Serialet turke “pushtojnë” televizionet greke

anazapta

“Më vjen keq por tani nuk mund të flas, pas pak fillon “Sulejmani i Madhërishëm” – këtë fjali e ka dëgjuar shpesh kur ka dashur të lërë takim me dikë, tregon Vicky Bechraki. Arkitektja 40-vjeçare nga Athina në fillim tallej me vëllezërit, shoqet dhe prindërit e saj, që shihnin rregullisht në televizionin grek serialet turke.

Por dikur edhe ajo vetë nisi të shihte seri dhe që prej një viti çdo mbrëmje në orën 9 pret historitë aventureske plot intriga dhe zhvillimet e reja në dashurinë plot pasion mes Sulejmanit, sundimtarit turk në shekullin e 16-të dhe Ruksanës, skllaves së krishterë në haremin e tij.

“Ky prodhim është shumë më i mirë se serialët grekë të këtij lloji. Duhet pasur parasysh edhe se kanalet greke aktualisht ritransmetojnë serialë të vjetër grekë, disa nga viti 1985. Unë nuk kam dëshirë dhe interes të shoh gjithnjë të njëjtën histori. Serialet turke janë pra diçka e re”, thotë arkitektja greke.

Serialet turke janë vërtet një produkt i ri dhe i pëlqyer për tregun grek të medieve. Seriali i parë u transmetua në verë 2005 nga kanali MEGA TV. Ai quhej “Kufiri i dashurisë” dhe transmetohej në orët qendrore të mbrëmjes. Filmi tregonte historinë e dashurisë së një turkeje dhe një greku. Seriali, që trasmetohej një herë në javë, ishte një sukses i madh dhe zgjati tre vjet.

Ky ishte fillimi: në vitin 2010 kanali  ANT1-TV filloi transmetimin e një seriali të ri: “1001 netë”. Ky ishte edhe momenti i kthesës. Qysh atëherë tre kanalet e mëdha MEGA, ANT1 dhe ALPHA transmetojnë në orët qendrore vetëm serialë turq. Këtu vlen të thuhet edhe se 2010 ishte viti kur në Greqi filloi të ndihej qartë kriza.

“Në vitin 2010 kanalet e mëdha televizive greke u përballën me problemet e para serioze financiare: ata nuk kishin më para për të prodhuar seriale të rinj. Serialët turq ishin shumë më ekonomikë. Një seri mund të blihet për 5.000 euro dhe kuotat e shikueshmërisë janë mjaft të larta, shpesh mbi 40 për qind. Pra tre kanalet kryesore me programe zbavitëse filluan të blejnë në mënyrë masive serialë turq”, thotë Nikos Voulalas, kritik televizioni në gazetën popullore “Athinorama”.

Serialët turq megjithatë nuk janë të suksesshëm vetëm në Greqi. Vitin e kaluar firmat turke kanë marrë më shumë se 100 milionë dollarë nga shitja e të drejtave të transmetimit në më shumë se 70 vende. Serialët turq janë tashmë një mall fitimprurës eksporti.

Por suksesi i tyre nuk është vetëm ekonomik, edhe në aspektin politik ata po fitojnë gjithnjë e më shumë rëndësi. Kështu Ministria turke e Kulturës ka në plan të mbështesë financiarisht prodhimin e serialëve televizivë. Arsyeja është përmirësimi i imazhit të Turqisë jashtë. Edhe revista britanike “Time” e ka zbuluar këtë dhe shkruante së fundi se serialët “janë arma e fshehtë e Erdoganit”.

Sina Kologlu, gazetar dhe kritik i njohur në Turqi, beson se qeveria e ka kuptuar dhe synon ta shfrytëzojë potencialin e ndikimit kulturor që kanë serialët: “Këtë kujdes për imazhin e tregon në fakt çdo vend. Pra synimi mund të jetë të tregohet me anë të serialëve të tillë, sa e fuqishme është Turqia ose sa shumë ndikim ka pasur Perandoria Osmane. Fjala është për eksport të kulturës.”

Maria Rigoutsou/Basak Özay / Eliana Xhani (DW)

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *