Kombëtarja e Turqisë është duke menduar t’i japë nënshtetësinë turke futbollistit 21-vjeçar që aktivizohet në ligën e dytë turke, Vedat Muriqi. Shtatlarti që në Superligë është aktivizuar me skuadrën e Besës së Kavajës dhe Teutës së Durrësit, përpara se verën e shkuar të firmoste për Eskisehirspor, që e huazoi tek Xhiresunspor, pasi rregulli për të mos mbajtur shumë ekstrakomunitarë “e detyroi” që të bënte këtë lëvizje.
Gjashtë gola mes kampionatit dhe Kupës, në 32 ndeshje të zhvilluara. Veç kësaj, edhe pesë asiste për Vedat Muriqin, i lindur në Prizren dhe që ka luajtur në fillimet e tij me FK Liria në Kosovë. Më 15 tetor 2013 debutimi me Kombëtaren U-21 të Skendër Gegës, ndaj Bosnje-Hercegovinës, duke u futur në pjesën e dytë. Pikërisht në këtë ndeshje Muriqi luan shumë mirë dhe ka disa agjentë në shkallët e stadiumit, ashtu si edhe ndaj Spanjës në “Elbasan Arena”, ku Shpresat humbasin 0-2. Muriqi luan edhe kundër Hungarisë, gjithmonë si zëvendësues, teksa më pas zhvillon miqësore me Rumaninë dhe një turne në Emiratet e Bashkuara. Vedat Muriqi është një futbollist me një fizik të jashtëzakonshëm (194 cm) dhe që di të përpunojë topin edhe me këmbë, në sajë të teknikës së tij.
Sinjalizimi – Eshtë drejtori teknik i Xhiresunsporit, Erkan Sozer, ai që në një intervistë për mediet turke deklaron: “Ia kam sinjalizuar trajnerit të Turqisë, Fatih Terim, duke i thënë që të kryejë sa më shpejt procedurat për t’i dhënë nënshtetësinë turke, pasi kemi të bëjmë me një Hakan Shukur të ardhshëm”. Dhe, menjëherë, Terim, në sajë të ndihmësve të tij, ka nisur ta monitorojë djaloshin.
Mëkat – Dhe, nëse Turqia do të arrijë që të na “e rrëmbejë”, atëherë do të jetë një mëkat i madh, sepse Muriqi, që është vetëm 21-vjeç dhe ka një fizik për të pasur zili dhe për të cilin është duke vuajtur Kombëtarja e De Biazit, pasi Edgar Çani rezultoi një zhgënjim i madh, Bogdani është tërhequr dhe Hamdi Salihi është drejt fundit të karrierës, ashtu si Kapllani. Mbetet vetëm Sadiku, por ai nuk po luan tek Zyrihu dhe kjo frenon gjithçka.
