Masakra e peizazhit historik, pse nuk mund të heshtim më

redaktor

Para disa vitesh mora pjesë si përfaqësues dhe specialist kulturor nga Shqipëria në mbledhjen e Këshillit të Evropës, që u bë në kryeqytetin Riga të Letonisë. Mësova shumë gjëra në këtë ballafaqim ekspertësh, personalitetesh dhe njerëzish tejet të njohur në nivelin botëror. Duke ndjekur me vëmendje temat e shpalosura, emisionet televizive të emetuara posaçërisht për trashëgiminë mësova disa hollësira nga një tematikë, që m’u duk sikur e njoha, ose më saktë “e rinjoha” për herë të parë. Së pari vërtetova se konceptet e mia për trashëgiminë duhet të zgjeroheshin dhe të hapeshin për t’u bërë gati “koncepte pa kufi”. Është e vërtetë që substanca e patjetërsueshme e trashëgimisë përbëhet nga monumentet arkeologjike, arkitektura historike, skulpturat, piktura, tërë universi i arteve të shkrimit, të tingullit, të ngjyrës, të imazhit kinematografik dhe televiziv etj etj.Ajo që duhet të ishte më e pranishme në këtë trashëgimi kryesore është ideja e komplekseve muzeorë, ose e tërësive muzeumologjike. Fjala vjen qyteti i Beratit ose qyteti i Gjirokastrës janë koleksione të mëdha në natyrë të monumenteve arkitektonikë dhe urbanistikë si dhe e traditave të trashëguara të jetesës, të mjediseve ekologjike, të zakoneve dhe traditave të të vepruarit dhe të improvizimit të jetës çdo ditë. Në këto koleksione monumentet në vetvete bashkëjetojnë me njerëzit e gjallë, me ata që vdesin dhe ata që lindin.

Botëkuptimi i njerëzve ndryshon, ky botëkuptim ka karakter dinamik, lëvizës, modern, kurse monumentet duhet detyrimisht të jenë të pandryshuara në llojin, në stilin dhe në historicitetin e tyre. Ç’do të thotë kjo? Kjo do të thotë që bashkëjetesa në këtë rast është sinteza e çuditshme e njerëzve me sendet, është një raport emocional dhe dituror i së përkohshmes me të përjetëshmen, i gjallesave me intelekt me traditën e fiksuar në çdo monument. Problemet e kësaj sinteze janë të shumta, sepse vetvetiu brezat dhe gjeneratat e reja kërkojnë të modernizojnë mjediset e brendshme, të përdorin materialet sintetikë të xhamit dhe të duraluminit, aparateve elektronikë, të banjove moderne, të ndriçimeve të sofistikuara, ç’ka krijon dashje pa dashje, por edhe subjektivisht dhe objektivisht një kontradiktë.

Krijohet kështu një dyzim, sipërfaqja e jashtme e monumenteve (është fjala për shtëpitë e stilit popullor historik) ruhen të pandryshueshme dhe të mbrojtura nga ligji, kurse mjedisi i këtyre banesave ndryshon dhe nuk respektohet asnjë lloj ligji për monumentet, sepse në fund të fundit të jetuarit në mjedise të tilla është një gjë e lirë sipas dëshirave, interesave dhe pikëpamjeve të vetë njerëzve. Në vende të ndryshme të botës kjo kontradiktë midis anës së jashtme dhe anës së brendshme të banesave karakteristike është zgjidhur në një formë paksa të kushtueshme dhe gjithsesi artificiale. Shtëpi dhe lagje të tëra janë braktisur nga banorët, ato janë të zbrazura dhe të pandryshuara si nga ana e jashtme ashtu dhe në mjediset e brendshme, madje janë ruajtur dhe mobiljet e vjetra dhe elementët e tjerë përbërës të dekorativitetit dhe të jetesës, është ruajtur konforti ekzotik i dikurshëm. Në këto mjedise në orë të caktuara të ditës, në vartësi me bumin e turistëve dhe vizitave të kuriozëve, njerëz të caktuar dhe të paguar të veshur me kostume karakteristike tradicionale i presin vizitorët në mjediset e traditës duke krijuar kështu një spektakël me banorë të ashtuquajtur si aktorë, që përsërisin pamjen dhe risjellin ekzotikën e gjallë të jetës së kohërave që nuk janë më. Një traditë e tillë e luajtjes së rolit të banorëve të lashtë të dikurshëm, kundrejt pagesave të financuara nga qendra turistike por edhe institucionet lokale muzeumologjike është mjaft e gjallë në Angli, në Holandë, në Provansë të Francës, në Bavari të Gjermanisë deri dhe në Rumani të Ballkanit.

