Email nga adresa
Të martën në sallën e Teatrit Kombëtar u vu në skenë një shfaqje që trajtonte një temë krejt të veçantë, të paktën në dukje. Titullohej “Prag” dhe nënkuptonte një performance nga gra të burgosura. Ftesa në fakt jepte shumë pak informacion për idenë, për projektin e mundshëm prej të cilit kishte lindur performanca, sa kohë ishte dashur për të ngritur një punë të tillë. Janë detaje që kanë rëndësi kur bëhet fjalë për nisma artistike të këtij tipi. Emrat e personazheve ishin identifikuar me kohëzgjatjen e dënimit (17 muaj + 4 javë + 0 sekonda) dhe pjesën më të madhe e zinte fotografia e kraharorit të një femre.
E ndoqa me një lloj kërshërie pikësëpari sepse bëhej fjalë për një format arti të angazhuar, për të cilin besoj se kemi shumë nevojë. Shfaqja zgjati rreth 40 minuta dhe ishte e ndërtuar me monologë që tetë personazhet i recitonin, herë duke lëvizur në skenë, herë duke qëndruar përballë publikut e herë duke u marrë me punë të improvizuara (larje rrobash , larje dyshemeje):
Fjalët e tyre alternoheshin herë pas herë nga tingulli i një violine solo që luhej nga një mashkull gjysëm lakuriq në skenë, me kurriz nga publiku.
Dola nga shfaqja me një ndjenjë keqardhjeje për ato zonja që ishin në skenë dhe nuk më erdhi fare mirë për këtë. Do të doja që shfaqja të më transmetonte gjithçka tjetër – urrejtje, dhimbje, inat, zemëratë, shpresë – vetëm keqardhje jo. Ato nuk duhet të ishin aty për keqardhje, apo për t’u vetëmëshiruar në mallin, dhimbjen, fatkeqësinë e tyre. Përkundër, këto zonja do të duhej të ishin në skenë për të na komunikuar dhe për të na përfshirë në atë realitet që nuk e njohim dhe madje në shumicën e rasteve e injorojmë: burgun. Do doja të largohesha duke menduar se një performance e tillë artistike lind nga një akt njohjeje, nga një mënyrë komunkimi me këtë realitet social krejt të veçantë. Mirëpo, gjërat nuk bëhen me ‘do doja’.
