjë që me të drejtë mund të quhet marrëzi njerëzore, ku të gjithë jemi përgjegjës.

Vjen një çast, kur çmenduria duhet të marrë fund, kur e keqja nuk mund te vazhdojë më. Ka një shpresë të njerëzve, ka një besim e përkushtim intelektual për të marrë një kahje pozitive zhvillimi dhe jeta! Pra, ka akoma shpresë që qyteti ynë të mos vdesë, por të vazhdojë frymëmarrjen. Oksigjeni jetëdhënës është kusht i domosdoshëm për çdo organizëm të gjallë, përfshi dhe njerëzit, burimin ai e ka te bimësia.

Çfarë dhe si mund të ndreqet? Në kuadër të kësaj thirrjeje shprese, krahas disa masave të tjera, u hartua dhe Projekti për menaxhimin e territorit të Kurorës së Sarandës. Detyra që duhet të zgjidhte është të ringrihej, të gjelbërohej pjesa që mbeti nga shkatërrimi urban. Qeveria e vlerësoi këtë Projekt dhe akordoi fondin për pyllëzimin e Kurorës. Në fillim të dhjetorit të kaluar nisën punimet. 50 punëtorë me përvojë, kryesisht të ish-DSHP, për dy muaj e gjysmë hapen gropat dhe mbollën 22 mijë pisha e 4 mijë selvi, në një sipërfaqe prej 10.08 ha.

Si fazë e parë. Janë siguruar fondet që ky investim të shoqërohet me shërbime (ujitje, prashitje, plehërime) për dy vjet, që të garantohet Kurora. Ky pyllëzim nuk u krye vetëm nga subjekti i kontraktuar si zbatues i punimeve, por pati pjesëmarrje aktive nga shoqëria civile. Shumë aktive AJMM (Agjencia Joniane e Mjedisit), që sensibilizoi komunitetin, qytetarët, sidomos nxënësit e shkollave dhe studentët e Universitetit, të cilët hapën gropa e mbollën mjaft fidanë. Nisma e AJMM për një “Ditë të Vullnetarizmit të Gjelbër” shërbeu dukshëm në zgjim të vetëdijes qytetare, për të ndërgjegjësuar opinionin për sfidat dhe emergjencat mjedisore përreth qytetit të Sarandës. Rikthimi i traditës së mbjelljes së pishave, bananeve, bukoviles, ullirit, manjolës, etj., duhet vlerësuar si ecuri në dinamikë, që i drejton komunitetet në krijimin e mjediseve të këndshme. Ndërgjegjësimi i komunitetit, krijimi i një mjedisi ekologjik, konceptimi më i drejtë, për te mbrojtur çdo pishë që ka shpëtuar nga prerja dhe çdo pishë që u mboll, ishte mesazhi që dhanë këto aktivitete të përbashkëta. Kënaqësi e veçantë për drejtuesit dhe për ata që ndoqën punimet, po dhe për vetë qytetarët pjesëmarrës vullnetarë.

Ky pyllëzim, i konsideruar si aksioni më masiv mjedisor, pati ndjeshëm vëmendjen e qytetarëve, duke shpresuar për një mjedis çlodhës e jetëdhënës, qe do t’i rikthehet Sarandës. Sjellim në vëmendje se sot jemi në kufijtë minimalë, kur Saranda ka më pak se 1 m2 gjelbërim për çdo banor, ndërkohë që qytetet evropiane kanë 20-30 herë më shumë. Po turistet dhe vizitorët e shumtë, qe e duan Sarandën e do të vijnë, ku e kanë gjelbërimin?! KSAMIL-7

Për vetë rëndësinë komplekse që patën punimet në Kurorën e Sarandës, në prag të “Ditës Ndërkombëtare të Pyjeve – 21 mars”, këto punime i vizitoi dhe Kryeministri Edi Rama. Nga ballkoni i qytetit (Kurora e Sarandës) ai tha: “Projekte të tjera do të vijojnë për gjelbërimin e saj, për t’i dhënë ngjyrë, kontrast, oksigjen, qytetit”.

Investimi është i konsiderueshëm, faza e parë përfundoi, por puna vazhdon. Kurorën duhet ta mbrojmë me çdo çmim, çdo fidan i mbjellë tani e në vazhdim, duhet të rritet. Bashkia e Sarandës, me stafin e saj, duhet t’i dalin për zot vazhdimësisë se Projektit. Eshtë detyra e tyre për ta menaxhuar e administruar. Kullotja e bagëtive nga fshatrat e afërt duhet konsideruar rreziku më i madh për dëmtimin e fidanëve të mbjellë. Ndoshta rrethimi i përkohshëm i zonës do të qe garancia më mirë për të mbrojtur fidanët. Administrata e Bashkisë tashme ka një përgjegjësi të shtuar dhe përgjegjësi para ligjit. Nuk duhet lejuar më prerja dhe djegia e asnjë pishe. Por ato të matrikullohen dhe të monitorohet e gjithë Kurora, bile dhe në kufijtë e shtrirjes urbane të qytetit. Një “vije e kuqe” duhet vendosur në shtrirjen urbane të qytetit drejt Kurorës. Ajo nga askush dhe me asnjë projekt ndërtimor nuk duhet cënuar. Ashtu si do të rriten pishat dhe selvitë e mbjella, do të rritet dhe shpresa e qytetarëve të Sarandës, për një mjedis më të mirë, për jetë më të lumtur. Duke i dhënë Kurorës së Gjelbër, përkushtimin dhe kujdesin tonë sot, ajo do të na i shpërblejë shumëfish me ajrin e pastër, me kënaqësinë e pafundme, që do dhurojë jo vetëm për ne, po për shumë breza që do të vijnë.

Mirëserdhët në Sarandë!

Emra që nuk ngjitën!…

Zhvillimin më të madh Saranda e mori në kohën e sundimit të Mbretit Ahmet Zogu I, në vitet ‘30 të shekullit XX-të, kohë në të cilën u bë qendër nënprefekture. Pikërisht në këtë kohë shtohen dyqanet dhe banesat si dhe bëhen ndërtime publike, si shëtitorja anës detit dhe disa rrugë me rëndësi në brendësi të Sarandës. “Aventura” e ndryshimit të emrit ka vazhduar gjatë për këtë qytet. Në këtë periudhë me vendim të Parlamentit, qytetit iu dha emri “Zogaj” për nderim të mbretit, të cilit iu dhurua krejt qyteti. Ahmet Zogu ia dhuroi Kryqit të Kuq Shqiptar.  Gjatë kohës së pushtimit italian, në Luftën e Dytë Botërore qyteti u pagëzua me emrin “Porto Eda”. Eda ishte vajza e dashur e Mussolinit, bashkëshortja e Galeaco Çianos, ministrit të Jashtëm fashist. Në vitet e komunizmit qyteti u shndërrua në qendër rrethi. Në regjistrimin e 1967 qyteti rezulton me 8700 banorë. Pas viteve ‘90 në qytet janë ndërtuar shumë hotele dhe aktiviteti më i rëndësishëm sot është turizmi.

Kalaja e Lëkursit, belvederi i Sarandës

Kalaja e Lëkurësit lidhet me emrin e njërit prej sulltanëve më të njohur, Sulejmanit të Madhërishëm, i cili e ndërtoi për të sulmuar Korfuzin që ishte nën kontrollin e Venedikut. Në Kalanë e Lëkurësit, në vend të rrënojave të dikurshme, është ndërtuar një lokal fort komod e i këndshëm, gjithnjë i frekuentuar nga turistë të shumtë.

Mesopotami, endé në këmbë pas mëse 10 shekujsh

Mesopotami ndodhet në krah të rrugës që lidh Sarandën me Gjirokastrën, i vendosur në krah të lumit Bistrica. Mesopotami ka qenë qendër peshkopate. Monumenti më i rëndësishëm në Mesopotam është Manastiri i Shën Kollit i shekullit XI, një nga objektet më të vjetër të arkitekturës shqiptare që qëndron ende në këmbë.

 

Guidë historike

Saranda, krahas atraksioneve turistike, ka dhe shumë vende historike. Ndaj kush planifikon të pushojë në Sarandë duhet t’u lërë ca kohë edhe këtyre vendeve, pasi një pjesë e tyre janë në rrethinat jashtë Sarandës. Po kush janë  këto?

Një sinagogë në anë të Jonit

Në Sarandë gjenden rrënojat e një sinagoge të vjetër, mbase më të vjetrës në këtë anë të Mesdheut. Mozaiku i sinagogës ishte zbuluar me kohë, por askujt nuk i shkonte mendja se kishim të bënim me një vend të shenjtë hebre. Ekspedita e organizuar në 2004 në bashkëpunim me shkencëtarë të Universitetit të Jerusalemit e vërtetoi plotësisht këtë gjë. Një nga mozaikët më të vjetër mbante simbolikën tipike për një sinagogë, me menorahun (shandanin me shtatë qirinj) me bririn e dashit (shofar) dhe me qitron e festave (etrog). Sinagoga mendohet të jetë ndërtuar në fund të shekullit V, fillimi i shekullit VI-të. Nuk dihen arsyet përse vendi i shenjtë u braktis nga komuniteti hebre dhe përse befas u kthye në kishë.

I famshmi Butrint

Qyteti antik ndodhet mes një gjelbërimi natyral, buzë liqenit karakteristik, vetëm 3 km larg detit, me të cilin lidhet nëpërmjet kanalit të Vivarit. Butrinti është përfshirë prej disa vitesh në pasuritë botërore të trashëgimisë kulturore dhe gjendet nën mbrojtjen e UNESKO-s.

Njoftimin e parë për ekzistencën e tij e jep Hekateu në shekullin e VI-të para Krishtit. Në shek. VI-V p.e.s. ishte nën sundimin e Korfuzit.  Në shekullin IV p.e.s. ndërtohet fortifikimi i rëndësishëm rreth e rrotull qytetit.  Në gjysmën e parë të shekullit të III-të u ndërtuan disa prej ndërtesave më të rëndësishme të qytetit si agoraja, teatri, një portik, tempuj. Në mesin e shekullit I para Krishtit pushtohet nga romakët, të cilët preferuan të mos e shkatërronin sikurse kishin bërë me shumicën e qyteteve epirote. Gjatë luftës civile mes Jul Cezarit dhe Pompeut, Butrinti ishte një bazë e rëndësishme detare dhe furnizimesh për ushtrinë e Cezarit. Në periudhën romake qyteti përjetoi një valë ndërtimesh të rëndësishme. Në periudhën  bizantine janë trashëguar një sërë ndërtimesh kulti, mes të cilave dallojnë një baptiser, dy bazilika dhe katër kisha. Vendbanimi qytetar vazhdoi pa ndërprerje jetën e tij gjatë gjithë mesjetës, duke u përmendur shpesh edhe si qendër peshkopale. Mes shekullit XI dhe fillimit të shekullit XIX, qyteti kaloi në duar sundimtarësh e pushtuesish të ndryshëm, që nga normanët e Robert Guiskardit, kryqtarët, bizantinët e Mihal Komnenit, suevët e Manfredit të Siqelisë, anzhuinët e Karlit I. Në 1306 ra nën zotërimin venedikas të cilët e mbajtën gjatë, deri në vitin 1797 dhe lanë pas një numër të madh fortifikimesh shumë të dukshme edhe sot e kësaj dite. Me largimin e vendikasve, Butrinti ra vetëm për pak kohë në duart e francezëve të Napoelon Bonapartit dhe një vit më vonë u zotërua nga Ali Pashë Tepelena, i cili ndërtoi pranë tij edhe një kala. Gërmimet e para arkeologjike do të kryheshin gjatë viteve 1928 -1941 nga arkeologu i mirënjohur italian Luigji Ugolini.

Finiqi antikSaranda

Ky është qyteti antik ku mendohet se ka lindur mitologjia e lashtë. Në qendër të kodrës së Fonikes ndodhet akropoli, zemra e qytetit. Duket se zhvillimin më të madh qyteti e ka pasur në shekullin e II-të para Krishtit. Në vitin 233 para Krishtit Finiqi bëhet qendra e  Lidhjes Epirote, në vitin 230 para Krishtit, ardianët, një fis tjetër ilir që vinte nga Veriu e pushtoi për pak kohë qytetin. Finiqi është i njohur sepse këtu u nënshkrua traktati i paqes mes romakëve dhe Filipit të Maqedonisë. Në 168 para Krishtit romakët e pushtuan qytetin dhe e plaçkitën atë.  Qyteti e ka vazhduar jetën e tij në fushë, në shekujt e parë pas Krishtit. Ai vazhdonte të priste monedhat e tij dhe të kishte një jetë relativisht të begatë. Në shekullin e VI-të Justiniani e rifortifikoi qytetin. Finiqi i sotëm është një fshat i madh e i mbajtur mirë dhe i banuar.

Delvina e pashallarëve dhe bejlerëve të mëdhenj

Të vesh në Sarandë dhe të mos shikosh Delvinën, një nga qendrat me rëndësi në mesjetën e hershme të Shqipërisë, thuaj që nuk kam vajtur në Sarandë. Një nga monumentet më të rëndësishëm këtu është kështjella e Delvinës, e ndërtuar që në antikitet, por e rindërtuar në periudhën bizantine. Një tjetër monument i këshillueshëm për t’u vizituar është kompleksi i banjave publike të kohës osmane. “Hamami”, sikurse e quajnë vendasit nga turqishtja e vjetër, ndodhet në lagjen e vjetër “Xhemërhallë”, afër kështjellës. Veç këtyre këtu në këtë qytetth të vogël do të gjesh një mikpritje dhe bujari si askund tjetër.

 

 

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *