Dërguar me email në
adresën e kryeredaktorit
I nderuar kryeredaktor, z.Thano. A i përgjigjet sistemi i sotëm shumë-partiak në Shqipëri pluralizmit në shoqërinë shqiptare? Prej kohësh i kthehem e i rikthehem kësaj çështjeje, sepse gjithnjë më bren dyshimi se mos partitë politike që ekzistojnë, për nga emrat dhe idealet që kanë përqafuar, nuk janë veçse një fasadë, ose vënie në skenë e një rituali kopjuar nga gjetiu.
Kështu, kemi edhe ne një spektër politik të ndarë në të majtë, qendër dhe të djathtë; sikurse kemi edhe një numër partish të vogla që e quajnë veten republikane, liberale, konservatore, social-demokrate, demokristiane… njëlloj si simotrat e tyre në Perëndim.
Çështja është nëse këto parti mishërojnë probleme ose rryma mendimi politik të mirëfillta në shoqërinë shqiptare, apo janë thjesht formula për t’i organizuar qytetarët rreth liderëve, klaneve, ose grupeve të interesave.
Shkëputja midis debatit politik nga njëra anë, i cili tani do të nyjëtohet gjerë e gjatë edhe në fushatën elektorale; dhe konflikteve sociale reale, vetvetiu e izolon klasën politike, duke e shndërruar në një klikë që ia kontrollon fatet Shqipërisë njëlloj si ishulli fluturues Laputa, te “Udhëtimet e Guliverit”, që e sundon nga lart mbretërinë nën vete.
Do kisha dëshirë të dëgjoja mendimin tuaj për këtë çështje, meqë imja nuk është veçse perspektivë e një individi të vetëm.