butrintiVetvetiu lind pyetja. A mundet të bëjmë të njëjtën gjë edhe ne shqiptarët në Berat dhe në Gjirokastër? Kjo alternativë të ve në mendime dhe nuk mund të shmanget kurrsesi, por kjo alternativë parakupton një trafik shumë të dendur të turistëve të huaj dhe vendas. Jemi ende larg nga kjo gjë. Kategoria më e pranueshme dhe me lehtësira të dukshme është ajo e qyteteve thjesht arkeologjike si Apolonia, Bylisi, Antigonea, Amantia, Butrinti, etj. Këtu koleksionet e monumenteve janë në natyrë dhe mungesa e banorëve bën që të shmangen kompromiset dhe të mos rrezikohet ndryshimi i mjediseve autoktone të monumenteve.

Por me interes nga përvoja botërore është krijimi i qendrave hoteliere pranë qyteteve arkeologjikë “të vdekur”. Një kompleks i tillë gati sa një qytet me hotele ka qenë menduar të ndërtohej në një nga kodrat e Konispolit në Jug, duke patur parasysh lidhjen e drejtpërdrejtë me Butrintin e lashtë. Padyshim struktura e një policie mbrojtëse jo vetëm për monumentet por edhe për rendin është mëse e domosdoshme, është një strukturë bashkëngjitëse dhe funksionale e vetë turizmit masiv. Së dyti, në mbledhjen e këshillit të Evropës në Rigë, mësova se koncepti i trashëgimisë jo vetëm që mund të zgjerohej pambarimisht, por është një koncept që kërkon më tepër thellim, mënyra e vështrimit bën që dhe gjëra që mund t’i nënvleftësosh në shikim të parë, të bëhen të rëndësishme në një shikim të dytë. Kështu trashëgimia kulturore e një populli përfshin jo vetëm tërë llojet e artizanatit popullor, por sidomos traditat kulinare, që kanë të bëjnë me gjellët, me llojet e bukëve, me pafundësinë stilistike të ushqimeve, të kombinimeve nga më të habitshmet të këtyre ushqimeve, që përbëjnë shpesh një nga karakteristikat më të dukshme dhe më të shpalosëshme të secilit popull. Po kështu fjala vjen në ishullin Samos të Greqisë ishte rindërtuar tërë kompleksi me pitosat e mëdhenj prej qeramike nga shek.VI para Krishtit, i depozitave të mëdha të fermentimit të rrushit si dhe i tërë mbijetesës së vreshtave të lashta, gjë që bën të mundur, që traditën e verërave në këtë ishull njeriu ta përjetojë si vijimësi të mijëvjeçarëve. Një specialist nga Provansa na habiti në Rigë. Ai ngriti zërin dhe bëri apel për ruajtjen e disa këngëve popullore monofonike, por edhe dyzërëshe apo dhe polifonike, që ai i kishte rindërtuar nga disa notacione muzikore mesjetare dhe që kishin shekuj, që nuk këndoheshin më në Francë. Dokumentacioni muzikor vërtetonte ekzistencën e tyre të dikurshme. Ahere a duhet të rikëndoheshin këto këngë të zhdukura? A duhej të bëhej kjo ringjallje e traditave tashmë prej shekujsh të papërdorura? Një traditë shekullore eshtë dhe ajo e bizhuve, varseve, amuletave mbrojtëse, e simboleve me “atribute magjike”, tradita e heraldikave kryesisht mesjetare të stemave të familjeve të mëdha dhe të princërve, të qyteteve dhe të shteteve, të flamujve dhe të vulave të kancelarive etj etj.

gjirokastra-1Së treti, ajo për të cilën dua të ngre zërin në kushtet e Shqipërisë është se Këshilli i Evropës ka kohë që ka drejtuar vëmendjen në një trashëgimi tepër të veçantë dhe të pazëvendësueshme në atë, që quhej trashëgimia e peizazhit. Sipas teorive dhe koncepteve moderne të trashëgimisë, peisazhet e mrekullueshme dhe karakteristike të një vendi nuk kanë vetëm një status gjeografik dhe ekologjik. Padyshim që peisazhet janë krijuar nga natyra dhe kanë një gjenezë gjeologjike shumë të vjetër. Por njeriu i ka mbushur këto peisazhe dhe është familjarizuar me këto peisazhe. Njeriu në mënyrë shumë të dendur dhe të habitshme i ka ndryshuar peisazhet ndonëse brenda një kuadri gjeografik më të madh. Fjala vjen, ne nuk e dimë se si ka qenë pamja e Durrësit të lashtë në shek.VII para Krishtit kur u krijua si një nga qytetet më të vjetër të Evropës. Ne nuk e dimë se si ka qenë Durrësi mesjetar, ndonëse prej tij ruhen kullat dhe muret e larta të kështjellës bizantine dhe asaj venedikase. Në të njëjtën sipërfaqe në hektarë që ka sot Durrësi, në të njëjtën gjeografi të kodrave dhe ultësirës bregdetare ka lindur dhe ka vdekur, ose më saktë është rrënuar Durrësi antik, ai i shekujve të mesjetës etj etj. Por ky problem tepër i rëndë i mbijetesës së imazheve të dikurshme si një gjë e pamundur në kushtet e reja historike, duhet parë për të nxjerrë mësime të mëdha. Dy projekte të Anglisë bënin fjalë për ruajtjen e peisazhit gjeografik por dhe historik dhe ekologjik të dy luginave, njera prej të cilave më dukej se qe lugina e Uellsit. Për t’i ruajtur pamjet autentike të këtyre peisazheve ishin vënë në përdorim fonde të mëdha për të rrafshuar dhe hedhur tej ndërtimet pa vlerë që kishin prishur autenticitetin dhe bukurinë ekzotike të peisazheve. Po kështu ishte dhe një projekt për ruajtjen e pamjes së një kodre në Vjenë të Austrisë, apo dhe të një qyteti me ndërtesa të tëra prej druri në periferi të Varshavës në Poloni. Në Londër ishte rindërtuar në pozicionin autentik teatri i quajtur “Globus” ku ka luajtur tragjeditë dhe komeditë trupa e famshme e Shekspirit. Ne shqiptarët duhet patjetër të mësojmë nga këta shembuj. Bota ka një numër inxhinierësh, arkitektësh dhe urbanistësh të lidhur vetëm e vetëm me disiplinën e peisazhit. Ata njëkohësisht janë dhe ekologistë, gjeografë, klimalogë, egzoticienë etj etj. Qëllimi është që të ruhen “adresat historike” të qyteteve dhe qëndrave të banuara. Nëse do të rrënohej Kulla e Ejfelit në Paris, padyshim që kjo do të ishte sikur të shqyhej vetë pasaporta e Parisit. Nëse Kulla e Big Bengut në Londër do të prishej ahere të tërë shikuesit do të ulërinin nga tmerri. Po të shkatërrohej Kremlini në Moskë apo të zhdukeshin piramidat në Egjipt, të rrënohej muri i madh i Kinës, ahere planeti do të bëhej tmerrësisht i mërzitshëm dhe gati i kotë.

Por le ta kujtojmë edhe Shqipërinë. Është vërtet e tmerrshme që, Kulla karakteristike me gurë të gdhendur e Sahatit të Tiranës pranë xhamisë së Et’hem Beut ka nga mbrapa siluetës së saj një kullë gradaçelë të shëmtuar, që ka përdhosur dhe vulgarizuar frikshëm peisazhin dhe adresën historike të urbanistikës së Tiranës. Pse duhej të ndodhte kjo gjë dhe pse nuk u parandalua? Bumi i ndërtimeve pa respektuar një strategji urbanistike ka krijuar një rrëmujë babilonike të paimagjinueshme. Kështu vetvetiu arkitektët u bënë “kriminelët” më të mëdhenj të shkatërrimit të trashëgimisë së peisazhit shqiptar. Alarmi duhet të jetë deri në kupë të qiellit. Nuk është puna të ndalohen ndërtimet, por të mos profanohet dhe të ndyhet kujtesa jonë. Vend e pa vend në qendrat e qyteteve shqiptarë janë ndërtuar ndërtesa kulti të feve të ndryshme, gjë që nuk ndodh në vende të tjera në botë, sepse kryeqendra urbanistike e një qyteti, ka atribute të tilla, që nuk duhen ndryshuar sipas dëshirave dhe tekave për t’i kthyer në qëndra të kulteve fetare, të cilat fare mirë mund të ekzistojnë kudo, por pa prishur para së gjithash karakterin laik, qytetar dhe historik, politik, kombëtar të kryeqendrave urbane.Si do të tingëllonte fjala vjen që 100 m para Shtëpisë së Bardhë në Washington D.C të ngrihej një sinagodë budiste apo një xhami vigane? Do të prishej diçka e rëndësishme atë që quhet adresa dhe profili i peisazhit të kryeqytetit amerikan.Në Shqipëri ne nuk kemi specialistë të ruajtjes së peisazhit dhe kjo gjë është një fatkeqësi. Duhen shpallur dhe ruajtur me ligj shumë vende të shenjta dhe peisazhe që nuk duhen ndryshuar. Ne kemi një mal të shenjtë të procesioneve fetare të bektashianëve të vetëm në krejt botën, siç është mali Tomor. Kemi patur një numër të madh peisazhesh ekologjikë të mrekullueshëm, si fjala vjen Syri i Kaltër në Sarandë, Lugina e lumit Valbona, liqenet e Lurës, kaleidoskopi prej gati 50 liqenesh karstikë të Dumresë dhe Belshit, shumë monumente natyrorë si rrapi 400 vjeçar i Libohovës, Pisha Flamur në Llogara. Këto monumente të peisazhit duhen mbrojtur rreptësisht me ligj. Indiferenca e shqiptarëve për peisazhin e tyre është e pashembullt.

Në të vërtetë kjo indiferencë është vetëm turp. Kujtoj këtu shkretimin e pyjeve shqiptare të bërë në kohën e shtetit totalitar me një mendjelehtësi të pafalshme. Miku im, profesori i biologjisë dhe dijetar i spikatur Lekë Gjiknuri më ka treguar një fotografi të marrë nga sateliti, të sipërfaqes gjeografike të Shqipërisë. Nga kjo fotografi dalloj mjerueshëm por edhe qartë sesi harta e Shqipërisë është harta e një barbarizmi dhe një katastrofe ekologjike të pyjeve shqiptare. Sapo kalon kufijtë shtetërorë të Shqipërisë gjëja e parë që të bën përshtypje është gjelbërimi dhe hapësirat e qëndrueshme të vegjetacionit bimor. Po pse vallë ne shqiptarët kemi bërë të kundërtën? A është kjo gjë në nderin tonë? Nëse nuk është në nderin tone, është vetëm në turpin tonë. Kam vite që ndjek problemin e liqenit të mrekullueshëm të Ohrit, që është nën kujdesin e UNESCO-s. Por fondet për mirëmbajtjen e statusit ekologjik të liqenit u janë dhënë vetëm shtetasve të ish Jugosllavisë, kurse shtetasit shqiptarë nuk janë përfshirë në marrëveshjen ndërkombëtare dhe nuk përfitojnë asnjë lloj fondi për të bërë ruajtjen sipas parametrave shkencorë të ekologjisë së liqenit. Kjo situatë absurde vazhdon ende dhe sot. Po a kemi vallë ne shtet që të merret me këtë problem, a kemi dijetarë dhe biologë dhe gjeografë që të merren me liqenin e Ohrit? Pse të tjerët paskan të tillë dhe ne nuk kemi? Ose dhe një shembull tjetër: Në mediat elektronike dhe shtypin e shkruar është thënë se po vdes dhe po thahet liqeni i Prespës, ose më saktë dyshja dioskurre e Prespës së Madhe dhe Prespës së Vogël. Për arsye të marrëveshjeve të gabuara në dëmin e shqiptarëve midis përfaqësuesve të Republikës ish Jugosllave të Maqedonisë dhe asaj shqiptare për shfrytëzimin e ujrave të dy Prespave, është arritur në një gjëndje të llahtarshme, që të dy liqenet po thahen dhe po vdesin dalëngadalë. O Zot, po kjo gjë është e padurueshme, antinatyrore, antigjeografike, antiekologjike dhe antishqiptare!

