Ekskluzive/ Ardian Vehbiu: Për Savianon, letrat dhe mediat zombi

redaktor
Studiuesi, Ardian Vehbiu, gjate nje konference shtypi, ne Panairin e Librit "Tirana Open 1", ku eshte diskutuar per cmimin Ardian Klosi. /r/n/r/nArdian Vehbiu, during a press conference at the Book Fair "Tirana Open 1", where they discussed the price Ardian Klosi.

Ardian Vehbiu është një personazh me mendje të hollë e të mençur.

Nuk nguron të flasë hapur sa herë mendon që diçka duhet thënë.

Është i drejtpërdrejtë.

Kjo gjë për dikë e ka bërë të dashur, për dikë tjetër jo shumë.

Një vit më parë, me veprën publicistike “Sende që nxirrte deti” ai ishte fitues i çmimit “Ardian Klosi” në festivalin e librit; këtë herë ishte në pozicionin e anëtarit të jurisë, por i solli festivalit dhe lexuesve romanin e tij të fundit, “Bolero”.

Kemi bërë një bisedë me Vehbiun, i cili në këtë rrëfim për Dita-n tregon për veprën e tij, letërsinë, aktualitetin dhe pengjet e jetës.

Zoti Vehbiu, i prezantoni publikut një roman të titulluar “Bolero”. Përse duhet ta ketë një shqiptar në bibliotekën e tij?

Sepse dua t’i them këtij lexuesi shumë gjëra, për çka nuk kam gjetur dot mënyrë më të mirë se romani; dhe sepse për gjërat që kam dashur të them, nuk ka mënyrë më të mirë se romani. Nuk është e thënë që lexuesi të jetë doemos shqiptar; identiteti kombëtar nuk hyn këtu; ose më mirë hyn në atë masë që autori i romanit është, po, shqiptar; dhe jo vetëm dhe jo thjesht ngaqë shkruan shqip. Eksperienca ime, për tekstin dhe në tekst, është po aq specifike sa edhe “shqiptaria” ime, si specifikë identitare. Aq më tepër që shqiptarët tanimë janë bërë pjesë e fshatit global; dhe po e negociojnë identitetin e tyre, edhe atë etnik a kombëtar, çdo ditë në ballafaqim me identitetet e të tjerëve. Për një qytetar të Tiranës, Dhëmbeli ose Dragobia nuk janë gjë më të afërta se Parisi ose New York-u; dhe kjo ngaqë identiteti i të qenit qytetar i një metropoli i është mbivendosur identitetit etnik. Veç kësaj, romani – sidomos ky lloj romani si “Bolero” – vjen edhe si një konstelacion përjetimesh; shpesh tipike dhe me valenca intertekstuale, që e fitojnë origjinalitetin e nevojshëm vetëm në sintaksë, ose në mënyrën si hallkëzohen në rrjedhë të leximit; dhe unë mendoj, shpresoj, dëshiroj që këto përjetime të kenë qenë universale, njerëzore; dhe jo të kufizuara te një vend ose kohë e caktuar. Pastaj, çdo lexues pret prej tekstit edhe që t’ia lëmojë pak egon, në kuptimin më të mirë të fjalës; dhe unë si autor, kur po e bëja gati romanin, e kuptova se po e ftoja lexuesin të kuturisej në një labirint: po cili prej nesh nuk e ka dashur këtë së paku një herë, në mos tani së paku në fëmijëri? Veç kësaj, do të doja që romani të funksiononte edhe si aventurë letrare, duke e udhëzuar lexuesin si t’i qaset letërsisë; çfarë i largohet shumë modelit klasik, për t’iu afruar deri-diku edhe arteve vizuale bashkëkohore.

Përse ka marrë kaq shumë kohë kjo vepër, afro dy dekada? Çfarë ndryshoi me kohën në idetë tuaja të fillimit?

