Ndonëse Serbia ka avancuar në rrugën integruese drejt BE-së, po flitet gjithnjë e më shumë për një bllokim të mundshëm të saj. Edhe pse negociatat e anëtarësimit janë hapur formalisht në janar 2014, prej thuajse një viti e gjysmë Serbia, nuk ka mundur dot të hapë asnjë kapitull negociues. Shenja të forta frenimi janë shfaqur tek disa shtete anëtare. Por, a mund të flasim për një presion real, apo bllokim të përkohshëm të kandidaturës serbe në BE ?
Duket se, dy janë pikat më të rëndësishme ku po vërtitet politika evropiane ndaj hapjes së kapitujve të parë të negociatave me Serbinë, presion mbi njehsimin e politikës së jashtme të Serbisë me atë të Unionit, kryesisht në marrëdhënien me Rusinë, si edhe përqendrim mbi çështjen e Kosovës.
Gjatë vizitës së tij të fundit në muajin maj në Serbi, Komisioneri për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Hahn, do të deklaronte se, “nuk është e thjeshtë t’iu shpjegosh partnerëve në BE, pse Serbia mori pjesë në paradën e Moskës” në 70 vjetorin e mundjes së fashizmit.
Por, që prej nisjes së konfliktit në Ukrainë, Serbia ka një pozicionim të vazhdueshëm ne krah të Rusisë, duke u përplasur në vazhdimësi me qëndrimet dhe pozicionimet e politikës së jashtme të BE-së. Ndonëse, nuk ka një detyrim ligjor në këtë aspekt që të njehsohet tërësisht në këtë kuadër me politikat e jashtme të BE-së, Serbia duhet gradualisht të pozicionohet në këtë linjë, si edhe të shmang përplasjet e vazhdueshme të interesave, që vijnë në këtë kuadër.
Kjo problematikë, tashmë po figuron në çdo dokument që përpilohet ndaj Serbisë, në kuadrin e integrimit, duke marrë gradualisht fuqinë e një nyje bllokuese.
Rezoluta e fundit e miratuar në Parlamentin Evropian më 11 mars 2015, në lidhje me progres raportin e Serbisë për vitin 2014, në pikën 11 të saj, i kujton Serbisë se, “duhet të bëjë përpjekje më të forta në përafrimin e politikës së saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së, duke përfshirë politikën me Rusinë; shpreh keqardhjen që Serbia, nuk është përafruar me vendimet e Këshillit, kur është ftuar, për futjen e masave shtrënguese kundër Rusisë, duke mbajtur parasysh megjithatë, lidhjet e forta tradicionale ekonomike, sociale dhe kulturore që ekzistojnë midis dy vendeve; beson se Serbia mund të luajë një rol kyç në marrëdhëniet BE-Rusi; mirëpret pjesëmarrjen aktive të Serbisë në operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse; vëren se, Serbia ka pritur me nderime disa persona, që iu jane ndaluar vizat nga BE, dhe organizon stërvitje ushtarake me ushtrinë ruse”.
Edhe progres raporti i fundit i Komisionit Evropian për vitin 2014, konfirmon se, në lidhje me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Serbia është njehsuar vetëm me 28 nga 45 vendimet e Këshillit (62% krahasuar me 89%, përgjatë vitit 2013). Ndër të tjera Raporti vëren se, Serbia vërtet ka mbështetur sovranitetin dhe integritetit territorial të Ukrainës në terma të përgjithshëm, por mungoi gjatë votimit të Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së mbi integritetin territorial të Ukrainës. Po në këtë kuadër, konstatohet se, Serbia nuk u njehsua kur u ftua, me vendimet e Këshillit për futjen e masave shtrënguese në kontekstin e aneksimit ilegal të Krimesë nga Rusia dhe ngjarjeve në Ukrainën lindore.
Shqetësimi i disa vendeve anëtare të Unionit, që kanë një pozicionim të ndjeshëm aktiv kundër politikave të Moskës zyrtare, është i lartë përballë Serbisë. Këto shqetësime janë shprehur edhe publikisht, duke i kërkuar Serbisë të pozicionohet qartazi, se në cilën prej kampeve bën pjesë. Edhe vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë rusë në Serbi, si ajo e Ministrit të Jashtëm Lavrov, më 15 maj, kanë shtuar hezitimin, që tashmë ekziston në këtë pikë përballë kandidaturës serbe.
Por, gjithsesi nuk ka një qartësi të plotë apo një qartësi të përbashkët dhe të qëndrueshme institucionale, nëse vërtet filtrimi i Serbisë me Rusinë, shikohet si një problematikë, që mund të bllokojë kandidaturën serbe, si kusht i panegociueshëm, apo mund të trajtohet në formë presioni të vazhdueshëm përgjatë fazave negociuese. A do të jetë ky një mjet presioni i përkohshëm ndaj Serbisë, apo do të ketë vlerat e një presioni real bllokues. Fusha e integrimit evropian ka hapësirë të mjaftueshme, si për të konsideruar disa elementë, por edhe për të mos i konsideruar ato. Kufijtë janë të luhatshëm, po ashtu edhe vullneti i shteteve anëtare. Për momentin, zvarritja e hapjes së kapitujve të parë të negociatave, duket se ka marrë formën apo trajtat e një presioni.
Përtej kësaj problematike, që duket se ka futur në ngërç kandidaturën serbe, ka dhe një presion real mbi çështjen e Kosovës dhe përfshirjen e saj në mënyrë të qartë në Kapitullin 35, mbi Çështje të Tjera. Rezoluta e fundit e PE-së, do të theksonte në pikën 5 të saj, se:
“ …. hapja e kapitujve negociues, duhet të marrë në konsideratë zhvillimet në nivel teknik, por gjithashtu edhe kontekstin politik të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe BE-së; thekson se, Kapitujt 23 ( Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore) dhe 24 (Drejtësia, Liria dhe Siguria) duhet të trajtohen në fillim të negociatave; insiston se, Kapitulli 35 i acquis/legjislacionit të BE-së, në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën, duhet të përcaktohet në mënyrë të qartë;
Edhe Konkluzionet e Këshillit të 16 dhjetorit 2014, ritheksonin të njëjtën kërkesë, trajtimin e kësaj çështje që në fillim me Kapitullin 35, si edhe shtrirjen e saj përgjatë gjithë procesit.
Ndonëse pala serbe tashmë është shprehur se, edhe nëse ky kapitull hapet me këtë çështje të përfshirë, ky trajtim duhet të ketë kufizime, që nënkupton se Serbia nuk do të njohë kurrë Kosovën, ai pritet të ushtrojë një presion real. Hapja e kapitujve të negociatave është në vullnetin e shteteve anëtare. Pala serbe pretendon se, kushtet tashmë janë plotësuar, duke ushtruar presionin e saj të vazhdueshëm ndaj Unionit. Autoritetet serbe kanë deklaruar gjithashtu rezervat ndaj kushteve shtesë, që po shtohen rrugës, duke nënkuptuar çështjen e Kosovës. Nëse Kapitulli 35, ku çështja e Kosovës të jetë qartazi e perifrazuar, do të jetë ndër të parët që do të hapet dhe do të shërbejë si mjet presioni përgjatë gjithë fazës së procesit me Serbinë, atëherë mund të flitet të paktën për një vullnet real për zgjidhjen përfundimtare të problemit./im.ta/
Shkrime të tjera:
