Laçi fiton për herë të dytë Kupën e Shqipërisë

Dita

Kupa është e Laçit, për herë të dytë në histori. Veliaj dhe James me dy gola spektakolarë i dhanë trofenë por dhe Europën kurbinasve, që me fitoren e Kupës siguruan dhe pjesmarrjen në kompeticionet kontinentale. Një finale e shkëlqyer në kryeqytet, me dy skuadrat që dhuruan një futboll plot ritëm duke dëfryer dhe dy tifozeritë, dhe pse në fund vetëm njëra prej tyre festoi.

Kukësi humbi finalen e dytë radhazi, pas asaj të vitit të shkuar me Flamurtarin duke shtyrë ende takimin me trofeun e parë historik. Përpara sfidës, Pero Pejic u vlerësua dhe me “Këpucën e Artë” të Superiores për të dytin vit radhazi, ndërkohë që në momentin që ekipet zbritën në fushë të dyja tifozeritë, dhuruan një koreografi të jashtëkozanshme në shkallët e “Qemal Stafës” të denjë për një finale të vërtetë. Po aq spektakolare sa tifozeritë ishin dhe dy skuadrat në fushë, që kishin zbritur me objektivin e qartë për ta fituar këtë finale në sulm. Laçi pati mundësinë e parë, në të 6-tën, me Stipe Buljan që pa Halilajn t’i mohonte një gol të sigurtë, ndërsa në të 19-tën për bardhezinjtë provoi dhe James por gjeti Malotën në rrugën e tij. Rasti i radhës megjithatë do të përfundonte në rrjetë për Laçin, me Veliajn që ekzekutoi në mënyrë të përsosur një goditje dënimi duke mos i lënë më mundësi reagimi Halilajt.

Përgjigja e Kukësit ishte e menjëhershme me Pejic, që nuk gjeti rrugën e rrjetës. Golin që nuk bëri vetë, kroati ja serviri Hasanit, që në minutën e fundit të pjesës së parë, finalizoi një aksion fantastik.

Pjesa e dyta nuk e humbi shkëlqimin e të parës, madje në të 60-tën, Laçi finalizoi me golin e James një skemë të menduar deri në detaje. Kukësi u përpoq të përgjigjej me një gol po kaq spektakolar. Ideja e Hysajt dy minuta më pas ishte e mirë por jo finalizimi. Tensioni i finales u ndje në të 71-tën, me Malotën dhe Cetkovic, që u ndëshkuan me të verdhë pas një përplasje mes tyre. Në epërsi, Laçi këtë herë mendoi të vihej në mbrojtje të rezultatit dhe diçka të tillë e bëri shumë mirë deri në momentin kur Jemini vërshëlleu për përfundimin e sfidës, që coi trofeun në duart e kapitenit Stipe Buljan, që e ngriti drejt qiellit të kryeqytetit për herë të dytë në histori për skuadrën e Lacit.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *