Plot 469 çifte janë paraqitur në dyert e Gjykatës së Elbasanit për t’i dhënë fund martesës së tyre gjatë vitit 2012. Një numër rekord ky krahasuar me vitet e tjera, që ka sjellë edhe shumë pensione ushqimore për fëmijët dhe shumë procedura shtesë për të bërë të mundur vjeljen e këtyre pensioneve.
Sipas znj. Merita Tirana, kryetare e Zyrës së Përmbarimit, nuk mund të ketë një shifër fikse për numrin e pensioneve që qarkullojnë në një muaj, pasi nuk ka një frekuencë të rregullt nga ana e kreditorëve. Ajo shprehet se tashmë ka edhe përmbarues privatë që bëjnë vjeljen e këtij lloj pensioni dhe me ndryshimet e bëra në rast mospagese të pensioneve, nuk është më përmbarimi që i drejtohet gjykatës, por vetë ankimuesi.
E pyetur mbi shifrat e pensioneve ushqimore që hasen në Elbasan, ajo shprehet se ka edhe nga më minimalet. “Kemi aktualisht pensione me vlerën 800 lekë. Duket e habitshme kjo shifër, por ka raste kur pensioni është vendosur vite më parë dhe vetë përfituesi nuk ka kërkuar nëpërmjet gjykatës rritjen me kushtet ekonomike të sotme. Kemi edhe pensione maksimale deri në 15 000 lekë që gjykata e ka çmuar si detyrim të njërit prej prindërve për fëmijën e marrë në ngarkim nga prindi tjetër. Në shumë raste familjet nuk e dinë ku të kërkojnë rritje ose nuk i ndjekin procedurat dhe kjo bën që pensionet të mbeten në shifra të tilla.
Ndërkohë, lidhur me vështirësitë e vjeljes së pensioneve, znj. Tirana shprehet se ka vështirësi, por që shpesh nuk varen më nga përmbarimi. “Ne bëjmë të pamundurën që këto pensione të kalojnë tek fëmijët, por jo çdo gjë varet nga përmbarimi. Kontrolli që ne bëjmë, është ai bankar për të gjetur të ardhura të cilat mund të bllokohen në favor të këtyre pensioneve. Në rastet kur nuk gjejmë, nuk ka mundësi të tjera, pasi në bazë të ligjit nuk mund të bllokojmë pajisje apo orendi që i shërbejnë individit në jetën e tij.
“Më pas i mbetet kreditorit të paraqitet pranë gjykatës ku edhe mund të ngrejë një padi për mosdhënie mjetesh për jetesë. Më pas gjykata nis procedimin. Në shumë raste vepron nëpërmjet gjobave, por ka edhe raste kur gjykata ka vendosur masë dënimi me burg.
“Gjatë vitit 2012 ka një rast kur një person është dënuar me një muaj burg për këtë akuzë. Ndërkohë një rast tjetër nga qyteti i Cërrikut që kishte një vit që nuk shlyente detyrimet është dënuar me një gjobë prej 500 mijë lekësh të vjetra, duke paguar kështu edhe gjobën edhe periudhën e prapambetur të pensionit.
Amnistia
Por përmbarimi duket se ka edhe një tjetër ngarkesë gjatë kësaj periudhe. Falja e gjobave ka angazhuar përmbaruesit për të mbyllur të gjithë procedurat e faljes. Pra, debitorët e gjobitur nga Gjykata kanë përfituar faljen e këtyre gjobave, edhe pse nuk kanë shlyer detyrimet ndaj fëmijëve të tyre.
Për përmbaruesit vazhdojnë të mbeten problem prindërit e larguar në emigracion pa gjurmë të ardhurash dhe familjarësh në Shqipëri. “Është e vështirë të vjelim pensione për persona që ndodhen jashtë vendit dhe që nuk kanë lënë familjarë këtu. Prindërit duhet të mendojnë për fëmijët duke qenë të ndërgjegjshëm për mirërritjen e tyre. Në shumicën e tyre, ata vazhdojnë të paguajnë, por ka raste kur kjo gjë nuk ndodh”.
Nuk e marr dot pensionin: Ish-bashkëshorti ndodhet ne Greqi
A.M është një nënë që ka në ngarkim dy fëmijë të vegjël pas divorcit me bashkëshortin e saj. Ajo është e papunë dhe ka vështirësi në ushqyerjen dhe mirërritjen e tyre. Këto vështirësi i ka shtuar edhe fakti se bashkëshorti i saj i larguar vite më parë në Greqi nuk ka familjarë dhe as prona në Shqipëri.
Ajo shprehet se disa herë ka tentuar vetë t’i thërresë ndërgjegjes së ish-bashkëshortit që të dërgojë pensionin ushqimor të fëmijëve, por me kalimin e kohës ai nuk është bërë më i gjallë. Ajo shprehet se ka arritur t’i mbajë fëmijët me ndihmën e familjarëve të saj, por nëse nuk do të gjendet një zgjidhje dhe nuk do të gjejë punë, ajo do të detyrohet t’i dërgojë fëmijët në jetimore. Vlera e vënë nga gjykata është 10 mijë lekë dhe kjo shumë do shërbente të paktën për ushqimin e tyre.
Nëna e vënë në vështirësi endet në dyert e përmbarimit që ata të bëjnë diçka për të marrë pensionin.
Kryetarja e Përmbarimit shprehet se për raste të tilla vështirësitë janë të mëdha për të vjelur pensionet ushqimore. Kjo për faktin se shpesh ata nuk janë të siguruar ose i kalojnë paratë në emrin e bashkëjetuesve. Mënyra e vetme, sipas saj, është ndërgjegjësimi i babait për faktin se fëmijët kanë nevojë për këto para.
Vendimet e gjykatës në pjesën më të madhe i lënë në kujdestari fëmijët ish-bashkëshortes pas vendimit të gjyqit duke vendosur edhe një pension ushqimor, detyrim për kontributin ushqimor.
Shembuj
Vendim për zgjidhje martese
Bashkë me vendimin për divorcin, gjykata vendos edhe pensionin ushqimor, si dhe mënyrën e takimit të fëmijëve nga njëri prind. “Pas shqyrtimit të çështjes trupi gjykues vendosi zgjidhjen e martesës ligjore midis paditësit A.K dhe të paditurës O.K., lënien e fëmijëve për rritje dhe edukim të paditurës. Gjithashtu, gjykata çmon të drejtën e takimit të paditësit me dy fëmijët çdo ditë të shtune të javës së fundit të muajit nga ora 09:00 deri në orën 16:00 të ditës së diel, si dhe qëndrimin e fëmijëve pranë paditësit nga data 15 deri në 31 korrik të çdo viti.
Detyrimin e paditësit që të paguajë në favor të fëmijëve një kontribut ushqimor, për E.K. 8 000 (tetë mijë) lekë në muaj dhe 7 000 (shtatë mijë) lekë në muaj për fëmijën E.K.
Pagimi i pensionit ushqimor të fillojë nga data 01…”
Vendim i ankimuar në Apel
Një prej prindërve ka ankimuar vendimin në Gjykatën e Apelit dhe kjo e fundit ka lënë në fuqi të mëparshmin duke ndryshuar me rritje vlerën e pensionit ushqimor për dy fëmijët.
“Trupi gjykues vendos pranimin e padisë së paditësit G.V. për zgjidhjen e martesës, lënien e fëmijës A V. për rritje dhe edukim të paditurës S.V., detyrimin e paditësit për të paguar një detyrim ushqimor në favor të fëmijës në masën e 15 mijë lekëve në muaj, si dhe lënien në përdorim të banesës (pronë e paditësit) të paditurës derisa fëmija të bëhet madhor përkundrejt pagesës prej 5 000 lekësh në muaj. Po ashtu vendimet e mësipërme duhen lënë në fuqi edhe për sa i përket mbajtjes nga ana e paditësit G.V. të fëmijës A. V. gjatë periudhës së pushimeve verore dhe dimërore (ashtu sikurse ka vendosur Gjykata e Faktit).
