Acarimi i BE-së me Listën e Zezë të Putinit

redaktor

Lista e Zezë e formuluar nga autoritetet ruse ka shkaktuar nervozizëm në politikën e BE-së. Moska ka arritur të surprizojë gradualisht Unionin, teksa lista e personave me profil të lartë politikë, që u ndalohej hyrja në territor, veçse po shtohej. Ndonëse strategji apo taktikë e zgjedhur në vazhdën e një irracionaliteti tashmë konfirmues, fenomeni ka një shtrirje më të gjerë. Çfarë përfshin konkretisht kjo problematikë dhe cilat janë sferat, që ajo prek ?

Një perceptim i gjerë publik, ndoshta e koncepton si të logjikshëm procesin e kundër reagimit rus, me një renditje personash të politikës së lartë evropiane në listën e zezë, që u ndalohet hyrja në territorin rus. Por, ka një aspekt që rrëshqet nga informacioni i gjerë, duke u përplasur në logjikën e konfrontimeve diplomatike, që shikohen si të justifikueshme në një atmosferë konflikti. Dhe ky është aspekti juridik.

Ndonëse fryma e konfliktit ka një logjikë vijimësie, në reagime listimesh dhe kundër listimesh, ato kanë detyrimin ligjor t’i përshtaten kornizave ligjore, që burojnë nga normat dhe konventat ndërkombëtare. Çka do të thotë që, përpilimi i listave të zeza, përfshirja e individëve të ndryshëm në të, grupeve apo subjekteve, ndalimi i udhëtimit dhe lëvizjes së lirë, si edhe vendosja e ngrirjes së gjendjeve dhe pasurive financiare, që disponojnë duhet të jetë një proces i qartë dhe transparent.

Personat apo subjektet e listuar, gëzojnë të drejtën e tyre ligjore për t’u informuar mbi arsyet e futjes së emrit të tyre në këtë listë, mbi bazën specifike ligjore të aplikuar, kriteret e përdoruara dhe procedurën e vendimit. Mbi këtë logjikë juridike, ekspozohet dhe e drejta e personave të listuar, për të ankimuar këtë vendim, e drejta e tyre për t’u mbrojtur dhe për t’u gjykuar nga një gjykatë apo instancë e pavarur juridike, si edhe për të pasur një proces të drejtë dhe të rregullt gjyqësor. Pra, në rast se, personat e listuar nuk informohen mbi arsyet e futjes së emrit të tyre në listë, apo ngrirjes së aseteve të tyre financiare, detyrimisht ato janë të përjashtuar nga mundësia e ankimimit, pasi arsyet apo akuzat ndaj tyre nuk janë të njohura dhe nuk u janë bërë të ditura.

Nervozizmi i shprehur nga autoritetet e BE-së, mbi shpërfilljen e legjislacionit ndërkombëtar, prek pikërisht mohimin dhe cënimin e këtyre të drejtave të sipërpërmendura.

Mirëpo, kjo është njëra anë e problematikës, pra pretendimi për respektim të kuadrit legjislativ ndërkombëtar. Ana tjetër e fenomenit, vërtitet sërish në këtë hapësirë, pasi edhe mënyra e procedimit që vetë Unioni aplikon në këtë sferë, pra formulimi i Listave të Zeza, vlerësohet se, cenon pikërisht këtë kuadër të drejtash ndërkombëtare.

Së pari, fokusi shkon tek shkelja e së drejtës për t’u informuar, mbi akuzat apo faktet ndaj personave apo subjekteve të ndryshme, teksa vendoset në një proces tërësisht të mbyllur dhe të bazuar në informacione të shërbimeve të ndryshme, përfshi edhe ato inteligjente.

Së dyti, vëmendja shkon tek prezumimi i pafajësisë, që ndonëse nuk ka një vendim të formës së prerë gjyqësore, personi konsiderohet i fajshëm. Ndërkohë që gjendet në një pamundësi për t’u mbrojtur dhe për të paraqitur faktet dhe argumentet kundër akuzave të parashtruara.

Së treti, ky dhunim shtrihet edhe më tej, teksa akuzat, ndalimet dhe privimet ndaj personit shtrihen edhe ndaj familjarëve të tij, duke rrëshqitur në një terren dënimi kolektiv, pavarësisht se ato nuk janë subjekt i akuzave apo fakteve të pretenduara.

Së katërti, ndonëse ka një mekanizëm ankimues në nivel evropian, procedurat zgjasin në kohë dhe nuk janë parandaluese për një rifutje të dytë apo të tretë, pra sërish në sistemin e listimit. Proces rilistimi, apo rivlerësimi ndalimesh dhe kufizimesh, që sërish kryhet mbrapa dyerve të mbyllura.

Përveç të drejtave themelore të mësipërme, e drejta e pronës dhe ngrirjes së aseteve financiare, është një tjetër hapësirë që cenohet, aq më tepër kur ajo shtrihet edhe ndaj personave të tjerë familjarë, jo subjekt direkt i akuzave.

Ndonëse nuk ka ndonjë vëzhgim apo studim, që konfirmon në mënyrë të parevokueshme efikasitetin  e qëllimit politik, të aplikimit të listave të zeza, ndjeshmëria shkon te cenimi i të drejtave themelore dhe i legjitimitetit demokratik. Unioni është promovues dhe mbrojtës i vazhdueshëm i këtyre principeve. Ruajtja dhe pacenueshmëria e tyre duhet të marrin trajtat e një vlerë të pamohueshme, në dobi të një demokracie të shëndetshme. Aplikimi me dy standarde, herë në emër të së mirës dhe herë në emër të së keqes jo vetëm shkatërron, por vetë delegjitimon si moralin juridik, por edhe atë politik./im.ta/

Share This Article