plazhi shengjinDikur areali i Lezhës u shpall nga forumet ndërkombëtare shkencore si areali më ekologjik i Evropës. Lezha ishte sinteza e lumit me detin, e kënetës me pyllin, e fushës me malin, e qytetit arkeologjik me atë modern, e specieve të rralla të gjahut, e llojeve nga më të habitshmet të florës etj etj. Lezha ishte një rezervat i jashtëzakonshëm i gjuetisë. Vetëm Ishulli i Kunes, një mrekulli e natyrës shqiptare në breg të detit ka qenë rezervati magjik i gjuetisë për ish udhëheqësit e lartë komunistë dhe për miqtë e tyre të shteteve të mëdha të perandorisë komuniste. Të mos harrojmë që me nismën e kontit Çiano, ministrit të Jashtëm të Italisë së Musolinit u ndërtua edhe Hoteli i Gjuetisë në Lezhë, ku u bë dhe takimi me Ribentropin, ministrin e jashtëm të Hitlerit. Hoteli i Gjuetisë është ende sot. Mbas rënies së shtetit totalitar komunist më 1991 në rezervatet e gjuetisë së Lezhës vërshuan si turmë insektesh të papërmbajtur gjahtarët e huaj, kryesisht, italianë, francezë dhe grekë. Këta gjahtarë të huaj kanë bërë kërdinë mbi kafshët dhe shpendët e arealit magjik dhe ekologjik të Lezhës.

Mjaft! Nuk mund të flas më tej për poshtërimin tonë, që më shumë sesa poshtërim i të tjerëve mbi shqiptarët është poshtërim i shqiptarëve mbi vehten e tyre. Do të ishte në nderin e shtetit shqiptar dhe të çdo qeverie qoftë e majtë apo e djathtë, që të krijonte Komitetin e Emergjencës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Monumenteve të Shqipërisë, Komitetin e Emergjencës për Ekologjinë Shqiptare. Nuk e di po shpesh në vetvete e ndjej, se do të vijë një ditë që duhet krijuar patjetër një Parti Ekologjike për të mbrojtur, ringjallur pafundësisht Shqipërinë. Dikur ekologjistët i nënvleftësuan shumë në Evropë, por politikat ekologjiste janë e vetmja e ardhme e sigurt e Evropës dhe e botës. Po kështu një trashëgimi e rrallë dhe e pazëvendësueshme është ajo, që lidhet me bankën gjenetike të specieve dhe llojeve të kafshëve dhe bimëve të rralla të Shqipërisë. Gati po zhduket fara raca e vjetër e buallicave të Myzeqesë, janë zhdukur disa lloje sorkadhesh apo mace të egra në Veri, kanë humbur lule dhe specie botanike, që dikur kanë mahnitur një dijetar të madh të kësaj fushe, Baldaçin. Farërat e bostaneve kaq të veçantë të Myzeqesë, të vishnjeve, dardhave ka afro 10 vjet që nuk kultivohen, duke pësuar kështu një humbje kolosale në trashëgiminë gjenetike të kombit shqiptar. A duhet folur për të gjitha këto, apo duhet heshtur? Besoj se trashëgimia është ajo, që mund të na çojë në të ardhmen.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *