David Cameron do të propozojë një ligj të ri që u jep të drejtën autoriteteve britanike që të konfiskojnë rrogën që marrin emigrantët ilegalë. “Duhet ta bëjmë Mbretërinë e Bashkuar një vend më pak atraktiv për punën e paligjshme”, paralajmëroi kryeministri, “dhe në fakt deri tani ka qenë shumë e lehtë”.
Njoftimi i Cameron, që i paraprin ligjit të ri të emigracionit që do të prezantojë të mërkurën e ardhshme gjatë fjalimit tradicional të mbretëreshës, vjen pas të dhënave se numri i emigrantëve në Britani ka arritur në 290 mijë gjatë vitit 2014, ndërkohë që kufirit që Partia Konservatore kishte premtuar gjatë fushatës elektorale ishte 100 mijë.
Deri tani kompanitë që punësonin emigrantë të paligjshëm mund të gjobiteshin deri në 26 mijë euro. Masa e re shkon akoma dhe më tej dhe pretendon të ndëshkojë direkt punonjësit e huaj që nuk e kanë të rregulluar situatën e tyre në Mbretërinë e Bashkuar.
“Të huajt që duan të hapin një llogari bankare në Mbretërinë e Bashkuar duhet të demonstrojnë situatën e tyre ligjore, procedurat e dëbimit do të shpejtohen dhe emigrantët do të shohin se mundësitë e apelimit do të reduktohen. Në plan të dytë mbetet këtë herë ofensiva e Cameron kundër emigrantëve të Bashkimit Europian që do të humbasin të drejtat për të marrë ndihma sociale gjatë 4 viteve të para të qëndrimit të tyre, sipas planeve për të rinegociar statusin e Mbretërisë së Bashkuar brenda BE-së.
Propozimi për të konfiskuar rrogat e punëtorëve të paligjshëm si reagim ndaj formave të ndryshme të kriminalitetit konsiderohet nga Cameron si një qasje “e rreptë, por e drejtë”. “Kemi nevojë për një qëndrim të ashpër dhe të drejtë ndaj emigrimit”, tha Cameron. “Një vend i fortë është një vend që kontrollon emigrimin, dhe jo ai që lejon situata të paligjshme”.
“Do të marrim masat që nuk mund të bënim kur ishin në një qeveri koalicioni”, tha paraprakisht Ministra e Brendshme, Theresa May, në deklaratë për BBC. Cameron do të ndjekë nga afër përpjekjet për të luftuar emigracionin ilegal dhe vizitoi dje një zonë të Londrës që, së fundmi, është bastisur nga autoritetet e emigracionit.