U dashurova menjëherë me këtë ide të të shkruarit të një romani serial, por m’u desh më parë të mësoj si ta shkruaj… Unë vij nga eseistika, ndërsa romanin e dëshiroja të ishte si vepër muzikore, që t’i fliste lexuesit me strukturën e vet. Ndërkohë ndodhën edhe gjëra në jetën e New York-ut – mes të cilave sulmi terrorist kundër Kullave Binjake, që e traumatizoi qytetin. Romani me temë metronë dhe që kish nisur si lojë, nuk mund të vazhdonte më si lojë – sepse për shumë prej nesh, që e përdornim metronë çdo ditë, tunelet ishin vetëm një bombë larg shndërrimit në katakombe, në varret tona kolektive. Kështu edhe në përfytyrimet e mia depërtoi ngadalë paranoja – ajo e dikujt që kërcënohet nga forca jashtë-njerëzore; dhe këtu nuk hyn vetëm terrorizmi, por edhe vetë metamorfoza e këtij sistemi transporti, në dukje krejt mekanik si metroja, në një sistem djallëzor, impersonal për mbarështimin dhe disiplinimin e qytetit dhe të vetë qytetarëve. Kjo luftë e imagjinuar prej meje, midis individit unik, personit njerëzor, dhe sistemeve të mëdha të komunikimit, përfshi këtu edhe transportin; kjo luftë, pra, funksionon si motori që e çon përpara romanin. Çfarë do të ndodhë me ne, në rrethanat kur teknologjisë nuk i intereson individualiteti, ose kur e zëvendëson këtë individualitet me një fjalëkalim dhe një histori faqesh të shfletuara, biletash dhe sendesh të blera në treg? Një pjesë e romanit reflekton kështu edhe disa shqetësime të filozofit frëng Baudrillard, që është marrë gjerë e gjatë me kondicionin post-modern. Nga ana tjetër, “Bolero” e përçon atmosferën histerike të pas 11 shtatorit në Perëndim edhe nëpërmjet referimeve të shumta, intertekstuale, ndaj zhanreve të letërsisë pop, që nga letërsia noir te fantashkenca dhe letërsia distopike, të cilat u transformuan dramatikisht gjatë kësaj periudhe. E them këtë, duke theksuar edhe se nuk më ka interesuar aq politika, sa mënyra si janë rikrijuar, për të gjithë ne, kushtet e perceptimit -në kuptimin kantian – që ia bëjmë botës në momentin e tanishëm.

Tek “Bolero” duket se mbani një qëndrim kritik edhe kundrejt mediave, ato në raport me publikun, i cili nuk ka mundësi të depërtojë në burimin e informacionit duke marrë një rol pasiv (media në fakt e vë në këtë rol) shpesh të bombarduar me informacion? Kjo ndodh edhe me median shqiptare e cila ende nuk ka dalë nga një tranzicion i gjatë?

Kopertina e romanit "Bolero"
Kopertina e romanit “Bolero”

Më shumë i kam kushtuar vëmendje efektit sa totalizues aq edhe anonimizues të komunikimit publik, mesazhet e të cilit – p.sh. një tabelë rrugore çfarëdo ose një pllakat reklame – të drejtohen ty si individ abstrakt, por jo ty me identitetin tënd unik, si subjekt i pajetërsueshëm. Mediat bashkëkohore po kërkojnë mënyra për ta kapërcyer këtë mangësi, por fakt është që bash te hapësirat e reja që u vihen në dispozicion “marrësve” gjen edhe abuzimet më të rënda, sikurse ndodh bie fjala me komentet në mediat elektronike; dhe ku ndodh që komentuesit të sillen pikërisht siç do t’i dëshironte mjetet tradicionale të komunikimit masiv – ose si anonimë totalë. Përndryshe, mediat shqiptare janë në luftë për të mbijetuar – si media të mirëfillta, jo si vegla në shërbim të interesave private dhe të partive politike. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për gazetat dhe mediat e shkruara në përgjithësi, që nuk shesin; por edhe për televizionet. Ka shumë media private, që normalisht nuk do të mund të mbijetonin. Ndoshta prandaj edhe ca prej tyre sillen si zombie, ose të pavdekur.

Duke iu referuar “Boleros” dhe strukturës së saj kaq bashkëkohore, a mendoni se duhen kultivuar më tepër shije për vepra të tilla që na largojnë paksa nga romani klasik shqiptar?    

Them se është përkthyer mjaft letërsi bashkëkohore, e nivelit të lartë dhe nga përkthyes kompetentë; prandaj lexuesi tani po ka mundësi të familjarizohet edhe me teknika të reja të së shkruarit. Romani klasik shqiptar ka vendin e vet, por nuk është i vetmi lloj romani, as duhet të pretendojë gjë trajtim të privilegjuar. Nga ana tjetër, nuk dihet mirë sa i lexojnë njerëzit këto vepra jotradicionale; dhe nëse i lexojnë, sa i shijojnë. Kultura funksionon si sistem – një vepër letrare integrohet në një rrjet ku marrin pjesë edhe arte të tjera veç letërsisë, edhe kritika letrare, edhe shkolla, edhe mediat. Ndryshimi do të vijë si batica: duke lëvizur niveli i detit në mënyrë që të ngrihen të gjitha barkat, njëkohësisht.

Vehbiu, cili është mendimi juaj për letërsinë shqiptare pas rënies së regjimit komunist?

Ia ka zënë frymën “ekonomia e tregut”, ose më mirë një alibi e ndyrë e ekonomisë së tregut, të cilën e kanë bërë të vetën institucionet publike. Prodhimtarinë letrare nuk e mbyt dot; shkrimtari i mirëfilltë do të shkruajë, edhe sikur të mos fitojë asnjë kacidhe nga librat e vet; por mund të mbytësh komunikimin letrar. Me pak fjalë, mund të them vetëm se kjo letërsi, ajo e pas 1990-ës, nuk po organizohet dot në sistem, sepse mungon komunikimi: mes lexuesve, mes lexuesve dhe shkrimtarëve, mes shkrimtarëve, mes kritikës dhe lexuesve e kështu me radhë. Dhe kur mungon komunikimi, ka vetëm një lëvizje letrare kaotike, që nuk bën përpara, së cilës nuk i rritet kompleksiteti, së cilës i mungon feedback-u.

A mund të na përmendni ndonjë emër në letërsinë bashkëkohore shqipe të cilin ju e vlerësoni për vlerat që përcjell dhe krijimin e pikërisht kësaj fryme të kohëve që po jetojmë?

Më pëlqen Bashkim Shehu -i ditur dhe i drejtpeshuar në prozën e vet; më pëlqen edhe Ardian Kyçyku, për talentin letrar të jashtëzakonshëm; Elvira Dones përçon një lloj humanizmi sa të spikatur aq edhe të rrallë për ne; Arben Dedja ka shkruar pak, por gjëra të çmuara. Të gjithë këta jetojnë ose kanë jetuar për shumë kohë jashtë Shqipërisë. E trishtuar, por ja që në Shqipëri një shkrimtar e ka shumë të vështirë të krijojë ashtu si dëshiron: ia shkatërron nervat përditshmëria e pastabilizuar. Nuk dyshoj, gjithsesi, se ka autorë të kalibrit të lartë edhe këtu, që mua nuk më kanë rënë ende në dorë; sepse mungon informacioni i duhur për veprat e reja, sikurse mungon një kritikë letrare profesioniste dhe e besueshme për publikun, që t’i diferencojë vlerat me autoritet dhe paanësi.

Bëri përshtypje ai qëndrim kritik që kishit mbajtur për Tirana Open duke veçuar sidomos mospërfilljen e autorëve shqiptarë në posterat e festivalit. Ndoshta kjo vjen sepse vazhdojmë ta shohim veten me një sy inferioriteti karshi të huajve, kushdo qofshin ata, apo jo? Edhe njëherë (duke patur parasysh që ju ishit anëtar jurie këtë vit dhe fitues i çmimit“Ardian Klosi” vitin e kaluar) ju treguat se nuk hiqni dorë nga pozita e një kritiku të pavarur.

Kur shkrova në blogun “Peizazhe të fjalës” për disa probleme të Tirana Open, e bëra me dhimbje, por edhe me bindjen se dikush duhej të fliste; në emër të kulturës që prodhohet këtu, në Shqipëri, nga njerëz që jetojnë këtu, japin shpirtin për kulturën këtu, madje edhe vdesin këtu para kohe, si Klosi, emrin e nderuar të së cilit e mban çmimi. Nuk mund të bëhet festival me vlera të importuara, që i sjellin garancitë me vete, të pre-konfeksionuara. Kritika ime, gjithsesi, nuk kish natyrë politike as organizative, por kulturore – duhet të ndryshojë mënyra si mendojmë për kulturën. Tundimi i tanishëm është të rendim pas celebrities, që e kanë gjetur dhe konfirmuar veten artistikisht jashtë Shqipërisë: rasti më i fundit, Eliza Dushku, një aktore amerikane që ka një interes sentimental për Shqipërinë. Dhe kjo është e gabuar, themelisht e gabuar. Një personalitet i ftuar nga jashtë duhet të vijë dhe të katalizojë zhvillimet që ndodhin brenda; përndryshe prania e tij është pa kuptim, ose u shërben vetëm atyre që e kanë ftuar dhe që bëjnë selfie me të.

Pamë që ndoqët me vëmendje takimin me Savianon. Keni ndonjë koment?

Saviano-n nuk më mbetet mua që ta zbuloj; është i patrembur dhe artikulues jashtëzakonisht i qartë i diskursit të vet kritik dhe tërësisht të angazhuar. Edhe atë ditë e admirova për çfarë tha dhe si foli. Është fat për Shqipërinë dhe shqiptarët, që e patëm atë mysafir në Tirana Open. Por Saviano-ja nuk pati ndoshta kohë dhe mundësi të takojë sivëllezërit e vet këtu, të cilët nuk trajtohen me aq nderime dhe mirëkuptim sa ai, përkundrazi. Nemo propheta in patria, thotë një proverb i vjetër – askush nuk është profet në atdheun e vet. Prandaj do të kisha dashur, prej Saviano-s, që të mos i ulte standardet me të cilat e vlerëson aktualitetin, edhe kur e kapërcen Adriatikun. Përndryshe, do të dukej sikur në Shqipëri erdhi Saviano-ja celebrity, dhe jo autori rebel dhe sfidues ballazi i pushtetit të mafias dhe të korrupsionit në Itali dhe gjetiu. Në fjalën e vet për Tirana Open Saviano-ja vërejti – po e parafrazoj – se “ata”, ose kryekriminelët, korruptuesit dhe të korruptuarit, “nuk duhet të kenë aq frikë nga unë, sa nga lexuesit e mi”; le ta vëmë tani këtë në kontekst dhe të kemi parasysh se mes lexuesve të Saviano-s tek ne ka ende nga ata që druhen të bëjnë një “like” në Facebook, nga frika se mos lëndojnë pa dashje ndonjë të fortë. Ky lloj standardi i dyfishtë nuk shkon; sepse Saviano-ja nuk është personazh i ndonjë filmi televiziv si komisar Cattani, as ka dalë nga ndonjë tekst i edukatës morale: por është njeri real prej mishi e kocke, që çon përpara një luftë reale, kundër armiqsh realë dhe të fuqishëm.

Cili është raporti juaj me Ismail Kadarenë dhe a mund të themi se jeni sqaruar tashmë me mosmarrëveshjet që keni pasur? A mendoni se dëmi më i madh që i kushtojmë këtij shkrimtari është “mosleximi” i veprës së tij, por përqendrimi më shumë sa tek jeta personale, sa tek lidhja me regjimin e kaluar, sa tek çmimi “Nobel” duke u gjendur shpesh në pozitat e inferioritetit. Ju pikërisht keni thyer këtë tabu, duke u përpjekur ta lexoni siç duhet veprën e tij.

E admiroj Ismail Kadarenë si shkrimtar, por kam pasur disa probleme me veprimtarinë e tij si intelektual publik, këto 20-25 vjetët e fundit (sikurse ka pasur edhe ai me veprimtarinë time dhe pikëpamjet që kam shprehur unë). Mendoj se është normale, për një nivel të caktuar të komunikimit publik, që të ketë debate, mospërkime dhe distancime. Mua nuk më pëlqejnë, për shembull, dhe kam shkruar për këtë gjerësisht duke e argumentuar në imtësi, ndërhyrjet gjuhësore që ka bërë ky autor në prozën e vet më të mirë, duke e “pastruar” nga orientalizmat; besoj se ashtu vepra është dëmtuar. Mbase Kadaresë nuk i ka ardhur mirë për këtë, por unë nuk shkruaj për t’i bërë qejfin kujt. Sa për incidentin e fundit të revistës “Lettera Internazionale”, për të cilin u bë edhe zhurmë në mediat, ai nuk ka lidhje me mua; është diçka që ma ngjitën me zor njerëz që janë amatorë në këto çështje. Dhe keni të drejtë për sa thoni: Veprën dhe reputacionin e Kadaresë po e dëmton përdorimi, keqpërdorimi, madje kapja peng nga një masë e zhurmshme dhe dinake jeniçerësh, tifozësh dhe provokatorësh, që duan t’ua mohojnë të tjerëve, përfshi këtu edhe mua; një shkrimtar kaq fin, po trajtohet si të ishte bajrak, ose edhe më keq, si fishekzjarr për t’u shkrepur në stadium. Gjithsesi, nuk e ndiej veten si thyes tabush, as si ikonoklast; por në botën ku jetoj unë, nuk ka idhuj.

Vehbiu në Institutin e Gjuhësisë, në vitet 1980
Vehbiu në Institutin e Gjuhësisë, në vitet 1980

Zoti Vehbiu ju përveçse njeri i letrave, jeni dhe një vëzhgues i vëmendshëm i aktualitetit në Shqipëri. Nëse do ju kërkonim një mendim, çfarë është sfida kryesore e vendit tonë në këto momente?

Me aq sa mund të them – sfida e shoqërisë shqiptare ështësi të qetësohet, si të ulë temperaturën dhe si të fillojë të normalizojë ekonominë, duke i ri-përmasuar veprimtaritë spekulative dhe parazitare dhe duke prodhuar vlera rishtas, edhe materiale edhe shpirtërore; çka në fushën e kulturës do të thotë që t’i japim fund plaçkitjes të sa është prodhuar në të shkuarën. Sa për politikën, problemi kryesor është, gjykoj unë, vetëshpërbërja e opozitës për mungesë idesh politike dhe të një diskursi kritik të artikuluar – çka rrezikon t’ia cenojë integritetin edhe palës në pushtet.

E ndiqni politikën shqiptare dhe cili është komenti juaj në lidhje me atë çka ndodh në parlament dhe jashtë tij?

E ndjek me aq sa mundem. Koalicioni i tanishëm në pushtet e ka shumë të vështirë punën dhe misionin që ka marrë përsipër publikisht, për shkak edhe të koniunkturës ekonomike dhe politike ndërkombëtare. Megjithatë, mendoj se strategjia e tyre për marrëdhëniet publike – që edhe më intereson më shumë profesionalisht – ka nevojë të rishikohet; duket sikur njerëzit janë lodhur nga pompimi i përditshëm i “arritjeve”, pikëçuditëset dhe hiper-ventilimi në diskursin publik. Një qasje më e mirë do të ishte qëtë flitej drejtpërdrejt për vështirësitë dhe të diskutohej haptazi për dështimet. Tani është edhe periudhë zgjedhjesh; por unë – që kam jetuar gjatë edhe në Europë edhe në ShBA- mendoj se këtyre zgjedhjeve lokale po u jepet, së paku në mediat, një rëndësi shumë më e madhe se ç’kanë vërtet; veçanërisht në kushtet e partitokracisë absolute. Ndesh në një inflacion gramatikor të kohës së ardhme, që i ka velur njerëzit. Do të bëjmë këtë, do të bëjmë atë. E megjithatë, edhe përtej zgjedhjeve dhe ajrit politik të presurizuar, them se duhet luftuar ky ngashënjim për ta përpunuar diskursin politik publik si në kushtet e një fushate elektorale permanente. Të ndjekësh ndonjë nga ato stacionet TV që transmetojnë lajme 24 orë në ditë, të ikën mendja! Dhe veç kësaj, veç fashistët do ta konsideronin qëllim në vetvete marrjen e pushtetit; prandaj nuk duhet të harrohet, nga asnjë palë, se pushteti në demokraci shërben për të realizuar një program politik të deklaruar, është mjet jo qëllim. Por nuk jam rehat në pozitën e kujt jep këshilla, nuk më shkon dhe as i kam kredencialet për këtë. Thjesht po i shpreh ato opinione që kam, sepse më pyetët. Sa për parlamentin, ajo çfarë ndodh aty, gjërat që thuhen dhe mënyra si thuhen dhe niveli intelektual i replikave që shkëmbehen, s’janë veçse një karikaturë e parlamentarizmit; publiku ka humbur respektin për këtë institucion të lartë dhe gjithnjë e më tepër po e identifikon tani shtetin me pushtetin ekzekutiv: koha për të pyetur se kujt pikërisht i intereson kjo.

Cilat janë momentet tuaja më të vështira në jetë dhe si i keni kaluar ato?

Momenti më i vështirë ka qenë ikja nga Shqipëria për t’u vendosur në dhé të huaj. Nuk mund të them se e kam kapërcyer krejt edhe tani, në kuptimin që ndonjëherë nuk ia shoh vetes hijen, por njeriu gjithsesi përshtatet, krijon lidhje nga e para dhe shfrytëzon mundësitë e reja që i jepen.

Vjen një moment, kur kalojnë vitet dhe njeriu bën një analizë për të kaluarën e tij, pengjet, mundësitë e humbura… ndodh kjo me ju dhe a keni ju pengje apo mundësi të humbura?

Do të kisha dashur të bëja një specializim të plotë, disavjeçar, me një personalitet të fushës sime, p.sh. me Umberto Eco-n. Kushedi, edhe të studioja në një universitet në Paris ose diku në Itali; Tirana e kohës sime të jepte vërtet përgatitjen më të mirë të mundshme, në albanologji; por me çfarë kostoje! Qindra orë të shkuara dëm me historinë e PPSh-së, veprat e Enver Hoxhës, realizmin socialist dhe karabinën Simonov… Do të kisha dashur, pastaj, të lexoja e të studioja, kur ende i ri, libra që regjimi totalitar i ndalonte, të kafshoja “mollë të ndalueme”; dhe ta kisha shëtitur Europën më parë dhe më herët, me një çantë shpine, pelegrin në vendet e mia të shenjta: Romën, Parisin, Barcelonën, Firencen, Amsterdamin, Vjenën. Por jam ky që jam edhe si pasojë e mungesave dhe mangësive që kam përjetuar./DITA

Share This Article
17 Comments
  • Vehbiu eshte nje intelektual me vlera te larta, i formuar sa ne Tirane sa ne Itali gjate komunizmit. E lexova, eshte nje roman i stisur sipas meje, nuk ka nerv dhe duket qe çdo gje eshte e montuar pa nje bosht. Si roman i nje fillestari gjene mire, por mos te kete pretendime te teperta. Presim nga Vehbiu ndonje liber mbi gjuhesine, pse per ate pat investuar Shteti shqiptar tek ai, t’i lere romanet dhe blogjet se keto te fundit sidomos jane te per te patalentuarit dhe per te papunet.

  • Kenaqem kur lexoj vargjet e tua plot realitet z.vehbiu je nje zheni nga te gjitha anet !
    Do te propozoja me shum deshire qe ti te behej president i shqiperise,sepse vetem keshtu do te te bej qe te behesh akoma me i njohur per ata qe nuk te njohin,per realitetin tend si gjuhetar i gjuhes shqipe dhe identitetit ton nacional!
    Shqiperia dhe shqiptaret kan nevoje per realitetin tend sidomos ne ket kohe aq te turbullt e te pa skrupellt per te gjith klasen politike qe jo vetem jan te pa pergjegjshem por po tregon mos besim ne masen e gjere te popullit deri ne degradim te plote total!
    Medjet jan kthyer ne nje kinema ku shifet vetem numri i shikusve e numerohen klikimet e dicka per partit politike kush leshon ndonje koske per ta!
    Respekt per ty ne vecanti zoti ardian vehbiu e te keshilloj qe ti afrohesh me mir europes se sa ne mes te hipokrizis amerikane ku fshataret larguan mbretin dhe kerkuan te beheshin mbreter vete,gje qe jan larg me demokracite e vjetra europiane!

    • Une ta dhashe nje here pergjigjen po keta moderatoret nuk ma paskan botuar. Po ta them prape, Zombi jane qen qe rriten per t’u bere sallam , kurse fjala Bolero eshte fjale maskuese per Bole (ose Tope). Moderator, perse nuk e boton?!?

  • Adrian Vehbiu,si me maryfet ka shkruar e fyer nene TEREZEN,(BOTA SHQIPTARE nr.90,viti 2003),nuk dua te fyej njeri por ky e meriton perderisa nuk ka kerkuar falje,ndersa per Kadarene u perpoq disi ta kallaise fundin e tepsise !

  • Vetem vlersim…djale qe ka rrefyer nje te vertete per persekutimin qe i ka bere babait e familjes se tij nga Sali Berisha..qe ne vitin 1990….ku Saliu i ka kercenuar se do ta zhdukte ,pra do ta vriste.. babain e tij .ne se dr.Vehbiu do ta hapte gojen,do bente publike, mbi diagnozen ,ne kartelen mjeksore si klient e te ndjerit Neoropsikiater dr.Y.VEHBIU…SA E DETYROJ TE KERKONTE VIZE PER USA. familjarisht..gje kjo qe ju miratua..dhe i ndjeri doktor ,kur nderroje jete i la amanet te birit ,qe tja djegin trupin e hirin t’ja sillnin per varrim ne taken Shqioptare…oh sa shume lexohet kjo veper e madheshtore e shume patriotike,qe e ka ndjekur nga pas krimi i sali antishqiptarit.. kete nfakt,kete ngjarje ma ka rrefyer i ndjeri Prof.dr Ilir Gjylbeku,ish sek.i kom.partise se Spitalit -qsut sot…dhe e vertetuar nga vete i biri ,ne nje shkrim pas vdekjes e te jatit.pra ngavete A,VEHBIU…ku eshte nje njeri shume i drejte,shume i ndershem e shume patriotik..qe ecen ne gjurmat e origjines se familjs se tij…duke mbetur me virtuta te larta njerzore, per sa e kam lexuar. i jap shume vlersime dhe i uroje shume suksese ne jete e familje….

  • Talljen me te bukur ja ke bere o @beni,”Adrian Vehbiu president”,vetem ke haruar i “puneve te kota”!

    • Ja kam then me shum deshire per president se nuk ka tjeter me te sinqerte e realist se ai!
      Kur jan ven ne krye ca qe te vjen te mbytesh me nje gllenjqke uje ne ket post e jo nje si vehbiu qe din te flas e di te komunikoj shme shum me mir se kushdo ne gjuhen zyrtare te shqipes e i pa korruptuar ne afera e parti politike!
      Te kuptoj un ku e ke ti,por nuk jam aq fetar sa papa qe te mos bej dallime kur kuptoj se vehbiu ka evuluar ne kulturen ton kristjane!

    • Po çi duhet president Gjigandit Ardian Vehbiu ai eshte unikal, Si thoni ju te barazohet me Bujar Kamarier Oficerin apo me Berishë Malokun. Sa te vegjel jemi te gjithë ne qe hedhim ndonje rrjesht në këto faqe, por kete e kupton kur ke dy pare mend, ne te kundërt shkruan broçkulla. Megjithate edhe pse jemi shume larg tij dhe nuk e kuptojmë dot, ju ftoj te jemi krenar për një njeri si Ardian Vehbiu, sepse madhështia e tij i kalon kufijt e Shqipërisë, ndërsa ju që se njihni duhet te jeni të lumtur se nuk dini sa poshtë qendroni..

  • Po pse o Zombi,o Bolero,Tash pas 25 vjetesh gjete te nxjerresh kartelen e Berishes,Cfare prite deri tani ,qe e moren vesh dhe kalamajte e rruges,qe imitojne skicofrenin.Po cfare prite,sa te shkaterrohej mire ky vend,te shitej e te blihej,te plaste bomba hiroshimes dhe te vriteshin ne Tropoje sa nuk ishin vrare as ne luften boterore?Po ne maloket i kishim per gomare,jo per kryetare,o Zombi,o Bolero!

  • pak i stisur ky intelektual vehbiu……….
    ju kujtua koha qe humbi per konspektin e veprave te Enver Hoxhes…tani pas 25 vjetesh.ku .
    “gjenialet e tija ” te shterruar ne gjuhesi , po dalin tani ne letersi ,
    Pse gjithmone replikojne ose shajne ate rregjim komunist,kur sot hallet e korupsionit dhe krimit jane shume shqeteseues , sot nga ai sistem na kane mbetur ne mendje ato gjera me vlera shume te mira
    niveli i arsimit e i shkolles
    niveli i kultures, artit muzikes me taban kombetar
    niveli i letersise,teatrit me kolosa ne letersi e aktore te pavdekshem
    nivelin e infrastruktures ne bujqesi ne industrin minerare dhe burimet enrgjitike
    ku dhe keto shkrueshin ne veprat e Enverit duke qene nje realitet
    po mire mor djale tirone mund te kesh libra te ndaluar,e te mbeshtetesh ne veprat e anarshise se demokrazise,ti konspektosh ato qe te besh karriren me rolin e servilit,dhe te trumbetosh kete fitore, si harritje te argumentave tuajat fitore ne kohen moderne.
    Dhe mund dhe te shkruash jo vetem pa bosht por edhe sa per te qene e te te pelqeje vetem shkelqimi perpara pasqyres tende.

  • Vehbiu ka nje kundershtar te Madh: Veten! Tere gjerat e vecanta qe ka publikuar, i ka me pseudonim!
    Sa here qe shkruan me emrin legal tmerrohet dhe deshton. Eshte nje lloj kurbani i vetes virtuale.
    Edhe ne kete rast: Ka frike nga Vetja, kur shprehet se … Kadare perdoret nga ca pseudonime (menellau, daja i tedit?), apo follower-sat e serdengjeshtleret e Ises i sherbejne autoritetit te panevojshem te Kadarese si sundues i perjetshem shqiptar?
    Cili, kush eshte Vehbiu real?
    Une arrij ta dalloj vleren reale te Ad Vehbiut dhe e cmoj.

  • pse tallni b.then ju me Vëhbiun? ai ka thartuar trut 20 vjet te shkruj romanin ma te madh trazicionit tju ndricoj mendjet tuja te mukta,me ju tregu rrugen e dritesw po ju doni errsina.
    shkruj vehbi, mos e rruj fare nga keta ignorantus oficinalis,shkruj qe t mbetesh ne histori se kte dun kta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *